-DISKUTIM I HAPUN-
Vazhdon pa ndërpremje kontradikta në botëkuptimin e pjesës ma të madhe të shqiptarëve: “Të keqen” për gjendjen e sotme ku ndodhen shqiptarët (gjeopolitike, ekonomike, kulturore etj.) e kërkojnë gjithmonë jashtë vetes së tyne; fajin e ka gjithmonë si tjetri, jashtë nesh, i hueji dhe nuk analizojmë veprimet tona, qendrimin tonë (të shqiptarëve) gjatë zhvillimeve historike e të sotshëm, gja që do të na kishte ndihmue me kuptue se ku kemi gabue gjatë historisë e, ku po gabojmë sot, se çka kemi ba keq e çka kemi ba mirë. Kjo lloj analize ka vlerë dhe e asht e domosdoshme, sepse na mëson mos përsëritjen e gabimeve dhe përcakton pozicionimin e saktë të piketave në rrugën e përparimit të nji kombi.
Në nji postim në “Facebook”, me të drejtë disa intelektualë atdhetarë shqiptarë, shprehin shqetësimin e tyne për qendrimin e dobët e pa moral te drejtuesave politikë e ideologjike të shteteve fqinj, të cilët gjatë historisë kanë ushtrue gjenocid mbi shqiptarët e, kurrë nuk kanë kërkue falje e si pasojë të këtij qendrimi, nuk duhet të falen kurrë prej nesh…!
Këtu qendron kontradikta që fatalisht vazhdojmë ta përjetojmë në botëkuptimin tonë: kritikojmë me të drejtë “të huejin” (mbi të cilin nuk mundemi me ushtrue asnji lloj presioni, pra nuk mundemi me ia ndryshue qendrimin) dhe “harrojmë”, ose bajmë sikur harrojmë, se gjatë historisë tonë gati gjysë shekullore të diktaturës komuniste kemi përjetue gjenocidin e shqiptarit mbi shqiptarin, pra, të vëllaut mbi vëllaun, si ato të fqinjve ose edhe ma të egër dhe askush nuk e çoi dhe nuk e çon zanin, që ajo klikë krimenelash ose pinjollët e tyne në pushtet (mbas 1991-shit) kurrë nuk i kërkoi falje popullit shqiptar!
Diskutohet që shqiptarët nuk duhet t’i falin krimet e fqinjve, pa kërkue ato falje ma parë dhe nuk analizohet situata tragjike mbrenda përmbrenda shqiptarve: Sot shqiptarët janë ma të përçamë se kurrë ndonji herë në historinë e tyne.
Përçamje ideologjike: nuk mundet me pasë bashkim të vërtetë ndërmjet shqiptarëve, pa u realizue bashkimi shpirtnor i tyne, çka nënkupton që duhet të zbatohet zyrtarisht procesi i kërkesës për falje prej dhunuesave (pinjollëve të tyne në pushtet mbas 1991-shit) dhe pranimi i kërkesës për falje prej atyne që e pësuen dhunimin politik. Ende janë shumë aspekte ideologjike që i ndajnë shqiptarët sot, kujtojmë psh., “heronjtë ideologjikë dhe heronjtë kombëtar” etj..
Përçamje kulturore: gegnishtja, gjuha që flasin e 2/3 e shqiptarëve, gjuha letrare e shkrimtareve gegë, ndër ma të mëdhajt e letërsisë shqipe, e braktisun.
Përçamje krahinore: investime pa fund në jug, rezultati?: veriu ku banojnë gegët, zona ma e vorfen në Europë.
Vëllazen e motra, përçamja nuk jep zhvillim!
Kthesa e madhe drejt përparimit e rritjes së mirëqenies së shqiptarëve, këndej e andej kufinit artificial politik, mundet m’u realizue vetëm mbasi të zyrtarizohet pajtimi kombëtar ideologjik i shqiptarëve, si ma nalt tregue.
/Gazeta Panorama