7 Maj 2026
Organizatat patriotike nuk shkatërrohen brenda një nate. Ato dëmtohen ngadalë, kur në drejtim të tyre hyjnë individë, që nuk ndërtojnë besim përmes transparencës, demokracisë dhe karakterit, por përmes manipulimit, kontrollit psikologjik dhe frikës.
Një nga figurat më të rrezikshme në çdo organizatë është personi intrigues që vepron në prapaskenë. Ai rrallë del hapur përballë njerëzve apo merr përgjegjësi direkte. Përkundrazi ai përdor të tjerët për të sulmuar, përhap thashetheme dhe shpifje, krijon konflikte mes anëtarëve, ushqen urrejtjen dhe përçarjen, si dhe godet këdo që mendon ndryshe.
Psikologjikisht, këta individë kanë tipare narciziste dhe kontrolluese. Ata nuk e shohin organizatën si një mision apo ideal kombëtar, por si pronë personale dhe mjet pushteti. Për sa kohë njerëzit i ndjekin verbërisht, ata tregohen të afërt, të dashur dhe miqësorë. Por sapo dikush kërkon pavarësi mendimi, transparencë apo demokraci, ai person kthehet menjëherë në objekt sulmi dhe denigrimi.
Për të krijuar terrenin dhe rrethin e ndjekësve, ky individ manipulues zakonisht përdor metoda të ndryshme: premton poste dhe favore për të blerë besnikëri, përdor gjuhë agresive dhe poshtëruese ndaj kundërshtarëve, krijon “armiq” imagjinarë për të mbajtur njerëzit të frikësuar, dhe përpiqet të kontrollojë informacionin dhe komunikimin brenda organizatës.
Një element tjetër i zakonshëm në organizata të kapura nga njerëz të tillë është mungesa e transparencës financiare. Kjo nuk ndodh rastësisht. Kur pushteti mbahet përmes manipulimit dhe kontrollit, transparenca nuk ju shërben atyre që drejtojnë. Për këtë arsye raportet financiare shmangen ose mbahen të paqarta, vendimet merren nga një rreth i ngushtë, anëtarësia nuk informohet plotësisht, dhe çdo kërkesë për llogaridhënie trajtohet si “sulm”.
Qëllimi kryesor i këtyre individëve nuk është zhvillimi i organizatës, por mbajtja e pushtetit sa më gjatë. Ata nuk besojnë tek rotacioni dhe zgjedhjet e lira, sepse e dinë se në një proces real demokratik mund të humbin kontrollin. Për këtë arsye përdorin forma manipulimi, si shtim artificial ose jo transparent i anëtarësisë, kontroll i numrit të delegatëve, krijim strukturash të varura, përjashtim i zërave kritikë, dhe manipulim i proceseve zgjedhore për të shmangur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Por rreziku më i madh vjen kur individë të tillë lihen me “dorë të lirë” për një kohë të gjatë. Në atë moment, organizata fillon të humbasë jo vetëm funksionin, por edhe shpirtin e saj. Vendimet nuk merren më për interesin e organizatës, por për mbijetesën dhe kontrollin e individit. Demokracia zëvendësohet me urdhëra. Kritika trajtohet si tradhti. Njerëzit e aftë largohen ose heshtin. Të paaftët besnikë, promovohen.
Për pasojë atmosfera bëhet toksike. Frika zëvendëson dialogun. Intriga zëvendëson punën. Propaganda zëvendëson të vërtetën. Kjo është arsyeja pse organizata të tilla fillojnë të humbin njerëzit më të ndershëm, intelektualët, kontribuuesit historikë dhe besimin e komunitetit.
Një organizatë e udhëhequr nga manipulimi dhe frika bëhet jofunksionale dhe e pabesueshme. Ajo humbet misionin, respektin dhe rolin që dikur kishte në komunitet. Në vend që të bashkojë njerëzit, ajo i ndan. Në vend që të frymëzojë, ajo i lodh dhe i zhgënjen anëtarët.
Pasojat janë gjithmonë të rënda: procese gjyqësore, humbje financiare, përçarje të anëtarësisë, dëmtim i reputacionit, izolim nga komuniteti, dhe në fund, rrezik real për shpërbërjen e vetë organizatës.
Çdo anëtar ka përgjegjësi të mos heshtë kur sheh manipulim, përçarje dhe abuzim me organizatën. Heshtja përballë së keqes e forcon më shumë atë.
Organizatat serioze duhet të reagojnë herët ndaj këtyre sjelljeve. Mënyra më e shëndetshme për anëtarët për t’u mbrojtur nga njerëz të tillë nuk është urrejtja, konfrontimi apo hakmarrja personale. Mënyra më e mirë është refuzimi i kulturës së frikës, izolimi moral dhe institucional sjelljeve destruktive dhe abuzive, transparenca dhe rikthimi tek ligji, vota e lirë, demokracia dhe etika.
Për fat të keq ky “krimb” ka hyrë edhe në Vatrën tone e cila në gjashtë vitet e fundit nuk pati asnjë ditë një lider të vërtetë që ti prijë, por u drejtua nga “eminenca gri”.
Vatra nuk u ndërtua nga njerëz të vegjël me interesa personale. Ajo u ngrit nga figura të mëdha si Fan S. Noli, Faik Domenik Konica dhe patriotë të tjerë që sakrifikuan jetën, pasurinë dhe rehatinë personale për kombin shqiptar. Ata e ndërtuan Vatrën me udhëheqje të vërtetë mbi parime të larta si demokracia, dinjiteti, kultura, debati i lirë dhe respekti për institucionin. Ata nuk përdorën frikën, shpifjen apo manipulimin për të mbajtur postin e kryetarit e as të zëvëndësit. Përkundrazi, ata krijuan një organizatë që fitoi respekt në Amerikë dhe në gjithë botën shqiptare sepse udhëhiqej nga njerëz me karakter dhe idealizëm.
Vatra dhe çdo organizatë atdhetare duhet të udhëhiqen nga njerëz me karakter, vetëpërmbajtje dhe respekt për institucionin, jo nga njerëz në prapaskenë që ushqehen me konflikt, kontroll dhe frikë. Historia na ka treguar se organizatat nuk vdesin vetëm nga armiqtë dhe faktorët e jashtëm, por nga njerëzit e gabuar brenda tyre.