Nëse Durim Bami do të pendohet, në Shqipëri do të ndodhë “një revolucion” përsa i përket botës së krimit dhe zbardhjes së vrasjeve të bujshme në Shqipëri.
Kështu u shpreh sot gazetari Ferdinand Dervishi në emisionin “Kjo javë” të “News 24”.
Durim Bami, një personazh i njohur i botës së krimit shqiptar, është ekstraduar nga Dubai në Shqipëri, duke rikthyer vëmendjen mbi aktivitetet e bandave të Fushë-Krujës dhe rrjetet e tyre kriminale.
Sipas gazetarit, ai ka qenë një figurë kyçe në historinë e krimit shqiptar, duke u përfshirë që nga moshë e re në sulme me tritol ndaj shtyllave të tensionit të lartë, si pjesë e një dinamike që sipas tij lidhej me ndikimet politike të kohës. Më pas, ai u bë pjesë e grupeve të bandave që përdornin vrasës me pagesë dhe intimidime të ndryshme.
“Emër i madh në krimin shqiptar, përfaqësues i njohur i grupit të Fushë Krujës që ishin në shërbim të bandave të njohur si intimidues, vrasës me pagesë. Durimi është më i vjetri, sepse që në moshë të vogël akuzohej për tritol ndaj shtyllave të tensioni të lartë. Ishte kryeministër Meta dhe ishte trend që shtyllat e tensionit shpërtheheshin që t’i uleshin pikë Nanos. Më pas del pjesë në bandën që kishte vrasës me pagesë. Në psikologjinë e një personi të tillë, nuk janë të prirur të bashkëpunojnë. Nuk duan të hapin më tej telashe për veten, janë shumë të kujdesshëm. Nuk besoj se do të bashkëpunojë. Nëse do të kthehej do të ndodhte një revolucion i paparë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, do të zbardheshin një seri vrasjesh, mes të cilëve Ervis Martinajt, ka një implikim shumë masiv, Artan Santos, atentati ndaj Tom Doshit, zhdukja e Enver Stafukës etj. Zhdukja e Vis Martinaj tund themelet”, tha ai.
Por ai mendon se sipas informacioneve, grupe kriminale janë bashkuar për të futur në kurth dhe zhdukur Ervis Martinajn, kurse hetimet janë sabotuar që në krye, pasi u caktua që ngjarja të hetohet nga Prokuroria e Laçit, dhe jo nga SPAK.
Gazetari akuzon se përtej policisë dhe prokurorisë, drejtimin e ngjarjeve e përcakton politika dhe oligarkët, duke penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe implikimet e mundshme që lidhen me strukturat e krimit të organizuar.
“Ditën e ngjarjes Martinaj nuk ka qenë vetëm, por me tre makina të shoqëruara nga njerëz të armatosur, ndërsa kundërshtarët duket se kishin përgatitur skenarë të ndryshëm. Sipas tij, disa nga personat e përfshirë ishin të veshur si policë, por nuk ishin të tillë, gjë që tregon përgatitjen e mirë të sulmuesve dhe planifikimin e ngjarjes. Janë bashkuar grupe kriminale aty. Është sabotuar që në krye të herës hetimi, ka disa vonesa të çuditshme. Nuk iu la SPAK por prokurorisë së Laçit. Pse u vonuan hetimet? Pse iu la prokurorisë së Laçit? Sepse bëhet fjalë për një element të krimit të organizuar dhe një viktimë të krimit të organizuar”, u shpreh ai.
Dhe më tej shpjegoi se:
“Është si në rastin e Jani Prengës, zhdukja. Pse një hetohet nga SPAK dhe tjetri Jo. Pse Laçi kur ngjarja ka ndodhur në Durrës? Këto janë probleme të mëdha që implikojnë në procesin e hetimit. Implikojnë sistemin e drejtësisë që nuk është ai që do ta bëjë këtë punë. Kush qëndron mbi policinë dhe drejtësinë? Politika dhe oligarkët. Këto për mua e vonojnë dhe sabotojnë këtë ngjarje. Nëse ngjarja do të zbardhej, do zbardhej implikimi i politikës, piramidën e krimit të organizuar të krimit në Shqipëri dhe okligarkët që u bënë bashkë për ta eliminuar Martinajt”.
Kurse për ditën e zhdukjes së Martinajt ai rrëfeu dinamikën dhe të dyshuarit e përfshirë.
“Atë ditë Martinaj nuk ka shkuar vetëm. Ka shkuar me 3 makina me njerëz të armatosur, por kundërshtarët ishin përgatitur për disa skenarë. Kishte kohë që plani bëhej. Njerëzit që shoqëronin Martinajn, pasi ai ka hyrë në vilë, kanë parë përballë shumë njerëz të veshur policë që nuk ishin të tillë. Ky ishte fati i tij që u gatua. Ka pa fund dëshmitarë por ka shumë njerëz që nuk i intereson zbardhja”, tha ai”, tha Dervishi.