Çdo herë botimi i librave tuaj përbën
Lajm, lajm që bërtet,madje dhe krejt
Të veçantë për rubrikat e kulturës në media…
Për dreq, keni qëlluar me pare të madhe
Dhe, i harxhoni gjithë nervozizëm dhe
Padurim majtas – djathtas, për të nxjerrë ata
Librat tuaj të trashë .Por, edhe nëse do t’ju
Mungonin , pa hezituar asnjë çast, paret e
Bukës së kalamajve do të hidhnit n’erë!
Jeni përgjithmonë të dehur nga alkooli
I euforisë, avujt e së cilës ju ngjisin në
Qiellin e shtatë dhe, s’ka burrë t’ju takojë
Me tokën …
Hej, grafomanë grafomanë, kandrra mutande!
Si rregull, promovimi i librave tuaj,zhvi –
llohet në sallat luksoze të hoteleve pesyjesh,
Apo, gjer edhe në sallat klasike të Pallatit të
Brigadave, mes buzëqeshjeve të shtrembra,
Entuziazmit fals,shkumës së shampanjës
Për të cilën,një moderatore,që s’shkulet
Më kurrsesi nga kryeqyteti,propozoi
Në një emision të sajin
Se,mund të pihet fare mirë
Tek ha një tas trahana…
Mes hemorragjisë së tapetit të kuq zhvillohet,
Mes politikanëve,
Që hyjnë me hap të shtrirë e të shpejtë, a thua
Se pale ç’punëra të mëdha e të rëndësishme
Kanë lënë atje, nëpër zyra, apo (bobo !) në terren;
Mes dritës dhe jakave të bardha lëbyrëse
Zhvillohen ato promovimet tuaja, grafomanë;
Gjer dhe presidenti, dora vetë, ka nderin t’ju
Mirësevijë e t’ju urojë . Patjetër; kur presidenti
Mungon për shkak të agjendës së ngjeshur
Shtetërore, vjen kryeministri,me një portret
Të gazmuar, të formatuar enkas për eventin
Me të zbritur nga limuzina …
Promovimi i librave tuaj…
Dhe i prisni të ftuarit në derë një e nga një ,
Ashtu të sheqerosur dhe, s’ka maxhordom
Që t’arrijë prototipin tuaj perfekt…
Mes femrave të shkalafitura t’ekranit, me
Vështrim nën sy, përplot krekosje ;ato promovimet
Tuaja, mes biznesmenëve injorantë
Që kollarja ua merr frymën,
Grave të qeveritarëve, që vdesin për kësi sebepesh,
Që të mundin të sfilojnë me çantat e reja të
Stërshtrenjta në dorë , fustanet bizhutë
Rrëzëllitëse, bythët e tonuara sakaq, fytyrat e
Tërhequra, modelin e ndryshuar të flokëve,që
Më së shumti , ua pëlqejnë dashnorët …
Përurimi i librave tuaj, grafomanë …
Shpesh këto gra e ata të ftuar, asqë e dinë
Për çfarë libri bëhet fjalë; vëzhgojnë, a po
I xhiron ndokush me kamera, që të pozojnë hijshëm
Dhe të ëmbëlsojnë vështrimin …
Ah, promovimet tuaja, grafomanë !
Ah, snobizëm rural , mishelë parfumdjerse e
Krupshme, shtirje dhe hipokrizi të rëndomta ,
Që s’i qorton kush ! Ah, modë e fundit, e shkreta ti
Që s’iu shkon fare grave të pushtetshme
Të pushtetarëve ,grave fatalisht të pacivilizueshme!
Por, ç’rëndësi ka , ç’rëndësi ka ? Ç’pandehni ju,
Moralizuesit se, i fyen dhe i pikëllon grafomanët
Ky fakt ? Hehe, të gjithë televizionet do ta
Transmetojnë eventin, me librin në plan të parë,
Duke e vërtitur ledhatueshëm, teksa kritikët që mërzejnë
Kafeneve, në faqet e gazetave do t’i radhisin xhevahiret
E diterambeve për ju me tepri…
Hej, grafomanë, grafomanë !
Ju lumtë, për besë !
2000