Irani ka tërhequr vendimin e një dite më parë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke e mbyllur sërish, për shkak të vazhdimit të bllokadës detare të Shteteve të Bashkuara ndaj porteve iraniane, sipas agjencisë së lajmeve Fars, e cila është e afërt me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike.
Një zëdhënës i shtabit qendror Khatam al-Anbiya, i cili është pjesë e strukturës së komandës së unifikuar të ushtrisë iraniane, tha se kontrolli mbi ngushticën është “kthyer në gjendjen e mëparshme” dhe sërish është nën menaxhim të rreptë ushtarak.
Ebrahim Zulfaqari tha se Teherani më herët kishte pranuar “me qëllime të mira” të lejonte kalim të kufizuar për cisternat e naftës dhe anijet tregtare gjatë armëpushimit, por “fatkeqësisht, amerikanët… vazhdojnë të përfshihen në pirateri… nën të ashtuquajturën ‘bllokadë’”.
Irani e kishte rihapur rrugën më 17 prill pas javësh ndërprerjesh pothuajse totale, një veprim i mirëpritur nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili megjithatë tha se bllokada detare e vendit të tij ndaj porteve iraniane do të mbetej në fuqi.
Më 11-12 prill, nënpresidenti amerikan JD Vance udhëhoqi një delegacion në bisedime me zyrtarë të lartë iranianë në Islamabad. Ato bisedime u ndërprenë pa marrëveshje dhe me të dyja palët që fajësuan njëra-tjetrën për dështimin.
Në komentet e tij të 17 prillit, Trump hodhi poshtë sugjerimin se mosmarrëveshje të mëdha mbeten në negociata.
“Nuk mendoj se ka shumë dallime të mëdha”, tha ai. “Nëse ka, unë do ta rregulloj”.
Sa i përket kohës sa do të ishte i gatshëm të mbante një bllokadë të porteve iraniane të lidhura me bisedimet, Trump tha se ajo do të hiqej menjëherë sapo të arrihej një marrëveshje.
“Kur marrëveshja të nënshkruhet, bllokada përfundon”, tha ai.
Ndërkohë, Mahmud Nabavian, anëtar i komisionit të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të parlamentit iranian, tha se negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të çojnë askund dhe se Teherani do të vazhdojë luftën deri në “humbjen e plotë të Trumpit dhe Netanyahut”.
Nabavian, i cili shoqëroi delegacionin negociator iranian në Islamabad, tha në një fjalim në Arak drejtuar “disa zyrtarëve” më 17 prill vonë se “përgjegjësia për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit i takon vetëm Marinës së IRGC-së dhe askush nuk do të ketë të drejtë të ndërhyjë”.
Ligjvënësi nuk i përmendi me emër zyrtarët të cilëve iu referua, por ai më parë ka bërë deklarata në media të afërta me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike dhe në rrjete sociale, tonin dhe përmbajtjen e të cilave e kanë dalluar nga ato të anëtarëve kryesorë të ekipit negociator të Iranit me Shtetet e Bashkuara.
Që kur ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, njoftoi se Ngushtica e Hormuzit do të rihapej më 17 prill, ka dalë një valë kundërshtimi dhe kritikash nga fraksionet e ashpra brenda qeverisë ndaj ekipit negociator dhe zhvillimeve e vendimeve të shpallura, duke thelluar ndarjet e brendshme politike.
Në një pjesë tjetër të fjalimit të tij, Nabavian tha se një masë ishte miratuar në komisionin parlamentar të sigurisë sipas së cilës Irani do të bllokonte kalimin e anijeve ushtarake amerikane përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ai shtoi se do të ndalohej gjithashtu kalimi i anijeve nga çdo vend që “i jep baza armikut”.
Masat e miratuara nga komisionet parlamentare duhet ende të votohen në një seancë plenare të parlamentit, pastaj të dërgohen në Këshillin e Gardianëve dhe, pas miratimit përfundimtar, të shpallen zyrtarisht nga presidenti para se të hyjnë në fuqi si ligj.

