Jerevan, 3 maj 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në darkën zyrtare të shtruar nga Presidenti i Republikës së Armenisë, Vahagn Khachaturyan, për liderët pjesëmarrës në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Jerevan.
Në pritjen zyrtare, Kryeministri në detyrë Kurti u mirëprit nga Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, si dhe nga Kryetari i Kuvendit të Armenisë, Alen Simonyan. Në vijim të mbrëmjes, ai bashkëbisedoi me liderë dhe përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse, ku u shkëmbyen ide, pikëpamje dhe qëndrime të ndryshme mbi temat kryesore të agjendës së sesionit të tetë të EPC-së, përfshirë zhvillimet në kontinentin evropian dhe përtej tij, si dhe çështje me interes të përbashkët për bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar.
Gjatë mbrëmjes Kryeministri në detyrë Kurti bisedoi me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, Presidentin e Këshillit të BE, Antonio Costa, Presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, Presidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović, Kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun Sinirlioğlu, Kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora, Kryesuesin e Presidencës së BeH, Denis Bećirović, Kryeministren e Lihtenshtajnit, Brigitte Haas dhe liderë të tjerë evropianë./Zyra e Kryeministrit

