Më shumë se 60 deputetë të Partisë Laburiste në Britani kanë bërë thirrje që kryeministri Keir Starmer të përcaktojë një afat kohor për largimin e tij nga detyra, duke kërkuar nisjen e një procesi të rregullt për zgjedhjen e një lideri të ri.
Sipas deputetëve nga krahë të ndryshëm të partisë, Starmer nuk ka arritur t’i bindë se është i aftë të udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve të ardhshme, në një kohë kur presioni politik brenda Laburistëve po rritet ndjeshëm.
Në një deklaratë të mëparshme, kryeministri u shpreh se nuk do të japë dorëheqjen dhe se do të vazhdojë të udhëheqë qeverinë, duke theksuar se Laburistët përballen me “kundërshtarë shumë të rrezikshëm” si Reform UK. Ai paralajmëroi gjithashtu se do të përballet me çdo sfidë për lidershipin e tij.
Megjithatë, deklarata e tij nuk ka ndalur valën e reagimeve brenda partisë, ku një numër gjithnjë e në rritje deputetësh po kërkojnë një tranzicion të organizuar, raporton “The Guardian”.
Ndër zërat më të fortë është ai i Chris Curtis, bashkëkryetar i grupit “Labour Growth Group”, i cili tha se Starmer “nuk mund të sjellë ndryshimin që i duhet vendit” dhe se është koha për një lidership të ri. Ai kërkoi që kryeministri të vendosë një afat dhe të hapë rrugën për një garë të rregullt për drejtimin e partisë.
Po ashtu, deputetja Catherine West njoftoi se nuk do të sfidojë drejtpërdrejt Starmer, por do të mbledhë emrat e deputetëve që kërkojnë dorëheqjen e tij.
Thirrjeve për ndryshim i janë bashkuar edhe deputetë të tjerë, përfshirë Alan Gemmell dhe Jas Athwal, të cilët kanë theksuar se humbja e besimit të publikut po ndikon drejtpërdrejt në rezultatin politik të partisë.
Nga ana tjetër, disa deputetë paralajmërojnë se një ndryshim i menjëhershëm në krye të qeverisë mund të sjellë paqëndrueshmëri politike dhe të forcojë pozitat e kundërshtarëve si Nigel Farage, në një moment delikat për ekonominë dhe politikën britanike. Panorama