Filmi i ri biografik për Michael Jackson, me titull “Michael” dhe me regji të Antoine Fuqua, ka ndezur një debat të ashpër në opinionin publik dhe në botën e kinemasë, pas deklaratave të forta të krijuesit të dokumentarit “Leaving Neverland”, Dan Reed.
Ky i fundit ka kritikuar ashpër mënyrën se si filmi trajton jetën e “mbretit të pop-it”, duke pretenduar se në produksion nuk përmenden akuzat serioze që janë ngritur ndaj tij për abuzim me të mitur, ndërsa shton se ai ishte më i keq se Jeffrey Epstein.
“Si mund të tregosh një histori autentike për Michael Jackson pa përmendur kurrë faktin që ai është akuzuar seriozisht për abuzim ndaj fëmijëve?”, është shprehur Reed.
Në një ton edhe më të ashpër ai shtoi: “Ai thotë se njerëzit nuk shqetësohen që ai ishte pedofil. Fjalë për fjalë, njerëzit thjesht nuk shqetësohen. Mendoj se shumë njerëz thjesht e duan muzikën e tij dhe mbyllin veshët. Dhe për sa kohë nuk ka video reale që tregojnë Michael Jackson në akt seksual me një fëmijë 7-vjeçar, nuk e di çfarë do të ishte e mjaftueshme për t’i bërë këta njerëz të ndryshojnë mendje.”
“‘Leaving Neverland’ tregoi se njerëzit duket se nuk e kuptojnë: nëse bën një padi, nuk merr para derisa të fitosh në gjykatë. Dhe kur fiton, kjo do të thotë se ke provuar çështjen tënde”, u shpreh ai.
Duke iu referuar regjisorit të filmit, ai theksoi që Antoine Fuqua të akuzojë njerëzit për përfitim financiar është disi ironike.
“Më duket se të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë film thjesht po fitojnë para. Nëse dikush po fiton para, është pasuria e Michael Jackson dhe njerëzit që kanë punuar në këtë film biografik. Wade Robson dhe James Safechuck nuk kanë marrë asnjë cent nga akuzat e tyre”, tha ai.
Në një tjetër pjesë të deklaratës së tij, Reed u shpreh media duket se mbështet ‘mekanizmin’ Jackson, pasi sipas tij, pasuria e Jackson dhe baza e fansave kanë siguruar gjithmonë që kritikat të shoqërohen me sulme dhe diskreditim.
“Ka shumë para që mund të fitohen nga çdo lidhje me markën Jackson. Nëse mund të përfitosh nga suksesi i këtij filmi, atëherë kjo është mirë për ty. Shumë njerëz do të injorojnë çdo kundërshtim dhe thjesht do të thonë se është një film i mirë muzikor, duke anashkaluar faktin që ky njeri ishte më i keq edhe se Jeffrey Epstein”, shkruan ai.
Nga ana e tij, regjisori Antoine Fuqua iu përgjigj kritikave duke deklaruar se “ndonjëherë njerëzit bëjnë gjëra të këqija për para”.
Filmi i ri, me regji të Antoine Fuqua, u shfaq në kinema të premten dhe ka marrë një vlerësim prej 96% nga publiku në Rotten Tomatoes nga mbi 1.000 vlerësime, pavarësisht kritikave të shumta nga kritikët e filmit.
Ai ndjek ngritjen e Michael Jackson nga një yll fëmijë i Jackson 5 në një ikonë të viteve 1980, duke u ndalur rreth vitit 1988 dhe duke lënë jashtë periudhën e mëvonshme të akuzave për abuzim, të cilat ai i ka mohuar dhe për të cilat është shpallur i pafajshëm. Panorama