Në zemër të kryeqytetit europian, Brukselit, në Rue Washington 17, vetëm pak hapa nga Avenue Louise, ndodhet një prej adresave më domethënëse të historisë sonë kombëtare. Pikërisht këtu, në këtë rrugë me emër të madh, në vitet 1900-1908, jetoi Ismail Qemal Vlora, njeriu që do të udhëhiqte më pas shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
🏰 Në këtë godinë, larg atdheut, ai zhvilloi një aktivitet të jashtëzakonshëm politik e diplomatik për çështjen shqiptare. Brukseli u bë porti i tij i ankorimit, por mendja dhe zemra e tij mbetën gjithmonë te Shqipëria.
Sot, kjo ndërtesë qëndron si një dëshmi krenare e historisë së fshehur. Ajo lidh zemrën e Brukselit drejtpërdrejt me lindjen e shtetit shqiptar.
Poeti dhe publicisti i njohur belg Roland de Marès e përshkruante Ismail Qemalin, në një shkrim për “Le Matin” më 1909, si: “një politikan të klasit të parë”, “një administrator të shquar”, “një njeri me parime”, dhe mbi të gjitha një luftëtar liberal që nuk reshti kurrë së besuari tek triumfi i lirisë.
Roland de Marès shkruante se: “Ai është një tip kurioz, me një inteligjencë jashtëzakonisht të gjallë. Pavarësisht flokëve dhe mjekrës së tij të bardhë, fytyra e tij ka ruajtur një shprehje të bukur rinore. Brukseli ishte, si të thuash, porti i tij i ankorimit, por ai ishte kudo, në Paris, Londër, Berlin. Ndonjëherë zhdukej për një javë, pastaj një mbrëmje shfaqej papritur në shtëpinë time dhe për orë të tëra më tregonte për shpresat e tij për një triumf të afërt. Ai ishte në kontakt me të gjithë ata që kishin një emër në politikën ndërkombëtare. Ai korrespondonte miqësisht me ministra dhe ish-ministra, gjithmonë me një aktivitet disi të ethshëm, duke e mbushur ekspozimin e ideve të tij me anekdota të këndshme rreth burrave të kohës së tij. Ai shpjegonte me një saktësi të habitshme anën e fshehtë, ndonjëherë zbavitëse të ngjarjeve më serioze politike.”
Dhe më tej: “Kauza liberale është në duar të mira nëse i besohet udhëheqjes së Ismail Qemal Beut.”
Nga kjo adresë në Bruksel, që si për ironi të fatit mban emrin e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara Xhorxh Washington, u hodhën themelet diplomatike dhe politike të shtetit shqiptar. Këto mure kanë dëgjuar biseda për fatin e kombit, strategji politike dhe ëndrrën e madhe të Shqipërisë së lirë.
🇦🇱 Brukseli ruan ende gjurmët e Atit Themelues të Shqipërisë. Ndërkohë, ne nuk duhet që të harrojmë asnjëherë se, historia nuk është thjesht kujtesë. Historia është përgjegjësi. Historia është trashëgimi.