Situata në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë mbetet kritike, me rrugën të bllokuar plotësisht dhe me rrezikun e një shembjeje totale nga momenti në moment. Në një raportim nga vendi i ngjarjes, gazetarja e Syri TV, theksoi se rrëshqitja masive e dheut ka izoluar tërësisht zonën, duke e bërë të pamundur kalimin jo vetëm për mjetet e transportit të rëndë dhe ato private, por edhe për autoambulancat dhe zjarrfikëset.
Kjo situatë ka krijuar një kaos të vërtetë për banorët, shumë prej të cilëve janë detyruar të kalojnë zonën e rrezikshme në këmbë. Dëshmitë nga terreni tregojnë për skena dramatike, ku familjarë, përfshirë fëmijë nën dy vjeç dhe të moshuar, kanë ecur rreth 2 kilometra në të ftohtë për të kaluar në anën tjetër, ku i presin të afërmit me makina.
“Së fundmi, gjatë orëve të mbrëmjes, është bllokuar dhe për zjarrfikëset dhe për autoambulancat. Në fakt, është një aks i bllokuar që izolon të gjithë zonën, le të themi, duke ndikuar kështu më tepër në Prrenjas, në Korçë, por rruga alternative është dhënë që të gjithë automjetet duhet të marrin rrugën e Maliqit, Lozhan deri në Gramsh, gjë e cila e vështirëson dhe më tej kalimin e atyre që mund të kenë dhe urgjenca. Duke qenë se, dua të theksoj këtu se Prrenjasi, qyteti i Prrenjasit vuan mungesën e një pediatri dhe mënyra e vetme që ata mund të ndjekin fëmijët e tyre, le të themi në rast urgjence mund të jetë në Librazhd, por më tej duhet të shkojnë deri në Pogradec, nëse do të kenë urgjenca shëndetësore.
Ndërkohë që për mjetet e tonazhit të rëndë është dhënë orientimi që duhet të marrin le të themi aksin Qafë Thanë – Maqedoni, pikën doganore të Bllatës dhe në rrugën e Arbrit. Pra, një rrugë e cila do të duhet të shkonte deri në gjashtë orë, tani mund të shkojë deri në 12 orë për të gjitha automjetet e tonazhit të rëndë.
Vetë banorët na kanë thënë në intervista se jeta e tyre këto ditë të fundmit është vështirësuar ndjeshëm, duke qenë se ka fëmijë të vegjël, ka mosha të treta të cilat do të duhet të kalojnë nga fshatrat në Librazhd, ose kanë shkuar për vizitë gjatë fundjavës tek familjet e tyre në zonat malore të Librazhdit, ndërkohë që gjatë ditës së sotme janë detyruar që të presin në makinë, në anën tjetër të rrugës dhe nga ana që ka nisur bllokimi. Familjarët duhet të kalojnë në këmbë, siç na kanë thënë dhe vetë banorët, ka pasur fëmijë nën moshën dy vjeç, të cilët me prindërit e tyre janë detyruar që dhe në këto kushte të ftohta të motit të kalojnë në këmbë në një rrugë me gjatësi prej 2 kilometrash, aty ku është vendosur dhe perimetri i sigurisë, i cili gjatë ditës së djeshme është zgjeruar për shkak të rrezikut të shumtë që ndodhet në zonë, duke qenë se nga momenti në moment pritet dhe shembja e rrugës, për shkak se lëvizja dhe rrëshqitja ka qenë masive”, ka raportuar gazetarja e Syri TV nga vendngjarja.