Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka protestuar përsëri ditën e sotme (1 mars) para kryeministrisë, kundër qeverisë dhe skandaleve në aferat korruptive që po heton SPAK-u.
Qindra qytetarë dhe mbështetës, me parulla, thirrje e fjalime apeluan për bashkim kundër regjimit të korruptuar, për largimin e qeverisë dhe qëndrimin në krah të drejtësisë.
Mes folësve ishte edhe kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, i cili vuri në dukje abuzimet që i cilësoi si “makutëri” dhe theksoi se kjo mazhorancë ka qenë fantastike dhe e jashtëzakonshme vetëm në “vjedhje dhe korrupsion”.
“Kush janë punët fantastike të Belinda Ballukut? Mos është tuneli i Llogarasë që ka kushtuar 190 milionë euro, kur në Kroaci janë me 80 mln euro. Rrugët që rrëzohen si copa keku para syve tanë apo qindra miliona euro që i rëndojnë xhepave të një populli të vuajtur dhe të varfër. Cilat janë punët e jashtëzakonshme të saj, apo mesazhet se si ndaheshin tenderat dhe se si i jepeshin oligarkëve. Çfarë pune ka bërë zonja në fjalë të jashtëzakonshme, apo 1 mln shqiptarët që janë larguar nga vendi. Jo, nuk ke bërë punë fantastike, nuk keni bërë punë fantastike, keni qenë fantastikë vetëm në diçka, në korrupsion!”, tha Lapaj mes të tjerash.
Më tej ai nënvizoi se Lëvizja Shqipëria Bëhet po vijon të bëjë qëndresë dhe të përballet me qeverinë e korruptuar, teksa shtoi se qëllimi kryesor në këto momente është dalja në krah të drejtësisë të gjithë së bashku, pasi qeveria po e sulmon.
“Ne po qëndrojmë, po përballemi dhe nuk po ndalemi, edhe pse këta me makutërinë e tyre kanë bërë gjithçka që ne të ikim nga ky shesh. Sepse mes padrejtësisë dhe korrupsionit të tyre dhe drejtësisë dhe popullit nga ana tjetër, ne na duhet me gjithë shpirt të gjithë të rreshtohemi në krah të drejtësisë. Ne kemi vendosur të qëndrojmë dhe të flasim të vërtetat. Kundër një sistemi që vetëm vjedh e vetëm vjedh, vjedh shëndet, para, prona dhe gjithçka”, tha ai.
Lapaj u shpreh se kanë zgjedhur të protestojnë paqësisht, pa dëmtuar asgjë, pa shkulur një lule, edhe pse në krahun tjetër ka pasur harbutëri dhe dhunë. Ndaj, theksoi ai, duhet edhe molotovi, edhe fishekzjarri, sepse pala tjetër ka përdorur gaz helmues.
“Ne kemi qëndruar këtu, përballë, pa shkatërruar, pa shkulur një lule, pa ushtruar dhunë. Por nuk e sjellim dot ndryshimin me paqe, por duhet edhe me molotov, duhet edhe me fishekzjarrë, sepse ata hedhin gaz, ata hedhin topa uji dhe dhunojnë. Si mund të gjendet ndryshe e drejta. Duhet t’i vihemi kundër, të kërkojmë ligjin elektoral, sepse ata vjedhin zgjedhjeve, të kërkojmë referendumet me ligj”, theksoi Lapaj.
Ai tha se një ditë kjo qeveri do të largohet, do të bjerë dhe qytetarët e protestuesit do jenë krenarë dhe me kokën lartë që penguan ata që i vjedhin, teksa apeloi se qëllimi kryesor duhet të jetë bashkimi përballë qeverisë së korruptuar.gsh