VJESHTE
Zbrazet fundjavës tashmë Tirana;
Te semaforët makinat më nuk presin .
I ulët dielli i vjeshtës ,
Ndër sy të ndizet ,
Varg bien gjethet nga er’e mëngjesit.
Bien gjethet;ky lajtmotiv i verdhë
Embël të trishton , të mbyt me mall.
Bregdetit miqt’e mi ndërmendin verën;
Tryezash jasht’ pastaj me qejf një drekë hanë…
Dhe unë udhëtoj,fundjavat veç,
S’më joshin , s’më pëlqen të jenë një rregull.
Në këtë rrugë ku kam kaluar s’di sa herë.
Me emocion kujtoj se, vjen një tjetër shekull !
Sa larg do t’ikim vallë,vallë sa larg do t’shohim
Nga peshë e së shkuarës tërhequr fort përherë ?
Të denjë më shumë do t’jemi, apo më shumë të liq
Dhe ,gjetheve që bien , do t’u këndojmë sërish ?
1993
IMAZH HENE
Tani e heshtur nga pemët
Këputet vjeshta fletë – fletë
Së shpejti mes pyllit të zhveshur
Veç gjethja e hënës do të mbesë.
Atëherë do të jetë dimër,
Kur pylli ngrin edhe feks;
Por ne, të përqafuar sërish
Shtigjesh do të humbim përmes…
Hëna imazhin e vjeshtës
Do të shkundë degëve, lart
Imazhin e artë të vjeshtës
Që ne u dashuruam bashkë…
1970
KORÇA E ARTE
Ja, dhe mështeknat që frushullojnë,
Tek hyjmë në Korçën e vjeshtëzuar.
Si shkunden gjethet e feksin ar,
Trishtimin romantik duke na zgjuar…
Vitet kan’ shkuar, mëkot bares
Në bulevard të gjej dikë që njoh.
Por dale, ka edhe rrugica me kalldrëm,
Dritare ka pas luleve n’oborr…
Por ka dhe kafene në shëtitore
Ku, si kujtim një gjethe bie mbi tryezë.
Korçarja e bukur paskësh ikur larg,
N’istagram veç, foto nuk harron të hedhë…
Ndanë pishinash mbi shezlong pozon;
Bikini i saj përndez një kitarë !
Ç’e pandeh Parisin, Londrën ç’e pandeh ?
Miqtë e tu të presin me një serenadë…
Vjeshta ka praruar Korçën tej e tej;
Psherëtijn’ mështeknat, kushedi se çfarë…
Pa shih, si u zbardhin drurët edhe degët ?
Ah, pritet të shtrojë dëbora e parë…
2010
TANI
Mëngjesesh kur shkoj në punë
Tani një vajzë shoh.
Çantën tund tek ecën
Flokët ndreq me dorë…
Gjer larg e ndjek tek ikën
Ndodh që kokën kthen.
Humor të mirë në punë
Kam, kur e shoh përherë.
Një ditë do ta ndal, patjetër,
Të shihemi në sy më në fund .
Le t’i ndreqë flokët tek ecën,
Tek ecën çantën le ta tundë…
1975
PER DASHURINE
Eh, sa këngë përndez dashuria ;
Në tingujt e tyre s’ka zemër që s’rreh !
Janë të pafundme këngët e saja,
Siç janë të pafundmë në qiell yjet…
Epo kështu,një ditë dhe unë
Shkrova të parën vjershë dashurie,
Krejt i sinqertë para fletës së bardhë,
Prapëseprapë s’i shmanga klishetë…
Po kush s’ka pengje e s’u pikëllua ;
Sa sy të bukur humbëm e buzë gjithë afsh !
Intrigat pa vend dhe lojërat prej snobësh,
Mjerisht na pëlqeu të zgjidhnim shpesh…
Por dashurinë e madhe, që dhemb e të mbërthen,
Mes trillesh gjithsesi e gjetëm
Dhe shtirjes pas tradhtish ;
Të mos e mbërrinim dot, do t’ish mallkim…
Eh, sa këngë përndez dashuria
Në tingujt e tyre ka zjarr përgjithmonë .
Pa shihni, një çift po përqafohet ;
Këngë e re, kjo do të thot‘…
1997
GJETHET E VJESHTES
Nga shirat e rrëmbyer pas mesnate
Njëherësh ranë gjethet e vjeshtës.
Shih, si regëtin ari i tyre
Trotuareve të zhurrmshëm të Tiranës…
Dhe s’ësht’ tetor, nëntor madje s’është,
Veçse dhjetori vjeshtën e praroi
Si vizatim i hedhur shpejt duken pemët
Mbetur pa gjethe në sfondin qiellor.
Ç’ brishtësi fine dhe ç’klas
Dhe, nostalgji e ëmbël e pafund !
Si të përndez një dashuri e re në vjeshtë,
Në vjeshtë,mjer’ kush dashurinë humb…
1978
KRYQEZIM
Te semaforët , në kryqëzim
Gjethe vjeshte shkunden pareshtur.
Thurur mes degësh të një lisi me myshk,
Mbi rrugë varet një fole e heshtur.
Zogu ka ikur , shtëpiza e trishtë
Erërash tundet , zbulohet përherë.
Poshtë makinat shkelin gjethet;
Lart qiellin trazojnë retë.
Si bëhet foleja mbi kryqëzim;
Mes tymit , mbi rrotat, si çelen vezët?
Po kush nuk jeton sot në rrezik;
Kë era s’tund si folenë e zbrazët ?
2000
VIZITA TE SALVADOR DALI
Galjan e dashur , Elyar
Vetë ia shpure mikut tënd Dali.
E zjarrta ruse, që s’përmbahej,
Shkoi të zgjojë një tjetër gjeni.
Si rende Pol me dëshirë drejt humbjes;
I vetëm në kthim , si hipe në tren?
Kurrsesi poet s’duhej të harroje
Se gruaja jote quhej HELENE !
1992
SA SHPEJT
Si dekor shfaqjeje, mbaruar sakaq,
Ombrellat mblidhen, tryezat mbi bar.
Gjëmon qielli, shkunden pemët,
Çiftet në kafe hyjnë me jakat lart.
Gjer dje qe vapë, ftohtë sa shpejt u bë,
Ngjyra e plazhit pa na ikur ende.
Sfilata mode me veshje dimri
Bëhen në salla para kamerave.
Por unë në park shoh si shkëputen
Nga pemët zogjtë dhe gjethet varg.
Gjethet përreth zverdhin dhe shtrohen.
Por zogjtë humbin s’di sa larg….
1993
PLEPAT
(variacione)
Farfurin florir’ i vjeshtës,farfurin
Majë plepash, ndanë udhës gjer tutje…
Shkel mbi gjethet, tapetin e poetëve ,
Ca vargje si lutje tek pëshpëris me vete .
Si të vërshojnë kujtimet korijes mes plepash ;
Me nostalgji t’ëmbël,si të trazojnë !
Iku ver’e çmendur.zogjt’përmallshëm siç ikën,
Bashkë më një dashuri, që s’e kapi vjeshtën…
Ah, plepa që shfletoni lirika n’erë
Tek frushulloni e treteni flu,
Pa më gjeni një vjeshtë të vetme
Kur unë s’humba thellë te ju?
1978
LOG SKOCEZ
Në logun e blertë mes pyllit të lartë ,
Ku mjegullat treten sapo drita shkrep,
Një fermer plak me traktorin e tij
Thesin plot mish të freskët sjell,
Për zogjtë grabitqarë që enden përreth.
Korbat e zinj me divizën e vdekjes ,
Skifterë të ngjeshur , shqiponjat mbretërore,
Rrëmbyeshëm mblidhen , kur gjaku i ndjell
Përhihen n’ajër , krrokatin ngjethshëm
Sillen rrotull si karuzel.
Shqyejnë mishin me thonj dhe sqep,
Gëlltiten grykshëm, gufohen, sulen
Si armët kur prishen , u bien pendët;
Por s’tremben nga ndeshjet dhe çiftëzohen ,
Në fluturim martesor humbin qiejsh…
Këtë gosti t‘egër, nga një bankinë e ulët ,
Përmes dylbish turistët e ndjekin.
Ndiejnë nevojë ata herë pas here,
Për kacafytjet e zogjve emblemorë;
Shajnë dhe shfryjnë dhe shfrejnë mllefet…
1992
BREGDET
Ku valllë ka dritë sa në bregdet,
Sa në bregdet hapësirë , ku vallë sheh?
Rërës që djeg zbathur shkel;
Dëgjoj këngën sea, sun and sex…
Diell det seks , dhe ndezulli,
Buzë që çelen , sy gjithë pasion.
Erotikë e shpallur , por s’humb magjia;
Shkumë që qesh , gjinj që gufojnë.
Joshur ëmbëlsisht , kë të përshëndes?
Këtu aventurën dot s’e ndalon .
Rërës që djeg zbathur shkel;
Në sfond kënga sea sex and sun …
1988
NE MODE KENGA SEX – BOMB
Ministrat n’uikend celularët
Dhe viagrat asnjë herë s’i harrojnë.
Ah, sa të ëmbël pushimet;
Në modë kënga sex –bomb!
Poeti i shkretë veç trishton ,
Shpeshherë pa ditur përse.
Shqyhen gazit disa ,
Eh, farsë letrare fjala atdhe …
Por s’zbret nga sëra hyjnore poeti,
Nuk imiton modele, nuk pozon.
Mes psherëtimash lajm të mirë
Vendit të tij i pret gjithmonë.
Dhe del në rrugë dhe shqetësohet;
Sa është gjallë s’e nderojnë.
Ah, ka pushime, ka dhe krime
Dhe është në modë kënga sex – bomb …
1996
PLEPAT NDANE UDHES
variacione
Ata plepat puplorë flu
Ndanë udhës së pyllit që ndrit,
Dashurinë që e humb, më thonë,
Të kthehet së dyti, mos prit !
Eh, plepa që shkundni vjeshtën ,
Sa keq më vjen t’ju besoj !
Po ku venë puthjet e nxehta
Dhe fjala e dhën’përgjithmonë ?
Ah, fjalët dhe puthjet e afshta,
Si farat e drurëve kan’krahë.
I mbjellin korijeve të tjera
Vrundujt e erës së marrë…
1968
KETE MENGJES
Këtë mëngjes fushës rend mes barit të kositur;
Më pëlqen era e tij, madje më trondit.
Tutje qyteti me pallate të ngjeshur
Kompozim fluror është;
Qielli ndrit.
Shirave me ylberë dhe me bubullima,
Bleroi ky bar, gjithë vesë u rrit,
Tymrave helmues, asfalteve të nxehtë,
S’jam sot dhe , mëngjesin thith.
Sa larg natyra nga jeta na iku,
Si mëkatar blerimin e vështroj tani.
Vargun cinik ndër dhëmbë bëlbëzoj:
Gjithçka po prish përbindëshi njeri …
1989
SHKUMBIN
Një libër me lirika për Shkumbinin
Poeti intimist shkroi me mall.
Mbi shtjell‘ t’ujit, ku shtrinte vështrimin,
Çdo val‘ që fekste për të ishte një varg.
Fushat pastaj ndan’ zajesh,shkrepat tej…
Dhit’e egra ku hidhen si vetëtima ;
Shkumbon Shkumbini, por rrapesh në breg
Turtujt turnakin tek vijnë plima – plima .
.
Ah, lumë përplot rima të stërkalta,
Që mugesh dimrit, pranverës qesh e ndrin.
Si rrjedha jote këngët rrjedhshin
Shkumbin
Shkumbin …
1973
SHI PRANVERE
Ylberët rrjedhin n’asfalt
Bashkë me lulet e bukura.
Nën streh’ me të dashurën shoh
Pemët që ndrisin të qullura!
Shkrep një vetëtimë ndër re,
Puthjen, duke na përshkuar.
Lumturi’ e dashurisë intime është,
Të gjithë veç , të bën t’i duash…
1978