Një studim i ri sugjeron se miopia mund të lidhet më shumë me mënyrën si i përdorim sytë në ambiente të mbyllura sesa thjesht me kohën para ekranit.
Prej vitesh, rritja e rasteve të miopisë i është atribuar përdorimit të tepërt të pajisjeve elektronike, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë. Por studiues nga State University of New York College of Optometry sugjerojnë se problemi mund të jetë më kompleks.

Sipas profesor Jose-Manuel Alonsos, miopia ka arritur nivele pothuajse epidemike në mbarë botën, duke prekur rreth gjysmën e të rinjve në Europë dhe SHBA, dhe deri në 90% në disa pjesë të Azisë Lindore. Edhe pse gjenetika luan rol, rritja e shpejtë brenda pak brezash tregon se faktorët mjedisorë janë vendimtarë.
Studimi propozon se miopia mund të zhvillohet kur sytë fokusohen për një kohë të gjatë në objekte të afërta, sidomos në ambiente me dritë të dobët. Në këto kushte, bebja e syrit ngushtohet për të parë figurën, duke ulur sasinë e dritës që arrin në retinë. Nëse ndriçimi është i pamjaftueshëm dhe fokusi i afërt zgjat shumë, aktiviteti i retinës dobësohet, duke favorizuar zhvillimin e miopisë.

Autorja kryesore, Urusha Maharjan, shpjegon se në dritë të fortë natyrale, bebja e syrit rregullohet nga ndriçimi dhe lejon mjaftueshëm dritë për retinën. Ndërsa brenda, kur shohim telefona apo libra në dritë të zbehtë, kombinimi i fokusit të afërt dhe ndriçimit të ulët mund të reduktojë ndjeshëm ndriçimin e retinës.
Studimi, i publikuar në revistën Cell Reports, sugjeron se ekspozimi ndaj dritës së fortë natyrale dhe kufizimi i fokusit të zgjatur nga afër mund të ndihmojnë në kontrollin e miopisë.

Megjithëse nevojiten kërkime të tjera, studiuesit besojnë se kjo hipotezë ofron një mënyrë të re për të kuptuar dhe parandaluar përparimin e miopisë. /Talker News – Syri.net