Nardi, ishte një gjethe vjeshte.
Ishte mëkuar në vogëli, si krejt shokët e tij, me bukën e ëmbël nga iluzionet e jetës së bukur. Me të njëjtat veshje-uniforma, me dashuri prej një Nëne të madhe, ndonëse ai, nuk e kishte parë kurrë nënën e tij biologjike, por e ndjente, diku në shpirt. Kishte me siguri diku, një nënë. Në klasat e larta të tetëvjeçares e kuptoi se nëna e imagjinuar, si edhe për bashkëfatësit e tjerë fëmijë të institucionit “Lulet e së Ardhmes”; nuk ishte veç një nënë ideologjike. Madje, në fëmijërinë e parë, mbante mend se, në prag të Vitit të Ri (Krishtlindjet atëbotë ndaloheshin), kur në Shtëpinë kolektive, vinin mysafirë nga Komitetet, i konsideronin me imagjinatën fëminore, si “dajo”, “xhaxha” ose “teze” të tyre.
Por aso kohe, Zoto Gjikosta nuk e njihte Nardin. Ëndrrat e tij, jo se jo. Shumë vonë, kur Nardi kishte dalë në jetë dhe regjimi i kaluar kishte vite i rënë, diku ishin ndeshur për disa çaste në të njejtin qytet ku banonin. Ajo që i kishte bërë më tepër përshtypje Zotos, ishte buzëqeshja e vecantë e këtij njeriu-nga më të bukurat e më të sinqerta buzëqeshje që kishte parë.
Dhe, si gjethja e një lisi në dimër, Nardi, e pa veten një ditë, pa asnjë mbrojtje. Kur gjente punë, e quante të mbarë ditën. Por një vend si strehë, ku të fuste kokën, nuk po e fitonte dot. Nuk i bënte bisht punës: Herë fatorino, herë punëtor nëpër magazina të qytetit. Ditët e vitet, kalonin. Veç netët në dimëra, i dukeshin tepër të gjata. Megjithëse të gjithë thoshin se kishte ardhur demokracia që i ngrohte të gjithë.
***
Në qytetin pranë lumit dhe jo shumë larg nga deti, Zoto, kishte ndoshta muaj të tërë pa e parë Nardin. Madje, portreti i tij, si pas një xhami opak, i ishte fshirë pak nga pak, prej kujtesës. Por kur Zoto, nga jurist në prefekturë, nisi punë si përfaqësues i zyrës rajonale të Avokatit të Popullit, një ditë Nardi iu shfaq në zyrë. Ishte vjeshtë e tretë. I veshur me një peliçe blu, dalëboje. Me mustaqe të verdha që e bënin edhe më simpatik.
-Jam Nardi. Më thanë: provoje një herë te Avokati i Popullit, si i pastrehë se mbase të del gjë…Ai, mund të ta qajë hallin, më thanë…Dhe unë erdha, o i madh! Nuk e dija që punoni ju këtu, o i madh!…
Dhe buzëqeshja e tij e pafajshme ia mbuloi krejt qënien.
-Po deri më sot ku banon?
-Do të vërtetën? Tallesh, o i madh? Të gjithë e dinë si djalë i qytetit që jam: Ku të mundem. Ehh, do ta dish? Ç’e do? Ka vite qëkurse çdo gjë u privatizua, me magazina, depo, reparte ushtarake, rrobaqepësira…Dimrin e kaluar e shkova me picirën e ngricës dhe borës, brenda në kabinën e një makine saurel që ka mbetur nga koha e Enverit, në Lagjen NR.10….Pa ngrohje. Atje e kam shtëpinë.
-Po më parë ku ke trokitur, Nardi? Ke ndonjë përgjigje me shkrim sesi të janë përgjigjur nga zyrat e shtetit, bashkia, prefektura këtu, qarku?….
-Përgjigje plot, vetëm me gojë. Po ç’të duhen?
-Që të bëjmë një ankesë. Në formën e një ankete…
-O vëlla i Nardit! Unë nuk dua të ankohem për njeri. Dua vetëm një dhomë ku të fus kokën që dimri tjetër, të mos më zërë përsëri në kabinën e saurelit.
-Kuptova…Emri?-nisi të shkruaj Zoto në kompjuter.
-Nardi. I gjithë qyteti më njeh kështu, o i madh po i ploti, është Leonard.
-Mbiemri.?..Atësia..?
-Vjeç?
-Pesëdhjet e shtatë..
-Telefoni?…
-Tallesh, o i madh?Ku e gjeta unë telefonin?!
Ankesa:…”I pastrehë prej dhjetë vitesh….fle ku të mundet si endacak…Institucionet nuk i kanë dhënë asnjëherë përgjigje me shkrim…Ka shkuar strehim në bashki, në Prefekturë, në Qark….Ka tre dimra që fle në një kabinë kamioni të braktisur në lagjen NR.10, në mungesë të një strehimi, sado minimal…Kërkon t’i jepet një mundësi zgjidhjeje si i pastrehë…”
–Ma thuaj adresën…ta shkruaj te ankesa.
-O i madh, po tallesh tani?….Adresa: Kabina e saurelit…Lagjja NR.10…
Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit ia lexoi ankesën dhe i kërkoi ta firmosë.
-Mirë. Po vendos adresën e Zyrës sonë dhe pas dy javësh, këtu, do të mbërrijë një zarf nga Tirana, ku do të vihesh në dijeni për përgjigjet e institucioneve, lidhur me ankesën për strehim, etj…
-Faleminderit shumë, o i madh. Ti e di këtë punë.-tha Nardi me një ton shfajësimi.
***
Sa herë afroheshin zgjedhjet, Nardi ishte entuziast e shpresëplotë për strehimin. Të gjithë i premtonin. Dhe atëbotë, zgjedhje të tilla kishte shpesh. Në këtë klimë ai, ishte vetëm një shifër. Një numër matrikulli. Në listat e specialistëve të koalicionit të majtë ishte numri 399. (Shënimi i listës së veprimtarit militant të ngarkuar nga Shtabi, përbri emrit Leonard, NR: 399-ta : I pastrehë. I Shtëpisë “Lulet e së Ardhmes”. Konsiderohet ‘toni’. Porosia: Me precedencë-bashkë me të tjerët! ).
Në listat e koalicionit të djathtë, për shtetasin Leonard N. shënohej: NR. 545. Premtimi: Lagjja NR.10. Pa shtëpi/banesë. I pastrehë. Endacak. Të shikohet në pallatin e ri të Entit të Banesave! (Porosi e deputetit: Sherefedin Sherefedinaj (d.v)
***
Kaluan pesëmbëdhjetë ditët dhe zarfi i parë nga Tirana, me adresën: “Zotit: Leonard N. Lagjja NR.10, mbërriti në Zyrën e Zoto Gjikostës. Në përgjigje renditeshin se “….shtetasi Leonard N, sipas referimeve të Departamentit të Strehimit dhe Begatisë në bashki, ishte vendosur në listën e pritjes për shyrtimin e mundësisë së sistemimit në godinën e Entit të Banesave e cila pas njëzet viteve me vonesë, aktualisht,…ende nuk është dorëzuar nga investitori …”
Zoto pasi e lexoi, ndjeu një gëzim dhe imagjinonte atë çast fytyrën e Nardit, lumturimin dhe atë shprehjen e tij karakteristike: “ o i madh…”
Por Nardi nuk dukej askund. Dimri i akullt e kishte pushtuar qytetin dhe nëpër rrugë njerëzit e kërrusur vraponin për t’i shpëtuar murlanit që frynte nga katër grykat e maleve mbi rrafshinën e qytetit. Temperaturat kishin rënë 10 gradën nën zero, siç nuk mbahej mend ndonjëherë.
Në Tiranë dhe bashki të tjera, grupe vullnetarësh nisën të shpërndanin batanije dhe ushqim të ngrohtë për të vobektit. Në kronikat televizive asnjëherë nuk thuhej: “për të varfërit e qytetit”. Tani ishin gjetur terma të reja ‘bashkohore’: “vulnerabël”*( i pambrojtur, i ekspozuar ndaj rreziqeve ); “njeri vulnerabël “, “shtresë vulnerabël” *( grup shoqëror me më pak mbrojtje dhe mundësi). Dukej qartë: Në stilin administrativ, gjuha zyrtare tani përdorte eufemizma për të zëvendësuar terma si “i varfër”.
Zoto, ndiqte i trishtuar në TV skenat kur punojës të bashkive të cilësuar si grupe “vullnetare” shpërndanin batanije dhe pako me ushqime për romët e periferisë së qytetit dhe të tjerë nëpër lagje, përfshi Lagjen NR.10. Lajmet rridhnin pa pushim: “Në kushtet e temperaturave që të kujtojnë Siberinë, mbi tetëdhjetë familje rome dhe shtresa të tjera vulnerabële, përfituan sot ndihma në veshje dhe ushqime të shpërndara nga bashkia iks dhe grupet e vullnetarëve.”
Gjithmonë bëhej kujdes që këto grupe të tregoshin nga afër, ku dalloheshin jelekët fosforeshentë me logot e bashkive, ku, “krejt rastësisht”, kamera kapte ndonjë kryetar bashkie, deputet apo politikan që dorëzonte një pako me ushqime ose batanije te njerëz “vulnerabël”. Zoto, i ndiqte nga ekrani i vogël i zyrës skenat e ditëve të fundit nga zonat më të ftohta të Republikës. Pastaj, te vullnetarët u shtuan edhe deputetë dhe ministra. Për shembull: Ministrja e Punëve Publike, Diasporës, Rinisë, Sporteve dhe Arteve të Bukura, u shfaqën në ekran pamje tek shpërndante batanie te dy barinj të një stani me dhi në Grykën e Dragobisë. Të njejtat lajme, dubloheshin me titra vertikalisht, djathtas ekraneve televizive si në një garë: kush e kush t’i jepte i pari.
Kaluan edhe dy javë kur, në zyrën e Zotos mbërriti zarfi i dyë nga Tirana në adresën: “Bottom of Form
Zotit: Leonard N .Lagjja NR.10…pranë Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit, R……”
Në shkresën brenda zarfit, Insitucioni njoftonte qytetarin Leonard N. Se “bashkia në përputhje me politikat sociale dhe strategjinë e strehimit : 2024-2030, e kishte marrë në konsideratë situatën kritike të strehimit të zotit Leonard N. në përputhje me dinjitetin njerëzor dhe strategjinë: 2024-2030 dhe e ftonte qytetarin të paraqitej brenda muajit për plotësimin e formularëve: XXZY, ZZKO dhe MMNX...”
Përfaqësuesi i Zyrës kërceu në këmbë nga gëzimi dhe iu përhit në çast fytyra simpatike e njeriut me peliçe blu të zbardhëlyer dhe me të qeshurën e tij mbresëlënëse.
“ E dija, o madh se ti nuk do të më gënjeje. Ma tha Zoti! Po, si të të falënderoj ty, Leonardi? Nuk kam gjë për mirënjohje! Dhe futi dorën në gjoks brenda peliçes blu.
“ Të të jap zemrën time të pastër, o i madh! Që m’u bëre si vëlla!..”
Doli nga zyra me një mendim: Do ta kërkone me biçikletë nëpër qytet njeriun që priste zarfin e shpresës së madhe. Do të shkonte te Lagjja NR.10 dhe do të pyeste:”E njihni Nardin, Leonardin?Ku ndodhet një kabinë saureli ku ai prej dy vjetësh, banon, këtu në Lagjen tuaj?….”
Rrugës, pa grupe me uniformë fosforeshente…nga fondacioni “Shpresat e Mëdha” dhe pranë tyre kamionçinën me pako ushqimesh. Fotografë dhe kameramanë gjuanin pamjet për t’i hedhur në rrjetet sociale dhe në kanalet TV…..
Në çastin kur po mbyllte portën e zyrës në katin e parë të godinës, syri i kapi një lajm me titra në televizor:
–Në qytetin e R. u gjet pa shenja jete trupi i një 57-vjeçari. Mendohet se 57-vjeçari Leonard N. ka humbur jetën nga të ftohtit . Gjatë natës në R. temperaturat zbritën në -12 gradë celsius.- Leonard N.u gjet në një kabinë të vjetër kamioni, të përshtatur për banesë, pa ngrohje dhe pa ushqim….(Lajm në përditësim…)
Pastaj lajmet ne titra vijonin. –GRUPE VULLENTARESH SHPËRNDANË PAKO ME USHQIME DHE VESHJE PËR FAMILJET VULNERABLE…
“Ne, e vramë Nardin!.-tha me një piskamë të fortë në shpirt, Zoto Gjikosta.
“ Ne të gjithë bashkë, e vramë…”
Më tej në TV pasqyrohej Udhëheqësi i Qeverisë në një takim në Bruksel në kuadër të negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE tok me një delegacion parlamentar.
“ Edhe ti e vrave!-iu drejtua Udhëheqësit, Zoto.
“Edhe ju!-iu drejtua komisionit parlamentar që po pozonte i buzëqeshur për foton e radhës.
E mbylli portën e Zyrës dhe portreti i tij u shfaq i plotë mbi qelqin e saj të kristaltë.
–Edhe ti, edhe ti,-i tha vetes në pasqyrë ku dukej si një pasqyrim lakuriq.
–Të gjithë me hipokrizinë tuaj e vratë me ngrirje Nardin. Tok me buzëqeshjen e tij. E braktisët, e harruat dhe ai, i pafuqishëm për t’ia dalë mbanë, zgjodhi këtë mënyrë jetese, ngase ai, për karakterin dhe edukimin që kishte, nuk do të pranonte t’u nënshtrohej rrugëve të tjera me vjedhje e trafiqe.
Letra me përgjigjen pozitive u bë shuk në xhep nga grushti i Zoto Gjikostës. Për të, ikja e paralajmëruar e Nardit pa faj, ishte vdekje e paralajmëruar e një njeriu, faji i vetëm i të cilit ishte pse mbeti jetim.
Nardi, ishte një gjethe vjeshte. E këputur nga një lis që endet edhe sot, në erërat e ftohta me tatuazhin e ngrirë të buzëqeshjes. ///
—o0o—