Por avokati mohon çdo përfshirje
Emri i supermodeles britanike Naomi Campbell shfaqet në një sërë dokumentesh të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në lidhje me hetimet ndaj financierit të ndjerë Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale dhe trafikim të të miturve.
Sipas dokumenteve, përfshirë shkëmbime email-esh dhe të dhëna udhëtimi, Campbell ka udhëtuar me avionin privat të Epstein dhe ka marrë pjesë në disa aktivitete shoqërore ku ai ishte i pranishëm. Në dëshmi të bëra publike më herët, një viktimë anonime ka deklaruar se Epstein i kishte premtuar mundësi pune në industrinë e modës, përfshirë te Victoria’s Secret, duke pretenduar se njihte Campbell.
Disa dëshmitarë të tjerë kanë pohuar se e kanë takuar supermodelen në rezidencën e Epstein dhe në ishullin e tij privat. Sipas tyre, emri dhe reputacioni i Campbell përdoreshin nga Epstein për të krijuar besim te vajzat e reja që aspironin karrierë në modelim.
Megjithatë, avokati i Campbell, Martin Singer, ka deklaruar se klientja e tij nuk kishte asnjë dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein dhe nuk ka pasur kontakte me të pas arrestimit të tij në vitin 2019. Ai theksoi se Campbell nuk ka qenë e përfshirë në asnjë veprim të paligjshëm dhe se, nëse do të kishte pasur dijeni për abuzime, do të kishte ndërhyrë.
Në dokumentet e publikuara përmendet edhe një listë emrash personash që supozohej t’i dërgonin letra Epstein-it gjatë kohës që ai ndodhej në burg, ku përfshihej edhe emri i Campbell. Sipas avokatit, ajo nuk ka pasur dijeni për ekzistencën apo përmbajtjen e kësaj liste.
Një tjetër element i përmendur në dokumente lidhet me evente sociale, përfshirë festime të ditëlindjeve të Campbell në Kanë dhe Paris, ku Epstein ka qenë i ftuar ose i pranishëm si pjesëmarrës. Gjithashtu, në një shkëmbim email-esh të vitit 2016, një bashkëpunëtor i Epstein kishte pyetur për mundësinë e përdorimit të avionit të tij nga Campbell.
Pavarësisht përfshirjes së emrit të saj në dokumente që lidhen me figura të njohura të politikës dhe biznesit, deri më tani Naomi Campbell nuk është akuzuar për ndonjë shkelje ligjore në kuadër të çështjes Epstein.