Qeveria e Giorgia Meloni po përballet me një “tërmet” të brendshëm politik, pasi qytetarët vendosën përmes referendumit kundër propozimit të Ekzekutivit për reformimin e Drejtësisë.
Në pak orë, nënsekretari i Drejtësisë, Andrea Delmastro, dhe shefi i kabinetit të ministrisë, Giusi Bartolozzi, dhanë dorëheqjen e papritur.
Të dy ata sipas mediave italiane, u takuan pasdite me ministrin e Drejtësisë, Carlo Nordio, në selinë e ministrisë në via Arenula.
Në një deklaratë, Delmastro tha se dorëheqja e tij është e pakthyeshme dhe se merr përgjegjësi për një pakujdesi të kryer, edhe pse nuk ka bërë asgjë të gabuar, duke shtuar se vendimi është në interes të Kombit. Pak më vonë, dorëheqjen e dha edhe shefi i kabinetit, Giusi Bartolozzi.
Dorëheqja e Delmastro-s lidhet edhe me polemikat rreth përfshirjes së tij në një aktivitet biznesi të lidhur me persona të afërt me individë të dënuar për lidhje me Camorran. Nga ana tjetër, Bartolozzi ishte kritikuar për deklarata të forta publike, ku kishte sulmuar sistemin gjyqësor.
Nga Pallati i Chigit njoftohet se kryeministrja Meloni “vlerëson vendimin e Delmastro dhe Bartolozzi për të lënë detyrat dhe i falënderon për punën e kryer me përkushtim”, duke shpresuar që një vendim i ngjashëm të ndiqet edhe nga Ministrja e Turizmit, Daniela Santanchè.
Santanchè është nën presion për hetime që lidhen me aktivitetet e kompanisë së saj dhe menaxhimin e saj gjatë pandemisë.
Burime për “Corriere Della Sera” bëjnë të ditur se po diskutohen mundësitë për largimin e saj, megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Opozita reagoi menjëherë ndaj zhvillimeve. Debora Serracchiani nga Partia Demokratike i cilësoi dorëheqjet si të vonuara dhe të diktuara nga rezultati i referendumit, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe respekti ndaj institucioneve. Panorama