(Mbështetje shpirtërore nga Nënë Tereza edhe Padre Pio, dy shënjtorë të
krishtërimit)
E quaj veten fatlum që sapo vumë këmbë në këtë tokë të bekuar të Amerikës, pa vonesë u njohëm dhe shpejtë edhe u miqësuam, me njërn nga personalitetet nga më të shquarit e kombit tonë, Hirësinë e Tij, Baba Rexhebin.
Mezi ç’e prisnim fundjavën që t’a kalonim me të, motrën e Tij, teto Zejnepin si edhe të gjithë miq e dashamirë të Babait që vinin t’a takonin, t’i qanin një hall apo edhe t’i shërbenin atij si edhe Teqésw Mireëpo fundjava njera nga tjetra ishin shumë larg, i ndanin shtatë ditë, e veç kur tringëllinte telefoni në mes jave dhe zëri aq i dashur i Babait na thosh … ku ini bre bijt e mij. Hajdeni se na ka marrë malli. E ne të nesërmen, sapo dilnim nga puna ,,,, drejt e në Teqé! I kujtoj ato kohë që s’kthehen më dhe sinqerisht më është venìtur pamja nga lotët e nuk e shquaj mirë ekranin e kompiuterit teksa mundohem t’i shkruaj këto kujtime. E vetmja gjë që më ngushëllon është fakti se sa herë që rrija me Babanë jam munduar dhe e kam çfrytëzuar kohën që këmbëngulëse ikte, dhe nuk kam lënë problem pa diskutuar me të, aq sa kalonte edhe ora e gjumit të Babait, të cilën ai e respektonte me fanatizëm.
Kujtoj njerin nga takimet e para me Baba Rexhebin, mbasi i putha dorën e më përqafoi, më pyeti: Kam shumë respekt për të ndjerin babanë tënd e posaçërisht e admiroj për vendosmërinë dhe guximin se si i dha fund jetës së tij, pavarësisht se nuk dua të gjykoj veprimin e tij. Po ti a beson në Perëndinë? I pohova se isha besimtar. Baba Rexhebi më shikoi thellë në sy e replikoi: Me që ti nuk je mëkuar me besimin fetar, ashtu si edhe fatkeqësisht i gjithë brezi yt, si ka mundësi që ti e ke këtë bindje? I u përgjigja se fillimisht mbase ka qënë ndikimi i ndigjoja ndërmjet babait dhr miqve të tij Hafëz Ali Korça, Patër Anton Harapi, Sheh Ali Pazari, Dom Lazër Shantoja, Iriné Banushi, etj. ku tema e besimit në Zotin ishte shumë dëndur e pranishme, gjë e cila ma pati ngjallur kurreshtjen t’a zgjeroja rrethin e njohurive të mia. Pastaj, me kalimin e viteve, trajtimi që i u bë klerikëve më të shquar të kombit duke i pushkatuar, burgosur dhe internuar si edhe qëndrimi zyrtar i dhunshëm kundra institucioneve fetare, qenë pa asnjë mëdyshje veprime që ma forcuan revoltën e brëndëshme dhe më shtynë përfundimisht drejtë besimit në Zotin. Shto këtu edhe ngjarje përgjatë vetë jetës sime që nuk kam ditur se si t’i shpjegoj ndryshe … vetëm se me ndërhyrjen e dorës së Zotit, e kësisoj besimi erdhi duke m’u forcuar. Tek e vështroja në sy Baba Rexhebin e pashë se i erdhi mirë për përgjigjen që i dhashë, mbylli pak sytë, çoi dorën tek mjekra, (lëvizje të cilën e kishte të zakonëshme), dhe sikur nuk më drejtohej mua, pak a shumë tha … gjatë historisë është dokumentuar se kategoria më e vuajtur kanë qenë besimtarët sepse ata , duke u besuar prijësve të tyre, me vetmohim të ndërgjegjshëm janë flijuar dhe jo gjithmonë për kauzë të drejtë … kurse agnostikët gjithmonë janë munduar të gjejnë edhe një anë të kundërtë … ndërsa njerëzit me karizëm, për mirë apo për keq, vazhdimisht kanë sunduar, në një kohë që anonimati është përdorur si mish për top! Mbas këtyre konsideratave Babai heshti. I hapi sytë dhe më tha: “Më fute në mendime të thella tek më the se je besmtar dhe u detyrova të shtjelloj këto saktësime sepse për popullin shqiètar, nën dhunën komuniste, nuk kish më kategori shoqërore, e kishin bërë të gjithin anonimat!
Kujtoj gjithashtu …
Jo. Nuk do të vazhdoj përgjatë kësaj hullije vetëm me kujtime e pa konsiderata dhe krahasime. Të më falë lexuesi, por do të mundohem të përcaktoj disa kritere, mbështetur në të cilët pastaj do t’a kemi më kollaj t’a kuptojmë në mënyrë të ndërsjelltë thellësinë e mendimeve filozofike të Baba Rexhebit si njeri, si fetar e ç’është edhe më e vështirë, si mistik.
Kalimi i kohës njerëzimin e ka ballafaquar, pa as më të voglën mëdyshje, me zgjerim horizonti lidhur me përvojat e kaluara. Ky fakt si rrjedhojë, ka çuar në mënyrë të pashmangëshme në kërkim përgjigjesh gjithmonë e më të ndërlikuara ndaj pyetjesh që edhe vetë, me kalimin e kohës sa më shumë ka përparuar shkenca, aq më të pakapòëshme janë bërë. Në këtë konteksr vetë koha, si përfytyrim në vetvete (nocion), është shumë relative. Një të mituri koncepti kohë, nuk i thotë asgjë. Adoleshentët mezi ç’presin të moshohen. Që nga mosha e pjekurisë e përgjatë gjithë viteve aktive të njeriut, ky i fundit kujton se kohën e ka gjthmonë dhe vazhdimisht nga ana e tij. E pastaj vjen edhe çvlerësimi i saj bashkë me pleqërinë, ku njeriu zakonisht i shtyn ditët. Në këtë çast logjika racionale hyn në valle edhe pyet: këto kategori njerëzish për të njëjtin proçes flasin?
Ky këndvështrim ndaj konceptit kohë, tregon se si pohimet në jetë duhen konsiderua rshumë relative dhe njeriu i mënçur nuk duhet të bjerë në pozitat e pohimeve kategorike. I referohemi tashti edhe një shëmbulli konkret. Një gënjeshtër, kurdoherë që të jetë thëmë, vazhdon të mbetet e tillë. Kurse një e vërtetë, jo e pohuar në kohë … nuk ka më vlerë!
Nisur tashti nga ky kusht paraprak që fare përciptas e trajtuam, kuptohet se sa të shumëllojësme vijnë e bëhen pastaj pyetjet rreth paraqitjes sa të ndërlikuar, shumëplanëshe e po aq edhe misterioze, që lidhen me vetë frymorët në përgjithësi e pastaj qëniet njerëzore në veçantí … me kalimin e kohës!
Që në thellësinë e kohëve, duke e ndier nevojën e dhënies shpjegimeve pyetjeve nga më të ndryshmet, lindën besimet, ku besimtarët gjenin mbështetjenë ato që u thoshte ose u shpjegonte udhëheqësi i besimit. Në vazhdim, teksa filluan e të ndërlikohen pyetjet rreth ekzistencës si edhe vdekjes, ato u bënë besime fetare e dora dorës, nga besimi në shunë zotër, u arrit në monoteizëm, (besimi në një Zot).
Përgjatë shekujve besimet e ndryshme fetare fituan autoritet të madh. Në vijim shkaktuan beteja si edhe luftra, por nga ana tjetër edhe kanë ndihmuar kategori të ndryshme njerëzish. Historia dëshmon gjithashtu se këto luftra përmbysën jo rrallë mbretëri ose edhe hymnizuan përgjatë tyre, njerëx pa asnjë vlerë. Ky është realiteti.
Po në parim, nga këndvështrimi filizofik, cili është shërbimi që i bëjnë njerëzimit besimet fetare në Zotin? Qëllimi si edhe misioni i lartë i tyre është tu gjëndensi mbështetje shpirtërore besimtarëve kur ata kanë nevojë, e t’i ndihmojnë ata përgjatë jetës së tyre. Nuk ka dyshim se ka pyetje të cilave është tejet e vështirë t’u gjëndet përgjigje si lidhur me prejardhjen e jetës në tokë, gjithashtu edhe sa i takon se ç’ngjet mbas vdekjes personit. Në këtë rast konkret besimet fetare ndihmojnë lidhur me përgjigjet, por vetë qëllimi i besimeve fetare nuk është gjetja e përgjigjes pyetjes se cila është e vërteta absolute.
Ndryshe qëndron puna me shkencën. Ajo piksynim të sajin ka të vërtetën objektive. Mirëpo me përparimet e jashtëzakonshme të saj, gjithmonë e më i largët, i pakapshëm dhe i ndërlikuar vjen e bëhet ky pikësynim, veçanërisht lidhur me shoqërinë njerëzore, filozofinë si dhe besimet fetare. Të pafund si edhe tejet të ndërlikuar janë fenomenet e shoqërisë njerëzore si edhe të jetës personale. Në to jo vetëm që ndërthuren shumë përbërës. Por këta vetë paraqiten në trajta edhe çfaqje jashtëzakonisht të shumllojshme. Që nga ky çast fillon edhe çalimi i shkencës. Kjo sepse vetë ata që i studjojnë fenomenet janë të detyruar që imformacionin, për t’iu nënështruar analizës, t’a bëjnë selektiv. Kjo do të thotë që në kohë të caktuar, disa parametra ose disa modele, (që nuk dihet se sa saktësisht i ngjajnë objektit për t’u studjuar), t’i nënështrohen vrojtimit. Që këtej rrjedh që teoritë e dala nga këto vrojtime, nuk mund të jenë të themelta as si rregull i përgjithshëm, dhe aq më pak të zbatueshme kurdoherë, në kohë. Kështu pra logjikisht, vrojtimet selektive, çojnë në interpretime edhe ato vetë, subjektive.
Kësisoj filozofinë herë e kanë rradhitur krahas besimeve fetare e herë e kanë njësuar me shkencën.
Nisur nga kjo paraqitje krejtësisht e shkurtër, mendoj se ndonëse në mënyrë shumë sipërfaqësore, qartësohen diçka idetë se si interpretime të gabuara të dhënash e çuan njerëzimin në kohë të ndryshme të bjerë në hone të thella e me efekte mbrapavepruese mbase edhe për shekuj të tërë. Mjaft të përmëndim se ç’u bë dhe si u veprua përgjatë periudhës Inkuizicionit të Shënjtë (i ashtuquajtur i tillë), ose shtrirjes së eksperimentit komunizëm zbatuar në shumë shtete të botës.
E ngushtojmë tashti rrethin e problemit për t’u trajtuar. Sa më të largëta në kohë të jenë të dhënat që merren nga historia e shkruar, (pa le kur flitet për parahistori), është e qartë se aq më relative e të pasakta janë përfundimet e nxjerra. Nga ana tjetër, sa më të mëdha zbulimet shkencore, aq më i madh dhe i shtrirë në hapësirë kontakti me të panjohurat. Pra shkenca, sa më shumë që përparon edhe zhvillohet, me aq më shumë të panjohura e probleme që kërkojnë shpjegime përballet. E ky pohim, i sintetizuar, merr trajtë karakteri filozofik kur një fizikant bashkëkohas anglez pohon se, për t’a ulur në pozicion të caktuar mbi sipërfaqen e hënës raketën kozmike, duhen ndërhyrje për ndryshim drejtimi përgjatë trajektores së saj. E në rastin konkret kemi të bëjmë me vetëm tre trupa qiellorë në lëvizje të njëkohëshme: toka, hëna edhe raketa kozmike. E pra kur në këtë rast duhet medoemos ndërhyrja e një shkencëtari (regjizor), i cili që nga toka e drejton programin e t’a korrektojë trajektoren, a mund të mendohet se me këtë marramëndje trupash qiellorë që janë njëkohësisht në lëvizje sinkrone, kjo harmoni të mos ketë nevojë për një regjizor madhor? Pikërisht i përballuar me këtë pafuqi të mëndjes njerëzore, fizikanti anglez detyrohet e pohon se heq dorë nga ateizma, të cilën përparandej e mbronte me ekzaltim, dhe kthehet në besimtar të një Zoti drejtues madhor të gjithësisë.
Ky transformimi këtij njeriu nga mosbesues në Zotin në një besimtar me bindje të themelta, na jep krah të vazhdojmë kësodore , në hullinë e arsyetimeve tona. Huazojmë tashti një pohim nga filozofia e që është sa më pranësë vërtetës që përjetojmë. Ajo pohon se njerëzit grupohen, në vija të trasha,në besimtarë, nbesimtarë sa kohë që u sillen prova të kapëshme edhe bindëse (sipas tyre) lidhur me paqartësitë që kanë sa i takon Krijuesit të Gjithësisë, të lëkundur, si dhe jobesimtarë. ( Më tutje kemi për të parë se cilat janë kategoritë e njerëzve sipas filozofisë mistike). Ecim tashti përgjatë shtegut që u munduam të përvijojmë, duke treguar të gjitha vështirësitë që ndeshen lidhur me pasaktësitë që rrjedhin nga analiza selektive, dhe fillojmë e ngushtojmë rrethin e përcaktimeve që perfundimet ‘i kemi sa më të përafërta me realitetin objektiv. Nisur nga ky parakusht, si kategori e përzgjedhur për t’iu drejtuar, marrimbashkësinë njerëzore nga e cila kemi përjashtuar jobesimtarët. Edhe ata janë më se të mirseardhur t’a ndjekin linjën e arsyetimeve tona, por kur të kenë filluar të bëhen të lëkundur pra, të kenë lënë më një anë paragjykimet negative. Në këtë çast tashti këkojmë ndihmë dhe sjellim në skenë mistikun dhe mendimtarin e thellë të Mistikës Bektashjane, Baba Rexhebin. Shoh menjëherë se si të lëkundurit (skeptikët) janë gati të thonë … përse t’i drejtohemi pikërisht Baba Rexhebit? Përgjigja e ime që kam marrë përsipër t’a trajtoj këtë problem është shumë e thjeshtë: së pari, sepse Baba Rexhebi ka qenë vërtetë një mendimtar shumë i thellë në fushën e filozofisë, në përgjithësi, dhe nga ana tjetër ka qenë edhe një Mjeshtër i Mistikës Islame, siç e ka përcaktuar në veprën e saj profesoresha e Wayne State University, zonja Frances Trix, Duke mësuar me një Mjeshtër Islamik. Nga ana tjetër, pikërisht për t’iu shmangur subjektivizmit si pasojë e deformimeve që pësojnë faktet nën veprimin e kohës, problemet që do të trajtoj janë kujtime nga diskutime si edhe pikëpamje të Baba Rexhebit, qëmtuar përgjatë qindra orësh diskutimesh të paharruara me të! Pohimet e tij, pastaj dora dorës, do t’i krahasojmë me pohimet si edhe pozicionimet e marra nga dy shënjtorët Padre Pio dhe Nënë Tereza, që të dy bashkëkohës të brezit tonë. Skeptikëve u ve në dukje tashti se si vetë përzgjedja e këtyre tre personazheve mënjanon sot shumë shmangie nga e vërteta, të cilat mund dhe do të ngjasin përgjatë shekujve të ardhshëm, lidhur me mendimet si edhe bëmat e tyre kur koha, ky faktor i padukshëm por skajshmërisht i lidhur me njerëzimin, do të ndikojë në transformimin e të vërtetave.
E tashti mund të vazhdoj duke kujtuar se si mjë ditë e pyes Baba Rexhebin dhe i them … se diskutimet e karakterit fetar, lidhur me ekzistencën apo mosekzistencën e Zotit ishin temat më të përfolura nga njerëzit. Babai qeshi dhe më citoi Konfucin i cili thosh se në natyrë çdo gjë është diçka ndërsa injoranti është asgjë. E pastaj Babai shtoi … për fat të keq bota është e mbushur me injorantë , qofshin ata edhe të shkolluar, të cilët duan të bëjnë interpretime, përgjithësime pa le të arrijnë në përfundime. E vetmja gjë që arrijnë këta mëndjeshkurtër është se zhyten thellë e më thellë në kënetën e dyshimeve e pastaj s’dalin dot që andej! Terreni në të cilin ata shkelin me injorancën e tyre, janë ato rërat thithëse e kur e shohin veten se po mbyten … shumë prej tyre fillojnë dhe i luten Zotit për mëshirë! Më ka pasë treguar një mik i imi që ka pasë punuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës e pastaj qe arratisur, se si kur e sollën të plagosur Nako Spirun, komunistin si edhe ateistin e përbetuar, përgjatë orësh të tëra ai s’bënte gjë tjetër veç i drejtohej Zotit t’a mëshironte e t’a shpëtonte … derisa i doli shpirti! E tani ja dhe interpretimi nga këndvështrimi mistik që i bënte tregimit të tij Baba Rexhebi: Injoranca i ka shtyrë në pohime të pavërteta, (në gënjeshtra), e kur kanë dashur t’i rikthehen së vërtetës, jo për bindje të thella po për interesa personale, ajo e vërtetë ishte e jashtëkohëshme e nuk u vlente më!
I referohemi tashti mistikut tjetër të madh të cilin biografi i famshëm Renzo Allegri e cilëson … njëri nga personalitetet fetare më të njohura të botës, mistiku nga më të të mëdhenjtë, e së fundi edhe shënjtori Padre Pio nga Pietrelcina … kurse juristi nga më të dëgjuarit të botës, Bruno Cassinelli thotë kur flet për Padre Pion … Padre Pio është gjeniu i ndjenjave siç ka qënë Giuseppe Garibaldi i aksjoneve e Leonardo da Vinci i intelektit …
I thonë Padre Pios disa të shkolluar, por injorantë, për t’a vënë në pozitë të vështirë: E mësove Padre se në portin e Albengës ka ngjarë një tragjedi e madhe? Është mbytur një barkë e madhe e bashkë me të kanë gjetur vdekjen edhe 30 fëmijë! Përse e lejon Zoti, në qoftë se Ai ekziston, këtë dhimbje të krijesave pa faj? Padreja heshti. Sytë i u veshën nga lotët. Pastaj tha: Një nënë qindis. Fëmija i saj, i ulur mbi stolin e tij të vogël, sheh vetëm pjesën e pasme të gjergjevit ku e ëma përfton qindizmën: një gërshetim të pakuptim penjësh dhe ngjyrash sheh ai. Po të gjëndej fëmija diçka më lart e t’a shihte anën e mbarë të qindismës, do t’a shihte motivin si edhe ngjyrat e kombinuara të saj. Ne, bijt e mij jemi të ulur mbi stolin e ulët dhe nuk e shohim dot se ç’po qindis Perëndia!
Ndërsa miku edhe studjuesi i jetës së Nënë Terezë, Dom Lush Gjergji, tregon se kur vendosi t’a pyeste Nënë Terezën lidhur me përkushtimim e Saj në rrugën e ndihmës më të varfërve nga të varfërit, Ajo qe përgjigjur: Se si më thirri Zoti në këtë rrugë nuk duhet të të shqetësojë, sepse ajo është diçka ndërmjet Zotit edhe meje: Ҫ’ësntë me rëndësi, është se Zoti e thërret secilin në mënyrë të ndryshme. Ne nuk kemi asnjë meritë. Ajo që është me shumë rëndësi është t’i përgjigjemi me gëzim thirrjes së Tij …
Baba Rexhebi gjithmonë e na e theksonte se ai lutej për ne, miqtë e tij, por shtonte edhe … Për ju nuk lutem shumë se ju nuk keni edhe shumë nevojë për lutje Zotit, kurse për njerëzit e këqinj lutem më shumë se ata kanë më shumë nevojë e sa më keq që ata të më kenë bërë, aq më shumë lutem për ta! Unë këtë thënie të tij e konsideronja si një pohim që i takonte t’a thoshte Baba Rexhebi për vetë petkun dhe pozitën që kishte. Por shpejt e kuptova se sa kuptim të thellë dhe tamam, mbinjerëzor, kishte kjo thënie kur ajo zbatohej.
Gjatë luftës Bedri Spahiu ishte aktivisti komunist më i zjarrtë në qarkun e Gjirokastrës. Sapo largohej nga një fshat Bedriu ku kishte propaganduar idetë e komunizmit, shkonte Baba Rexhebi dhe me durim dhe bindje i kthente njerëzit nga ana e tij dhe e pikëpamjeve të tija nacionaliste. Kështu që Bedri Spahiu e ndiqte Baba Rexhebin veç t’a zinte e t’a ripte të gjallë. Baba Rexhebi, kur e pa se pushtetin po e merrnin komunistët, me porosinë e Baba Selimit, (murshidi dhe dajua i tij), u largua fillimisht nga Gjirokastra e pastaj edhe nga Shqipëria. Kurse Bedri Spahiu, mbas marrjes së pushtetit nga ana e komunistëve, në fillim qe prokuror i pëgjithshëm e vrau e preu sa e si deshi. Bile në Gjyqin Special qe prokuror e Koçi Xoxe kryetar i gjyqit që dënuan sipas mllefit të akumuluar në genet e tyre prej dështakësh, koka të inteligjencës shqiptare. E pas tre vjetësh, në gjyqin e Koçi Xoxes, Bedriu qe prap prokurori që kërkoi pushkatimin e Koçit. Në vazhdim pastaj edhe vetë Bedriun e kalbi burgjeve diktatori paranojak. Por e rëndësishmja është tashti se, me përmbysjen e komunizmit, kishte bërë Bedri Spahiu dhë qe botuar në gazetën Republika autokritika publike e tij. I a lexoj BabaRexhebit. Ai e ndjek leximin me përqëndrim të thellë. Kur mbaroi së lexuari mendohet gjatë dhe sikur flet mr vete thotë: … nerëzit kur plaken fillojnë e besojnë në Zotin, pendohen e kërkojnë lehtësim të shpirti tnga mëkatet e tyre. Kurse Bedriu, ndonëse në moshë të thyer, vazhdoka akoma të gënjejë fare hapur. Shmë i jam lutur Zotit për shpirtin e tij, por e shoh se u dashka të lutem shumë e më shumë akoma për të. Unë, kur e dëgjova këtë pohim, mbeta i shtangur. Atëbotë e kuptova madhështinë e Baba Rexhebit si mistik.
Qëmtojmë tashti një ngjarje analoge nga jeta e Padre Pios dhe heqim një paralele mes dy shënjtorëve në fjalë.
Urdhëri i lëshuar nga Ati Provincial Bernardo d’Apicella , drejtuar Kuvëndit të San Giovanni Rotondos, mban datën 29 gusht 1936. Aty thuhej … Që sot e tutje u ndalohet gjithë besimtarëve civilë të hyjnë në qelën e Padre Pios në Kuvënd. Cilido nga priftërinjtë i cili do të shpërndajë jashtë Kuvëndit gjëra që i përkasin Padre Pios, ipso facto do të pezullohen a divinis, (automatikisht çvishen nga rroba kishtare për gjithmonë)… Në këtë klimë dyshimesh dhe kufizimesh i shtynte ditët Padre Pio. I referohemi tashti dëshmisë së Padre Agostinos të cilit Padre Pio i kishte pohuar : Mua më mjafton dëshmia e ndërgjegjes së pastër përpara Zotit. Unë mundohem t’a kryej detytën time duke u bërë të mira shpitrave e duke i pëlqyer Zotit. E kur e pyet Padre Agostinoja në se e kish sado pak ndjenjën e hakmarrjesndaj atyre keqdashësve Padre Pio tret shikimin i përhumbur dhe thotë se … kurrë nuk më ka shkuar në mëndje hakmarrja. Jam lutu rpër ata që më akuzojnë e vazhdoj të lutem për ta. Zotit i jam drejtuar edhe duke i u lutur që në se për t’i sjellë në rrugë të mbarë keqdashësit e mi duhet dënimi me kamxhik, jepmi mua ato goditje me kusht që ata të shpëtohen!
Ky qëndrim i Padre Pios ndaj atyre që me urrejtje të pashëmbulltë e poshtëronin, e godisnin dhe e luftonin, mund të krahasohet vetëm me pozicionimin e Baba Rexhebit, mistikut tjetër matanë Oqeanit! Sa të madhërishëm dhe në sintoni këta qëndrime, njeri i mistikut Islam e tjetri i atij kristian: për armiqtë e tyre dy shënjtorët luten, për ta vuajnë shpirtërishr e për ta i dhurohen Zotit edhe si viktima veç Ai, hasmët e tyre, t’i shpëtojë nga vuajtja e amshueshme!
Po Nënë Tereza, vallë ç’qëndrim ka mbajtur në situata analoge? E kijtoj dhe sa herë që ngjet kjo, më fut në mendime fakti që shkurtimisht do të paraqis. Tregon Dom Lush Gjergji se si Nënë Tereza e kish peng të madh se donte të vinte në Shqipëri t’a takonte nënën e saj. Nuk ia jepnin vizën e hyrjes në Atdhe. Ndërhyri për këtë punë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Kombeve të Bashkuara U Thant (1961 – 1971)të cilit i thanë se nuk e lejonin dot të vinte e veshur si murgeshë me që shteti ynë qe krenar si i vetshpallur ateist. Por Nënë Tereza e pranoi dhe atë kusht, ndonëse ajo nuk mbante veshje murgeshe, (veshja e Saj ishte ajo e Misionareve të Dashurisë), veç t’a shihte edhe një herë Dranen e saj që e kishte nxjerrë në jetë. E kur e mësuan se ajo e pranoi edhe atë kusht … prap se prap i a mohuan hyrjen! Dhe Drania ndërroi jetë pa u parë me të bijën së gjalli, Me këtë rast tani po tregoj se ç’më ka pasë thënë me gojën e saj e ndjera Artistja e Popullit, sopranoja Marie (Paluca) Kraja, të cilën e kishin caktuar t’a shoqëronte Nënë Terezën gjatë vizitës kësaj të fundit në Shqipëri, në vitin 1989, kur erdhi edhe vizitoi tashmë varret e nënës dhe motrës së saj, Ages. “E kishin vûe në program që Nâna Terezë të bânte homazhe edhe te vorri i i Enver Hoxhës. E ndjeva veten bajagi ngusht se si kishte me pritë ajo kyt propozim. Gjithshka pritshem prej, po që të më thotë se … nuk kam asnji problem sepse të tâna keniet njerzore e pra edhe komunstat nuk janë gjâ tjetër veçse krijesa të Zotit, kjo ishte gjâja që pritshem mâ pak prej gojës së saj.” A ka nevojë të zgjatemi duke e krahasuar qëndrimin e qevërisë shqiptare me sjelljen e Shënjtores?
Sjell tashti një kujtim nga bisedat e gjata me Baba Rexhebin i vili hedh dritë mbi sa përsnkruan në mënyrë krahasuese më lart. Babai pohonte se … teollogjinë njerëzit e mësojnë në shkolla siç mësojnë edhe të gjitha disiplinat e tjera. Kurse mistikën nga teollogjia e ndan një hendek i madh; mistika mësohet vetëm duke e përshkuar shtegun e saj. Nga ana tjetër, po t’a shikojmë se si pedagogët e Islamizmit edhe ata të Kristianizmit i shpjegojnë doktrinat e tyre, shohim se ata nisen nga këndvështrimi historik, pra si humanistë. Kurse mistika është kuptimi më i thellë i besimeve!
Nisur nga këto shpjegime të Baba Rexhebit, kuptohet se mistika është kuptimi më i thellë i besimsve fetare, ajo pra duke u marrë shumë më thellësisht në drejtim të lidhjes shpirtërore dhe njësimit me Zotin, shmanget nga dallimet mes besimeve dhe e përqëndruar siç është tek objektivi i saj madhor, i bën mistikët e besimeve të ndryshme të afrohen njeri me tjetrin e të ecin përkrah, pavarësisht bindjeve të tyre fetare!
Duke biseduar një ditë me Baba Rexhebin rreth besimeve të ndryshme fetare si edhe normave të feve të ndryshme, hidhet një zonjë dhe thotë: Gjatë një viti që banova në Itali, me që përkundruall shtëpisë ku banonja ndodhej një kishë e vogël katolike, shkoja herë pas here në kishë, i lutesha Zotit dhe ndizja ndonjë qiri. Kam bërë gjynah duke vepruar kësisoji? Baba Rexhebi vuri buzën në gaz dhe i përgjigjet: … aspak bija ime: Të gjitha besimet monoteiste besojnë në të njëjtin Zot dhe i luten të njëjtit Zot, të vetmit, të Madhnueshmit dhe Mëshirëplotit! Edhe kisha ku je lutur ti, është Shtëpia ë Tij, shumë mirë ke bërë. Ti nuk kishe as teqe e as Xhami ku të luteshe. Dhe mbani vesh të gjithë, na u drejtua neve, Zoti është një dhe i njëjti për të gjithë besimtarët monoteistë dhe janë veç njerëzit e ashtuquajtur fetarë që, për qëllime të caktuaa pushteti, mbjellin përçarje dhe konfuzion në mëndjet e njerëzve, duke predikuar dasira ndër ta.
Përgjatë këtij konteksti mendoj se i erdhi radha një pushimi të shkurtër. Nënvetëdia e lexuesit t’i analizojë e t’ì përpunojë faktet e paraqitura e domosdo edhe interpretimin e tyre simbas optikës mistike. Ndërkohë ne vazhdojmë me lexuesin e trajtojmë një subjekt më të kapshëm, më të prekshëm e më real. Baba Rexhebi , ai shënjtor i gjallë i cili vuante për hallet e njerëzve e vetëm vuante për ta, thellë në shpirt vuante edhe për vete: e akuzonin komunistët se i kish duart e lyera me gjak! E Babai thosh … është e pabesueshme se si propaganda politike mashtruese arrin e gjen persona që i verbon deri në këtë shkallë …edhe vuante ai. E kush vuante e për kë? Vuante Baba Rexhebi për t’ia shpëtuar shpirtin Bedri Spahiut, për të cilin i lutej Babai Perëndisë t’a mëshironte për krimet e tij!
I lemë tashti më një anë të indoktrinuarit, atë masë injorante (siç e quante Baba Rexhebi), të cilët duhet (rimbas mistikut tonë të madh) jo vetëm t’i falim, por edhe të lutemi për ta. Merremi sado shkurt me anën tjetër, me ata dashurues të Baba Rexhebit që të rrëmbyer nga respekti i thellë oër figurën e Tij, bien në pohime të pasakta. Më ka rënë në sy në ndonjë botim se si duke e përshkruar Baba Rexhebin si patriot të skajshëm, përgjatë atij laku kohor kur propaganda e nacionalistëve përfytej me atë sllavokomuniste e nisi edhe lufta civile e shkaktuar,e filluar dhe e vazhduar tejeskaj ngakomunistët, ndonjë autor shkrimi për t’a bërë edhe nga ana artistike tërheqës shkrimin, thotë se Baba Rexhebi rrëmbeu në ata kushte edhe armët.. Jo. Keta pohime, ndonëse e kuptoj se gjithmonë me kuptim dhe ndjenjë lartësimi dhe mirëdashjeje për figurën e Babait si patriot, nuk i përgjigjensë vërtetës, dhe vetëm ua hapin gojën më keq pinjojve ideologjikë të B. Spahiut e Ramiz Alisë me shokë.
E lemë tashti më një anë dëshminë e vetë protagonistit, Baba Rexhebit, se ç’thosh lidhur me ballafaqimet me komunistët, e me që kemi akoma dëshmitarë të tjerë bashkëkohës, ia lejojmë vetes lluksin të përzgjedhim ndërmjet shumë dësmitarëve atë që ka edhe më shumë se ç’të thotë dhe i referohemi se ç’pohon zoti Haki Gaba, muhib i Teqesë së Zallit, dhe shoqërues i asaj kohe i Baba Rexhebit, me të cilin kam folur me djetra herë e për orë të tëra.Ai tregonte se si në ato kohë skajshmërisht të rrezikëshme … na nuk keshëm se si t’a lejojëm Dervish Rexhebin të shkontee të futeji vetëm dhe i armatosur, siç ish ai, në folen’ e arëzave. Dervishi qe trim e tërr s’i bënte syri tek shkonte e kuvendonte shtruar me popull e pleqësi duke lëshuar mjaltë nga goja e duke ua mbushur mëndjen të kthejën në rrugë të patriotizmës e t’a harrojën internacionalen e Miladinit e të Dushanit. Po ku mund t’u keshëm besë na komunistëve të djallëzuar që e prisnin Dervishin, e pastaj keshëm sy e faqe na t’i t’i dillim dot para Baba Selimit? Kështu na si çetë e Ballit e kemi shoqëruar edhe ruajtur si sit’e ballit Dervishin tonë sa herë që ai lëviste në zonën e Gjirokastrës.
Bashkëkohësit e Baba Rexhebit tregojnë bilé një fakt tejet kuptimplotë. Ishte mesi i vitit 1943. Veç kur vete në Teqénë e Zallit Dervish Ahmeti nga Tërbaçi i Vlorës. Ai kish pushkën në krah se ishte bashkuar e dalë malit me nacional – çlirimtarët. Kish ardhur në Teqé t’i bënte thirrje Dervish Rexhebit të ndiqte dhe Ai shëmbullin e tij. E pa Dervish Rexhebi në sy dhe i thotë: si më thua mua more Dervish Ahmeti të vij me ty kur ti ke hedhur armën krahut? Arma nuk është për ne! (Deri këtu e trajtoj unë ngjarjen që hedh dritë mbi pozicionimin e Dervish Rexhebit dhe nuk i intereson lexuesit që të shmangemi nga tema kryesore e të trajtojmë pastaj fatin e Baba Ahmetit, të inernuar kampeve të punës nga regjimi për të cilin ai rroku edhe armët, në kundërshtim me rregullat e tarikatit të tij).
Fakt është pastaj se kur e nxitur nga komunistët, vëllavrasja mori përmasa të tilla që nuk ndalohej më, Dervish Rexhebi nga fundi i vitit 1943 u largua e shkoi në Tiranë e më pastaj në Shkodër prej nga, në fundin e nëndorit 1944, edhe u largua nga Shqipëria.
Mbas këtij ndërakti jo të pa interes, vazhdojmë e ndjekim Baba Rexhebin nëpër shtigjet e mistikës së Tij, duke u munduar t’a kuptojmë. Mund t’a pohoj me plot gojën se kur Baba Rexhebi fillonte e trajtonte problemet më të mprehta që e kanë turbulluar mëndjen njerëzore që në fillimet e kësaj shoqërie, sikurse pyetjet rreth ekzistencës së Zotit e kështu me rradhë, me të folurën e Tij të ëmbël dhe të mbështetur në logjikë rigoroze, të rrëmbente si pa e kuptuar dhe të ngrinte në fluturim bashkë me të në nivele jashtëkohore e njëkohësisht edhe jashtë tokësore. Miliarda njerëz gjallojnë mbi tokë, thosh Baba Rexhebi, po sa prej këtyre janë shpirtërisht të gjallë? E fill mbas kësaj pyetjeje retorike shtonte pohimin … egoizmi nuk nuk e le njeriun të njësohet me Zotin. Egoja dhe vetëm ajo , e ndan njeriun prej Zotit. Egoizmin Ai e konsideronte sëmundje të rëndë morale dhe shoqërore. Babai pohonte se … egoizmi është si një mal i lartë që ngrihet pikërisht para syve tonë e që nuk na le të shohim përtej. Po t’arrijmë e tì ngjitemi kërij mali deri në majë, me mund dhe me sakrifica të përditëshme të nivelit vetmohues, vetëm atëherë do të shohim se para nesh çfaqet Zoti, me gjithë madhështinë e Tij! Misteri që e rreton Zotin e na e bën të padukshëm, s’është gjë tjetër veçse egoizmi i njeriut! Pra kush rri e shikon veten dhe dashurohet me veten e tij, ai kurrë nuk do t’a shohë dot Zotin!
Po mistiku tjetër i famshëm, Padre Pio, si ballafaqohej me konceptin e pamundësisë për t’a parë Zotin? Këtë pyetje ia bëri një ditë miku i tij i ngushtë Agide Finardi e Padre Pio i u përgjigj: … për kë dashuron toka dhe qielli bashkohen! E kur e pa se miku i tij mbeti diçka si i hutuar, Padre Pio shtoi … por që këto të bashkohen e pra t’a shohësh Zotin, duhet të dashurosh këdo e kurdoherë, veç jo veten tënde!
Këtë koncept Padre Pio mundohej t’ua nguliste thellë në ndërgjegje çifteve të reja që martoheshin. Kur dy të rinj Ai i bashkonte në martesë, u thosh: … para se të lidheni pazgjidhshmërisht mendojeni mirëse ajo që që ju sot doni të krijoni, familja pra, është e shënjtë. Dashurojeni njëri tjetrin dhe të shkrirë njësh në këtë dashuri, dashurojeni Zotin, krijues të Gjithësisë, se Ai u jep juve pastaj mundësinë e ripërtëritjes. Analizojeni përditë dhe pastrojeni ndërgjegjen tuaj përditë, duke u penduar për ato që nuk duhej të bënit. Djalli do të mundohet t’ua fusë në mes lush xhëlozinë . Luftojeni me dashuri të ndërsjellë. Mos shikoni kurrë të metat e tjetrit, shikoni dhe korigjoni tuajat dhe kijeni mirë parasysh se po nuk dijtët të falni të tjerët, askush nuk do t’ju falë juve! Vetëm kësisoji dashuria për njëri tjetrin, dashuria për të afërmin si dhe dashuria në Zotin, do t’a mposhtë të keqen dhe ditë mbas dite do t’ju avisë tek Ziti!
Po këta koncepte u a mëkonte të rinjëve edhe Baba Rexhebi, i cili shtonte; … Fisnikëri është t’a përballosh të keqen me të mirë, por kijeni mirë parasysh se të mbash shpresë se shpërblehesh për të mirat e bëra si edhe dhuratat që ke dhënë, kjo s’është gjë tjetër veç tregëti. E me Zotin nuk bëhet tregëti!
Të njëjtat koncepte shprehte edhe Nënë Terezapor me fjalë disi të ndryshme. Ajo thoshte: Në çastin që njeriu e kupton se është mëkatar dhe ka nevojë t’ia falin mëkatet, fillon e bëhet më e lehtë për të që të falë të tjerët. Por kijeni mirë parasysh se pa falje dhe pa dashuri, nuk mund të ketë jetë,,,
Tek lexon porositë e Padre Pios dhënë të rinjve lidhur me analizën dhe pendimin e përditshëm që t’i avitemi Zotit, pa asnjë mëdyshje kuptohet se zbatimi i kësaj porosie çon drejt pastrimit të ndërgjegjes si edhe ruajtjes së mëtejshme nga gabimet. Duke shtuar këtu edhe porositë e Nënë Terezës, nuk kemi se si të mos bëjmë paralelizmin e të sjellim në mëndje thënien e Baba Rexhebit se … Njerëzit e mëdhenj sjelljet e dukëshme i kanë gjithë moral, kurse të padukëshmet e tyre janë shëmbull moraliteti! E lexon këtë pohim dhe nuk ka asgjë të paqartë, përkundrazi. E rilexon me ngadalë dhe sheh se pjesa e parë e pohimit ka shumë forcë shprehëse, por kur kalon te pjesa e dytë e pohimit, atje të hapet një fushë sa e gjërë dhe e pafund analize, duke filluar nga vetja jote. Atëbotë kupton se pohimet qofshin të Padre Pios, apo të Nënë Terezës, po u zbatuan, e fusin njeriun në një qerthull brenda të cilit kush hyn me bindje e ndërgjegje të plotë, padyshim me kalimin e kohës do të bëhet i afërt me Zotin! E për kë bëhet i afërt me Zotin, Baba Rexhebi thosh se: Zoti i drejton. Ata bëhen si ajo pena e cila vërtetë shkruan, por drejtohet nga dora dhe mëndja e Shkruesit!
Me hapjen e Shqipërisë filluan të vijnë dëndur e më dëndur në teqé të ardhur rishtas e ndërmjet tyre kishte domosdo edhe ish komunistë. Një ditë vjen dhe bile i puth dorën Baba Rexhebit, një person i cili kishte patur një post drejtues në një dikaster qëndror dhe i shquar kishte qënë si i ashpër në zhvillimin e luftës së klasave në sektorin që drejtonte në Shqipëri, Mbasi largohet ai një nga besimtarët dhe miqtë e vjetër të Baba Rexhebit, i arratisur bashkë me të nga Shqipëria që më 1944, i thotë Babait: … i fortë je o Baba. Këta të na fusin në dorë ty edhe mua, na rjepin të gjallë e zotrote kupton se dhke ardhur në teqe, duke u treguar të përunjur e duke të puthur dorëh ty, kanë bërë kthesë e janë penduar për ç’kanë bërë? Babai e shikoi me buzëqeshjen e Tij të ëmbël dhe qetë qetë iu përgjigj: … të dy kemi të drejtë , si ti edhe unë. Por filozofija ime është të mëshiroj, të fal dhe mundësisht t’i kthej në udhën e drejtë të Zotit. Edhe kije mirë parasysh, se ti më njeh sot e pesëdhjet e ca vjet të shkuara, gjatë të cilave parimi im bektashjan ka qenë gjithmonë që të papjekurin të mundohem t’a pjek dhe të pjekurin t’a ruaj mos të bëhet i papjekur. Prandaj unë veproj ashtu siç më takon mua e pastaj u le kohë, i ndjek në rrugën e tyre dhe lutem për ta. Koha pastaj është gjykatorja nëse ata janë penduar e kanë bërë kthesë apo jo. Kjo edhe arsyeja që teqén unë e kam të hapur për të gjithë.Pasi bëri pushim , Babai vazhdoi: … në qoftë se ne nuk do të vepronim në këtë mënyrë, si do të mendonin komunistët? Edhe këta njësoj qenkan, si ne. Siç u sollëm ne me ta , kështu po sillen edhe këta me ne. Kurse ne duhet t’ua vemë trurin e tyre në punë, të na i krahasojnë sjelljet tona me ato që u impononte Enver Hoxha atyre, dhe t’i nxjerrin vetë përfundimet! Kur ata t’a kuptojnë vetë, pa shtysën tonë, se sa të gabuar kanë qenë dhe sa keq kanë vepruar, atëherë misioni ynë ndaj Zotit ka dhënë frytet e tij sepse kemi kthyer me besim të plotë dhe të lirë, një ndërgjegje të humbur në rrugën e Perëndisë!
Tek i shkruaja këto radhë mundohesha të njësohesha me ju, lexues të dashur, duke menduar se si dora dorës ju, duke përparuar me leximin , fillimisht bashkoheshit me mikun e Babait sepse domosdo ju neveriste qëndrimi dallkauk i ish kuadrit të partisë koministe, apo jo? E theksoj me bindje këtë fakt sepse mundësitë janë tri e hiç më shumë: po të jeni të paanshëm sjellja e tij ju neverit, sepse është qëndrimi i një njeriu pa personalitet. Nga ana tjetër, në qofshi të tillë që dhunën e pushtetit diktatorjal e kini dënuar si të padrejtë dhe kundranjerëzore, si të gjitha dhunat, është e qartë katërcipërisht se si e kini gjykuar sjelljen e tij . Por edhe sikur të vazhdoni edhe sot e të kini bindje komuniste, padyshim që sjellja e tillë e një ish kolegut e shokut të së njëjtës barrikadë, ju bën të ndjeheni keq, apo e kam gabim? Mirëpo në vazhdim, mendoj se si pastaj dy kategoritë e para të lexuesve nuk kanë se si të mos konformohen me vijën e aryetimit e domosdo edhe me pozicionimin e Baba Rexhebit në rrethanat e caktuara. Po ju, zotërinj të kategorisë së tretë, (përjashto ata që u mungon si ndjenja njerëzore, minimumi i logjikës racionale e gjithashtu udhëhiqen vetëm nga shpirti i të kundërshtuarit të çdo gjëje me paragjykim), a nuk bashkoheni edhe ju me mësimin madhor që na jep me këtë rast mistiku i madh Baba Rexhebi? Ndonjeri nga ju mund të mos e pòohojë me zë të lartë, (ndonëse edhe ai e ndjen thellë në ndërgjegjen e tij), por shumica e juaj do t’a pranojnë se ajo rrymë partiake e cila u a kishte mbushur mëndjen se Baba Rexhebi ishte një armik që i kishte të lyera me gjak duart e tija, nuk ishte veçse çpifje e ulët e cila nuk kishte se si ta ckëlfiste sado pak figurën madhore të këtij mistiku me përmasa gjigante! Pra gënjeshtra e thënë dhe e përsëritur që nga viti tashmë i largët 1943, në lidhje me Baba Rexhebin, vazhdon edhe sot e është gënjeshtër. Kjo nuk ka dyshim. Por ajo që ka rëndësi të madhe lidhur me nocionin kohë si nocion filozofik, është e vërteta e cila sa kohë që del në shesh duhet edhe të pohohet nga ai që e ndien, pra nga njeriu i ndershëm! Kemi shëmbuj konkretë? Po. Do t’ua sjell një vërtet sa tipik edhe kuptimplotë: kishin qënë bashkënxënëse, shoqe ideali edhe bashkëluftëtare në mal si partizane, Selfixhe (Ciu) Broja me Nexhmije(Xhuglini) Hoxhën. E dyta edhe sot e kësaj dite mbron me pasion ditët e bukura si edhe të mirat që kish edhe gëzonte populli përgjatë kohës së diktaturës. Kurse Zinja Broja shkruan kujtimet e saja edhe pohon: … po ne?.. Ah ne… Ne që kontribuam për të sjellë këtë kohë, nuk na mbetet veçse një bidon vajguri në dorë , të drejtohemi në qendër të qytetit e, duke kërkuar të falur popullit, t’i vemë shkrepsen vetes. (Faqe 344 Selfixhe Broja “Tallazet e Jetës T; Globus R 1998, Tiranë) Tragjik është ky pohim Është e vërtetë. Por është është pohim me ndershmëri i një së vërtete kur i erdhi koha.
Po pohimi i N. Hoxhës ç’ndjenja do të ngjallte tek Baba Rexhebi? Do t’a nxiste të lutej e të lutej shumë për shpirtin e saj djallëzor, që Zoti t’a mëshironte!
Pavarësisht se u zgjeruam paksa në trajtimin e kësaj pike, por nuk do t’a harrojmë tashti paralelizmin e ndikimeve që kanë mësimet e mistikëve që po sudjojmë. Rreth figurës Padre PIos ishin botuar deri më 1929-ën disa libra mirëdashës, përkundra një morie shkresurinash nga dhe për në Vatikan, me çpifje e keqdashje ndaj Tij. Kurse Padreja, i palëkundur në besimin e Tij në Zotin, vazhdonte e i lutej Zotit për njerëzit. Në këtë kohë Emanuele Brunatto si edhe shoku i tij Francesco Morcaldi përgatitën një libër thjeshtë me dokumenta e facsimile nxjerrë nga bashkëpunimi i tyre me Imzot Bevilacquan përgjatë hetimeve të bëra ndaj klerit të Manfredonias, ku dilnin në dritë gjithë mashtrimet, gënjeshtrat edhe çpifjet me të cilat ishte montuar dokumentacioni i luftës kundër Padre Pios. Ky libër do të nxirrte në dritën e diellit të gjithë kalbësirën që fshihej prapa luftës, që rrethe të caktuar njerëzish të Vatikanit, i bënin Padre Pios. Nga ana tjetër, këta dashurues të Padre Pios e dinin fare mirë edhe kishin pohuar se, po t’a merrte vesh Padre Pio se ç’kishin përgatitur ata, kurrë nuk do t’i lejonte t’a shpërndanin librin. Mirëpo ngjau e pabesueshmja. Papritur e pakujtuar u publikua një libër tjetër mbi Padre Pion me titull: “Padre Pio nga Pietrelcina Mesagjeri i Perëndisë”. Zhurma që u shkaktua në gjithë Italinë, edhe më gjerë, qe e madhe. Kjo qe rrjedhojë se autori i librit ishte Alberto del Fante, njeri shumë i njohur si masson dhe ateist e njëkohësisht si shumë i dëgjuar për shkrimet e tija në gazetën “Italia laica”, ku dëndur e kishte sulmuar Padre Pion duke e përcaktuar si mashtrues dhe të shkathët për t’u hedhur trutë e gomarit njerzve naivë dhe të gatshëm të tëhiqeshin nga hunda dhe të entuziazmoheshin!
Mirëpo më pas kish ngjarë diçka e jashtëzakonëshme në jetën e Del Fantes. Një nip i tij, ndaj të cilit ishte shumë i lidhur ai, Enrico-ja, qe sëmurë aq rëndë sa mjekëti kishin humbur shpresat për të. Atëherë prindët e tij i drejtohen Padre Pios i cili u premton se do t’i lutej Zotit për të, e ata të mos bëheshin merak se Zoti do t’i ndihmonte. Dhe në fakt ngjau e papritura, mrekullia: … shëndeti i djalit ktheu e ai dora dorës u përmirësua deri në shërim të plotë! Falëndeimeve që i bënin Padre Pios familiarët e djalit Ai u përgjigjej: … mos më falënderoni mua, unë vetëm i lutem Zotit. Mrekullitë është Ai që i bën, nuk jam unë!
Në këtë ndërthurje faktesh të jetuara nga bashkëkohasit si edhe të dokumentuara, ndjekim dy linjat paralele të dy mistikëve tonë të mëdhenj.: Baba Rexhebi me qëndrtimin e Tij ndaj ateistëve ish pasqyrë e gjallë e shëmbullit madhor se cili qe drejtimi për t’u ndjekur e cila kishte qënë rruga e gabuar! Po Padre Pio si ndikoi mbi Alberto Del Fanten? Besoj se asnjeri nuk kërkon shpjegim, faktet flasin vetë.
E për t’a kopsitur plotësisht krahasimin e dy mistikëve, vazhdojmë me ngjarjen e mëposhtëme:
E pyes një ditë Baba Rexhebin dhe i them se më kish rastisur të flisja me shumë njerëz dhe kush thonte se mbas kaq dhe aq vitesh martese , pa patur fëmijë, të ishin lutur ty Baba Rexheb, e mbasi ti ishe lutur për ta, nuk kish vonuar shumë dhe Zoti u kish falur një fëmijë. Pa le që Asllani me gjithë të shoqen Shazon, kur u ngjau fatkeqësia dhe djali i tyre 17 vjeçar, (i vogli i fëmijëve), u vra në një incident automobilistik e ata u bënë si të çmëndur, Zotrote i kishe ngushëlluar duke u thënë të mos e tepronin me të qara dhe ulërima se ishte rebelim ndaj vullnetit të Zotit dhe kishe shtuar, siç e pohojnë ata vetë : … mosni kështu se bëni gjynah. Do t’a shihni se mbas një viti Zoti do t’ua zëvëndësojë humbjen me një djalë, Hysenin. (Dhe vërtetë, në krye të vitit, u fali Zoti një djalë emrin e të cilit nuk kishin përse t’a zgjidhnin, e kish përzgjedhur vetë Baba Rexhebi! Gjithashtu vazhdova duke i thënë Babait se si kish plot njerëz që pohonin se kishin qenë të sëmurë. Me mjekë nuk gjenin derman. Ishte lutur ai për ta dhe ishin shëruar E nga këta dy fakte të dëshmuara kisha dëgjuar me dhjetra. Si qëndron puna, e pyeta Babanë, kishte vërtetë fuqi të jashtëzakonëshme Ai? Babai buzëqeshi dhe më thotë: … jo more bir, edhe unë si secili nga ju, i lutem Zotit. E vetmja diferencë është se unë praktikisht i lutem të gjithë ditën, sa kohë që nuk merrem me ndonjë punë. Pastaj është në dorën e Zotit në se ma dëgjon lutjen apo jo. Në këta raste Zoti ma ka dëgjuar lutjen e ka bërë për ta. Pra karrojini ato të ashtuquajtura mrekulli të miat, unë vetëm i lutem Zotit si edhe ju dhe nuk kam asnjë fuqi tjetër. Mrekullitë është vetëm Zoti që i bën!
Thelbi i mistikës të Baba Rexhebit ishte: të luftohet e të mpshtet egoizmi.Në çdo mësim të tijin, në çdo këshillë që jepte, të gjithë shëmbujt që sillte, tek i zbërthente me aq bukuri shprehjeje e krahasimesh, si edhe forcë bindëse, të çonin tek i njëjti përfundim: narçizizmi ( të dashuruarit me vetveten) është baza e të gjitha të këqijave të kësaj bote. Egoizmi. Kjo dukuri e theksuar e narçizistëve, ka mbrujtur e u ka dhënë shtat përgjatë shekujve tiranëve si dhe diktatorëve, e varg e vistër pastaj pas tyre të gjithë atyre fatkëqinjve që nuk dijnë të duan njeri tjetër veç vetes tyre , pa le pastaj të sakrifikojnë për tjetrin!
Tek theksonte Baba Rexhebi se …po nuk e zhduku egoizmin, njeriu nuk e sheh dot Zotin e Madh, krijuesin si edhe Mëshirëplotin e Gjithësisë … e kish shmë për zemër të sillte një shëmbull me të cilin tregonte se për t’a shëmbur murin që njerëzit kanë para syve të tyre dhe që është egoizmi, duhet të njësohen me Zotin, t’i besojnë dhe t’a dashurojnë Atë pa kushte, me besim të plotë e pa diskutim. Me këtë shëmbull e mbyll edhe paragrafin e fundit të veprës së saj për Baba Rexhebin, profesoresha Frances Trics. Ajo ka pohuar: … Njëzet vite të shkuara veprën e Baba Rexhebit e lexoja si një libër studimi, tani i lexoj frazat, ndonëse nën udhëheqjen e Baba Rexhebit i kuptoj, por prap i rikthehem leximit se … diçka më shket nga ajo filozofi e hollë e Tij. p. sh. kur Babai më shpjegon teorinë e Gazaliut të famshëm, të paarritëshme, mbi “marifetin” (njohurinë), ai si pa e kuptuar të jep një mësim të thellë filozofik mbi tri shkallët e besimit që janë “besimi i njerëzve të prirë për të besuar” e që besojnë edhe vetëm duke u fslur, besimi i atyre që vijnë në përfundimin e të parëve por ama pasi t’u rezultojë nga “deduktimi i tyre”; si edhe së fundi “besimi i arifëve ( të shquarve) që , në rrugën e Zotit, e shohin me sy vetë Zotin! Këta janë të paisur nga ana e Zotit me “Ilmi Ledun” (Shkenca Hyjnore”.
Tashti vijmë edhe tek shëmbulli që sillte Baba Rexhebi lidhut me njësimin me Zotin duke besuar pa kushte në udhëheqësin shpirtëror, i cili tregim profesoreshësTrix i kishte lënë gjurmë të thella. Babai tregonte ngjarjen në mes mistikut të famshëm Jelaledin Rumiut dhe nxënësit të tij shpirtëror, Shemsedin Tanrizit:
Një ditë nxënësi vete t’a takojë mësuesin, por ai sapo kishte dalë nga shtëoia. Ngado që shkonte nxënësi e shihte mësuesin e tij dhe sapo i afrohej, mësuesi zhdukej në rrugicat me kthesa. Më në fund nxënësi e sheh mjeshtrin që hyn në një shtëpi dhe e ndjek. E kërkon brënda shtëpisë po nuk e sheh; atëherë i ngjit shkallët e prap nuk e sheh. Së fundi i ngelet të dalë në çatinë e sheshtë të ndërtesës e me që edhe prej andej murshidi i tij ishte zhdukur, hidhet nga çatia, por nuk bije në tokë të vritet sepse … e pret mësuesi në krahët e tij!
Edhe profesoresha pikërisht këtë ndodhi e vendos si epilog të veprës së saj për Baba Rexhebin, duke bërë analogjinë me veten e saj: sa herë që ajo nuk e ndiqte dot Babanë nëpër labirinthet e filozofisë mistike islame, Ai gjithmonë ndodhej pranë saj!
Duke krahasuar ndarjen që u bën filozofia humaniste njerëzve, nisur nga prirja e tyre të besojnë apo jo, e krahasuar kjo me kategorizimin që u bën filozofia mistike, ku ndryshimet fillestare ndërmjet pohimeve çojnë pastaj në ndryshime thelbësore interpretimi itë mëvonëshme, Baba Rexhebi vinte në dukje se si edhe në fushën artistike ky ndryshim dukej qartë. Ai merrte e krahasonte vargje të shkruar me pasion nga një poet lirik e për më tepër domosdo edhe besimtar, duke i ballafaquar në vargje shkruar nga një poet mistik, por për të njëjtën temë. E Babai thoshte: … shikoni se ç’ndryshim themelor ka në kuptimin e rrethanës. Nga rrjedh kjo? Poeti mistik e ka jetuar rrethanën e caktuar nëpërmjet frymëzimit që i vjen nga udhërrëfyesi i tij shpirtëror. Kurse liriku ç’bën? Ai përshkruan një rrethanë të imagjinuar, pra bën sofizëm!
Mbas shkëmbimit të gjithë këtij informacioni me lexuesin, duke qëmtuar fakte dhe pikëpamje të Baba Rexhebit, këtij kollosi të filozofisë mistike bektashjane, të analizuara këto edhe sipas optikës së dy personazheve madhore të mistikës si edhe besimit kristian, Nënë Terezës dhe Padre Pios, e quaj me vënd të bëjmë edhe sintezën e tyre.
Me sjelljen e tyre tokësore të nëpòërkëmbjes së vetëvetes, dashurisë pa rezerva për tjetrin si edhe përkushtimin total ndaj Krijuesit të Gjithësisë, ata për së gjalli lartësoheshin dita me ditë përgjatë tri shtyllave kolosale ngritur nga tre skaje të globit, (Detroit, Kalkutë e Pietrelcina), me drejtim bashkëqëndërsie, drejtë pafundësisë qiellore, prej nga i kishin kapërxyer kufijt e egoizmit. Që atje lart ata, të bashkuar si momoteistë që ishin, e sodisnin Zotin na jepnin shëmbuòllin e tyre personal edhe luteshin për ne.
Edhe sot, që nga amshimi, ata na ftojnë përgjatë shtegut të përshkuar prej tyre e që është shëmbull virtyti, moraliteti, dashurie njerëzore edhe shkrirje me Zotin … e vazhdojnë të luten për ne!