Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Prokurori Special Naim Abazi, gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare, tha se sulmi terrorist nuk ka qenë një ngjarje e izoluar, por pjesë e një plani të mirëorganizuar dhe të parapërgatitur me synim cenimin e rendit kushtetues.
Abazi theksoi se para sulmit kishte një sërë veprimesh paraprake që dëshmojnë për një organizim të strukturuar kriminal me synime terroriste.
Kujtojmë që Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Milan Radoiçiç dhe 44 të tjerëve për sulmin e 24 shtatorit të 2023. Aktakuza e përshkruan Radoiçiçin si “udhëheqës të grupit terrorist”.
Në sulm mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku, ndërsa mbetën të plagosur 4 të tjerë.