Dita e shtunë ka qenë shumë e veçantë për Anis Mehmetin, pasi futbollisti i Kombëtares shqiptare më në fund ia doli në objektivin e tij për të siguruar ngjitjen me skuadrën e Ipsuiç në Premier Ligë pikërisht në javën e fundit të kampionatit.
Mehmeti ishte protagonist te një nga golat e fitores ndaj QPR që siguruan ngjitjen matematikisht në elitë dhe festa pas atij suksesi ishte legjitime për të dhe gjithë ekipin. Tifozët hynë në fushë dhe mbajtën në krahë lojtarët si heronj.
Festa nuk mbaroi aty, pasi në dhomat e zhveshjeve i priste një tjetër surprizë. Mes futbollistëve dhe stafit u shfaq këngëtari me famë botërore, Ed Sheran, i cili është tifoz i zjarrtë i Ipsuiç dhe dy vite më parë bleu aksione të klubit duke u bërë një prej pronarëve të tij. Ai ka festuar me ekipin dhe bashkë me ta këndoi një prej këngëve të tij të famshme. “The A Team”, që ia kishte kushtuar pikërisht klubit të zemrës.
Sot, Mehmeti ka postuar në rrjete sociale momente nga kjo ditë e paharrueshme për të, me një mesazh shuam domethënës. “Sikur ta dinit rrugëtimin”, shkruante futbollisti, duke treguar se nuk ka qenë e thjeshtë për të arritur deri në këtë pikë në karrierën e tij. gsh
