Krimi i organizuar shqiptar ka arritur një nivel të ri ndërkombëtar, duke e tejkaluar etiketimin “narko-shtet” për të kaluar në një fazë të re të operacioneve globale. Rrjetet e fuqishme të trafikut, të cilat konsiderohen si pikë kyçe në transportin e narkotikëve nga Amerika Latine në Evropë, kanë shtrirë tentakulat e tyre duke krijuar korridore të reja dhe më të sofistikuara.
E ftuar ditën e sotme në ‘Kafe Shqeto’ gazetarja Aida Topalli tha se në qendër të kësaj skeme të re qëndrojnë vendet e Afrikës Perëndimore, të cilat janë shndërruar në pika strategjike kyçe.
Porti i Dakarit në Senegal është kthyer në një nyje qendrore për transportin e kokainës, duke anashkaluar rrugët tradicionale dhe të drejtpërdrejta që ishin nën vëzhgim të shtuar nga agjencitë ligjzbatuese.
Topalli u shpreh se kjo rrugë alternative u identifikua nga autoritetet franceze pas dekriptimit të bisedave në platformat Sky ECC dhe EncroChat, që prej vitit 2020.
Sipas Gazetares, analiza e rreth 1 miliard mesazheve të shkëmbyera mes anëtarëve të grupeve kriminale ndërkombëtare, përfshirë shqiptarë, ballkanas dhe amerikano-latinë, zbuloi diskutimet për këto korridore të reja, ku zhvendosja drejt Afrikës erdhi si një nevojë strategjike për grupet kriminale.
Shtrirja e influencës së tyre shkon përtej logjistikës së trafikut.
Të dhënat, sipas Topallit tregojnë se shqiptarët në Senegal monitorojnë vazhdimisht aktivitetet politike, gjyqësore, madje edhe patrullimet e policisë lokale, duke dëshmuar një nivel të lartë kontrolli në një vend të huaj.
Ky nivel kontrolli në një shtet mijëra kilometra larg ngre një pyetje alarmante: Nëse grupet kriminale shqiptare arrijnë të kenë një ndikim kaq të madh në Senegal, cili është niveli i vërtetë i kontrollit që ato ushtrojnë brenda territorit të Shqipërisë?
Deklarata e plotë:
“Këtu nuk po flasim thjesht për narko-shtet, po flasim për një tjetër nivel tashmë të njohur botërisht në fakt të mafias shqiptare, që në pothuajse të gjitha takimet ndërkombëtare, qoftë edhe të autoriteteve ligjzbatuese të huaja e kanë konsideruar mafian shqiptare si pikën kyçe të trafikut të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës.
Por, sa i takon pjesës që vendet e Afrikës Perëndimore janë kthyer në pika kyçe gjithashtu, apo pika strategjike për transportin tashmë të lëndëve narkotike, jo më nga ajo rruga tradicionale që ne ishim mësuar, ajo rruga e drejtpërdrejtë nga vendet e Afrikës Latine drejt Europës, por tashmë duke përdorur rrugë të reja, nuk është një gjë krejt e re le të themi për autoritetet.
Kjo është diçka që nis që në vitin 2020, atëherë ku datonin edhe le të themi, mesazhet e para të dekriptuara, Sky ECC dhe EncroChat, dhe pikërisht nga kjo ka dalë edhe kjo rrugë e re e zbuluar nga autoritetet franceze.
Pra, nga 1 miliard mesazhe të shkëmbyera nga anëtarë të botës së krimit, të trafikut të lëndëve narkotike të nivelit ndërkombëtar, duke përfshirë këtu shqiptarë, ballkanas, por edhe vendas të Amerikës Latine apo edhe vendas të Singaporit, kishin biseduar për rrugë të reja që lidheshin dhe flisnin pikërisht për portin e Dakartit në Senegal.
Dhe pse ka ndodhur kjo? Nga hetimet e vazhdueshme të autoriteteve ligjzbatuese të huaja, qofshin ato amerikane apo qoftë atyre europiane, ishin bërë të mundura që të zbulohen le të themi dhe të dilnin zbuluar të gjitha rrugët e vjetra që krimi i organizuar përdorte për trafikun e lëndëve narkotike dhe bota e krimit absolutisht nuk heq dorë.
Kjo është e pamundur. Pra, mund të parandalohet, mund të stopohet një moment, por jo që të ndalohen dhe të asgjësohen, të mos kemi më trafik të lëndëve narkotike, por ata tentojnë gjithmonë e më shumë krijimin e rrugëve të reja.
Unë përpara disa kohësh kam folur sa i takon mënyrës se si grupet shqiptare trafikonin lëndën narkotike të llojit kanabis nga ngushtica e Gjibraltarit, nga Maroku, nga nga Senegali dhe përdornin pikërisht këto porte për ta dërguar pastaj në Europë. E njëjta gjë ndodhka edhe me me kokainën:. syri.net