Nga zyra e Drejtorit në Durrës te kabineti i kreut në Tiranë: historia e dyshimtë e emërimeve brenda Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore zbërthen një rrjet të ngushtë farefisnie në zemër të institucionit që supozohet të godasë korrupsionin policor…
Praktikat e brendshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore kanë nxjerrë në pah një skemë emërimesh që ngre dyshime të forta për nepotizëm dhe përplasje interesash. Në qendër të kësaj tabloje qëndron Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Eduart Merkaj, dhe vartësi i tij në Durrës, Endri Mema.
Sipas të dhënave zyrtare të strukturës, Endri Mema mban postin e Drejtorit të AMP-së për Qarkun e Durrësit. Ndërkohë, i biri i tij, Sergio Mema, rezulton i punësuar si Këshilltar direkt pranë Drejtorit të Përgjithshëm Eduart Merkaj në selinë qendrore në kryeqytet.
Lidhja hierarkike këtu merr një formë të përmbysur problematike: babai drejton një degë rajonale që kontrollohet nga qendra, ndërsa djali i tij është pjesë e stafit më të afërt të personit që firmos urdhrat dhe vlerësimet për atë degë.
Skandali i lidhjeve familjare në AMP:
Po në të njëjtën drejtori rajonale të Durrësit, struktura e brendshme familjare thellohet edhe më tej. Në pozicionin e Shefit të Sektorit në këtë drejtori shërben shtetasi Butrint Imeri. Burimet konfirmojnë se Imeri është kushëri i drejtpërdrejtë i Drejtorit Endri Mema.
Ky konfigurim, ku një drejtor rajonal ka të birin në kabinetin e eprorit të tij më të lartë në Tiranë dhe një të afërm tjetër gjaku në rolin e zëvendësit të tij në terren, krijon një bllok të mbyllur vendimmarrjeje. Dyshimet janë se në këto kushte, çdo hetim apo inspektim i brendshëm ndaj veprimtarisë së Drejtorisë së Durrësit është i komprometuar që në nisje.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila lindi si mekanizmi kryesor për të pastruar Policinë e Shtetit nga elementët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, duket se po përballet me të njëjtat fenomene brenda mureve të veta. Emërimet e bazuara në gjak e jo në meritë vënë në pikëpyetje serioze aftësinë e këtij institucioni për të ushtruar kontroll të paanshëm mbi uniformat blu. /Pamfleti