HYQMET ZANE
Miqësia ime familjare me Lufti Sejkon, njërin nga të arrestuarit të të ashtuquajturit “grupit të Teme Sejkos” për shkak edhe të origjinës nga Filati i Çamërisë, pas 1991, më dha mundësinë që të mësoja disa të vërteta të atij komploti, që sajoi Sigurimi i Shtetit ndaj çamëve ekskluzivisht. Në çdo bisedë me të, “gjuha vete ku dhemb dhëmbi” për të mësuar nga ajo ngjarje tragjike për shqiptarët e Çamërisë të ardhurit në Shqipëri. Në një moment më tha me një narrative karakteristike të tij të qetë e të besueshme të një intelektuali qytetar se “parathënia e kësaj goditje nisi me eliminimin e gjeneralit të mirënjohur në strukturat të policisë Hilmi Seiti në Shkodër. Vdekja e tij më mesnatën e 25 prillit dhe varrimi më 26 prill 1960 na trishtoi dhe na dha një mesazh. U tha se u eliminua nga një gjendje iu krijua pas një takimi në Kafen e Madhe në Shkodër ku kishin ardhur nga Tirana të deleguar njeri prej të cilëve Rita Marko se do të bënin një mbledhje në Byronë e Partisë së Shkodrës. Unë, – shprehej Lutfiu, pas kafes u shkua në mbledhje ku u kritikua Hilmiu për ulje të luftës së klasave. Gjatë mbledhjes, – siç na kanë thënë, – kishte pak dhimbje koke dhe i dhanë një aspirinë dhe më pas kërkoi të shkonte në banjë dhe aty u gjet i shtrirë me të vjella. Në mesnatën e asaj ditë ndërroi jetë dhe më 26 prill u bë varrimi i tij madhështor me pjesëmarrjen e popullit të Shkodrës.
Nga ato që kanë qarkulluar si veprime, u mor vesh se një apo dy ditë më parë kishte qenë në Tiranë dhe Kadri Hazbiu i kishte kërkuar të bëhej drejtues i një grupi si një lojë kundër akuzave të rusëve. Thuhet se Hilmiu me temperamentin që kishte, kishte protestuar dhe kishte kërkuar të takonte Enver Hoxhën, por nuk ishte realizuar. U kthyer në Shkodër dhe të nesërmen ndodhi gjithçka. Lutfi Sejko më ka sqaruar se, “kjo që i ndodhi Hilmiut më krijoi dyshimin se diçka nuk shkonte dhe parandjenja nuk më gaboi, se në fund të qershorit këtë gjë ia kërkuan Teme Sejkos, kundëradmiralin e nderuar të detit që gjithashtu nuk e pranoi. Por presionet e mëdha dhe siç thuhet futja të gjallë në një arkivol, e detyroi të pranonte me garancinë se nuk do të ndodhte asgjë, thjesht ishte një lojë. Dhe ndodhi ajo që ndodhi që ishte një tragjedi”. Kanë kaluar 65 vite nga dënimi me 1250 vite burgime, me 11 të pushkatuar, 10 të vdekur në burgje të ashtuquajturit komploti i “grupi çam” që ishte në fakt komploti i sajuar për interesa strategjike të pushtetit të Enver Hoxhës. Ishte kjo si një përgjigje ndaj sovjetikëve se ai, Enveri, nuk ishte shitur për “30 aspra” te imperialistët siç e akuzoi Hrushovi, se ja i dënoi ata që u lidhën me imperialistët amerikanë?! Sipas dokumenteve që janë zbuluar dhe që i ka bërë publike ish komandanti i flotës detare Artur Meçollari, ishte Enveri i interesuar që të lidhej me amerikanët, ndaj e dërgoi Teme Sejkon me në mënyrë sekrete.
FAKTET E REJA
“Ish-komandanti i Gjuajtësit të Madh Detar ‘Semani’, Dhiogjen Gjergji në librin e tij “Udhëve të jetës” (2011) hedh dritë mbi një histori të panjohur më parë për Teme Seikon. Ja çfarë shkruan ndër të tjera ai: “Kur unë u bëra komandant gjuajtësi (anije kundër nëndetëse), në arkivin e anijes gjeta një dokument hedhur pa kujdes në të cilin ndër të tjera shkruhej – “Ora… morëm në bord Komandantin e Flotës të pashoqëruar nga asnjë anëtar i Shtabit të Flotës dhe të Brigadës së Rajonit të Mbrojtjes Ujore. Lundruam në perëndim të ishullit të Sazanit. Dolëm në ujërat neutrale. Errësirë e plotë. Deti me dallgë. U urdhëruam të ndezim dritat e lundrimit. Pas dy minutash u fikën ato. Një dritë përpara nesh filloi për pak çaste të ndizej e fikej. Komandanti i Flotës urdhëroi t’i afrohemi anijes së panjohur dhe të zbresim në të. Me shumë vështirësi u afruam dhe lamë komandantin e Flotës atje, duke na thënë që nesër në orën 05:00 të shkonim ta merrnim përsëri.
Tipin dhe flamurin e anijes nuk mundëm ta identifikonim. Natën ne vrojtuam një anije italiane, e cila vinte vërdallë nëpër det. Në orën 05:00 shkuam në koordinatat ku lamë komandantin e Flotës dhe ai hipi në bordin e anijes. I thamë për anijen italiane që lundronte aty. Ai na foli ashpër se përse u morëm me atë anije. Lundruam në drejtim të Vlorës. Akostimi në ujin e ftohtë. Zbret komandanti i Flotës. Kthehemi në Sazan…”. Sipas disa pohimeve thuhet se të nesërmen e këtij udhëtimi iu raportua tek shefi i sigurimit pa dijeninë e Teme Sejkos që gjithçka ishte e sajuar nga sigurimi i shtetit dhe që kishte dijeni të plotë Enver Hoxha.
DËSHMIA E LUTFI SEJKOS
Ai gjyq i montuar nga ekspertët e Drejtorisë së Parë të sigurimit, më shumë se dënimet që iu dhanë çamëve, ishin jo vetëm për familjet e të penalizuarve, por për të gjithë popullatën çame të shpërngulur me gjenocid nga shtëpitë dhje trojet e tyre stërgjyshore, dhe ajo që ishte vrastare vit pas viti ishte se sharjet e imponuara si “çamët e pabesë”, akuza si “agjent të grekut” dhe poshtërimet publike kanë qenë urrejtja e pushtetit stalinist ndaj tyre. Të dënuar, të pushkatuar, të burgosur dhe të sharë pa faj dhe pa falje për ato akuza të sajuara, këtë pësuan Çamët e shpërngulë në Shqipëri dhe që iu mbeti në “biografi” damka e pabesisë. Pas asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë vërtetësi, kështu u dënuan anëtarët e “grupit të komplotit” më 1960–1961.
Grekët i cilësuan “bashkëpunëtorë” me nazifashistët, kur bashkëpunëtorët e vërtetuar ishin grekët dhe kryeministrat e tyre të kohës së luftës. Dhe kjo “damkë” u mbeti edhe pas 81 vjetësh kur eurodeputeti Beleri që ishte në grupin e atyre grekëve që vrau 4 shqiptarë në postën kufitare të Peshkëpisë më 1994. Dhe si për çudi akuza e sigurimit shqiptar “çamët e pabesë” mbeti edhe kjo si një “damkë” për ata që jetuan në atë kohë, për ata që kishin vdekur kohë më parë dhe për ata që ende nuk kishin lindur dhe që lindën në Shqipëri shumë e shumë vite më pas. Të gjitha këto përcaktime m’i rrëfente intelektuali nga qyteti i Filatit që jetoi në Elbasan, Lutfi Avdul Sejko, që u dënua si pjesëtar i atij “grupi komplotist”. Ishte fat që jetoi deri më 13 prill 1995 kur ndërroi jetë sepse pata mundësinë të bisedoja me këtë qytetar të nderuar me trashëgimi atdhetare dhe të ruaja në kujtesë dhe në shënimet e mia ato rrëfime të atij burri qëndrestar në birucat dhe burgjet e Shqipërisë.
CILI ISHTE LUTFI SEJKO
Është lindur më 1 prill të vitit 1926 në Filat të Çamërisë në një familje të mirënjohur patriotësh të Sejkatëve. Në atë kohë Lutfiu ishte i kuadruar në radhët e ushtrisë Nacional Çlirimtare Greke (E.L.A.S) në batalionin “Mix Ali Demi”, regjimenti 15 si shumë çamër të tjerë, edhe pse grekët akuzojnë padrejtësisht shqiptarët e Çamërisë si bashkëpunëtorë me gjermanët?! Pas emigrimit në Shqipëri në vitin 1944 dhe në vitit 1945 mori rrugën për në thellësi të Shqipërisë duke lypur një copë bukë. Pas 7 ditë udhëtimi mbërriti në Vlorë dhe më pas u vendos në Elbasan në vitin 1945, ku banoi deri në fund të jetës së tij.
Në shtator 1947 qarkori i parë i P.K.SH, si i ri komunist e dërgoi në kursin e kuadrove për shef llogarie në Tiranë. Pasi mbaroi këtë kurs në vitin 1948, u emërua në Artizanatin e Tiranës. Shkoi vullnetar në hekurudhën Durrës–Tiranë. Më janar 1949 u kthye në Elbasan dhe filloi punë si shef llogarie në Bashkimin e Artizanatit të Qarkut të Elbasanit, që sapo ishte krijuar. Komiteti i Partisë e ngarkoi me disa punë të veçanta të partisë. Më pas u emërua në sektorin e llogarisë në N.Sh.G Elbasan ku punoi si shef llogarie kryetar i degës planit dhe kryetar i degës së grumbullimeve. Kështu e gjeti viti 1960, kur u zbulua “komploti i 1960 – ës”. Në këtë kohë e patën të lehtë intrigantët dhe njerëzit e degjeneruar, si dhe funksionarë të shoqërisë që e futën në këtë “komplot” e kështu u arrestua dhe u akuzuan si agjent i grekëve, i jugosllavëve dhe i amerikanëve dhe e dënuan me 20 vjet burg. Në Tiranës dhe iu krijua një proces-verbal me të pavërteta i akuzës. Pas hetuesisë në Elbasan dhe në Tiranë në një mbrëmje e çuan në birucat e burgut të ri në Tiranë ku filloi hetuesia e rregullt me hetues Vangjel Çeçani, të cilit i kërkoi të takonte prokurorin e përgjithshëm dhe e një ditë e çuan në një dhomë ku ishte Aranit Çela, Rexhep Koli, Nevzat Haznedari dhe një mjek.
Aty i tha Aranit Çelës se donte të bisedonte vetëm me atë. Sipas kujtimeve të shkruara nga vetë Lutfiu, ai i tha Aranitit se si zot i drejtësisë dhe i ligjit në Shqipëri që ta shikoni çështjen e tij, se ishte krejt i pafajshëm dhe se s’kishte dijeni për asnjë gjë më të vogël dhe se kishte lënë gruan me 4 fëmijë të vegjël në një gjendje të vështirë. Araniti qeshi, u ngrit dhe më tha: Lëri ato të çamët të mesëm (se Araniti i ndante në 3 kategori çamët) prano se kështu i kemi shokët e tu. Më 3 maj 1961 e çuan në një dhomë ku bëri ballafaqimin me Tahir Demin, ku në atë ballafaqim ishte N/Kolonel Qazim Jaufrati, N/Kolonel (emër i paqartë), major Vangjel Çeçani. E pyetën Tahir Demin dhe ai, pasi e kishin torturuar dhe përpunuar me mashtrimet tipike të hetuesisë së sigurimit të asaj kohe, ai i tha se: “Lutfi Sejkon e kam rekrutuar dhe e kam vënë në shërbim të zbulimit grek dhe kishte dijeni për komplotin dhe ka kryer detyrat që i kam ngarkuar”.
Të gjitha këto ishin sajesa të qëllimshme të pavërteta dhe që binin në kundërshtime me kohën dhe aktivitetet. Përpiluan proces-verbalin, të cilin e nënshkroi Tahiri. Poshtë procesit u shkrua: “I dëgjova dëshminë e të dënuarit Tahir Demi, nuk ka asgjë të vërtetë dhe nuk pranoj asgjë”. Pas shumë peripecive në birucat e hetuesisë së sigurimit të shtetit, nga Tirana e sollën në birucat e Elbasanit, ku i vinin spiunë dhe mashtrues që i sajonin intriga të shumta. Pas këtyre falsifikimeve dhe mashtrimeve si gjithë gjyqi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit, e nxorën në gjyq ku u e dënuan 20 vjet. Edhe në gjyq u veprua shumë padrejtësisht. Vetëm shpifje dhe dëshmitarë të mirëtrajnuar. Në vitin 1966 i bëri një letër Enver Hoxhës, ku i thoshte se ishte i pafajshëm dhe kërkonte një komision nga Komiteti Qendror që të verifikonte çështjen dhe të ti jepnin pafajësinë. Nuk mori asnjë përgjigje. Nuk bëri më asnjë lutje dhe, pasi kreu 15 vjet burg, (3 vjet i fitoi nga amnistia e vitit 1962 dhe 2 vjet me punë), më 14 shkurt 1976 u lirua. Në 30 vitet, që nga 1961 Lutfiu dhe gjithë familja provoi çdo persekutim në kurriz kjo familje që ai e krijoi me aq mund e sakrifica.
EPILOG
Historia flet me fakte se ato që sajoi sigurimi famëkeq shqiptar sipas mësimeve të UDB jugosllave dhe KGB rus, ajo që u sajua ndaj çamëve ishte pasoja e pranisë së proserbëve dhe pro rusëve brenda Byrosë politike që bënë edhe eliminimin makbethian të të gjithë bashkëpunëtorëve të Enver Hoxhës në luftë dhe pas luftës si eliminim i dëshmitarëve okularë të bëmave të vetë kryediktatorit që i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kështu çamët, shtresa intelektuale e tyre mbetën përjetësisht të dënuar, të pushkatuar, të burgosur dhe të sharë pa faj dhe pa falje. Sipas një bisede me ish Presidentin Alfred Moisiu, ai më ka thënë “duhej hapur një gjyq i ri për të bërë dhe kërkuar pafajësinë e atyre që u dënuan padrejtësisht dhe që u mbeti akuza e padrejtësive”. Kjo nuk u bë dhe sot vazhdojnë reminishencat e së shkuarës ndaj çamëve me terminologji tip sigurimi dhe të agjenturave greke.
/Gazeta Panorama