KASTRIOT KOTONI
Një nga historitë më të veçanta e incizuar nga e bija e Hamit Perrollit, zonja Shyrete, me banim në Amerikë, ikur qysh në moshën 4-vjeçare, si e arratisur nga Shqipëria, është botuar në librin “Rrëfimi i Hamit Perollit”. Siç e thotë vetë zonja, ishte një zë i brendshëm që më bëri të incizoja tim atë. Qe një zë që më ushtonte në vesh vazhdimisht.
Babai i saj, Hamiti, ishte një njeri tepër i respektuar, i cili fliste me maturi dhe dinte të shfaqte mendime që zinin vend si duhet. Hamiti ishte i orientuar gjithmonë për çështjen kombëtare shqiptare, për të cilën vuajti dhe vdiq me dëshirën për ta parë Shqipërinë dhe Kosovën e bashkuar. Hamiti e kishte pasur detyrim për t’u rrëfyer për ato që kishte parë me sytë e tij dhe i kishte përjetuar që t’ia përcillte historisë. Hamit Perolli ishte njeri i lexuar, kishte idhull Gjergj Fishtën dhe “Lahutën e Malcisë”, e konsideronte si një vepër udhërrëfyese për atdhedashurinë. Në bashkëbisedimin me redaktorin e librit zotin Petrit Palushin, e bija e Hamitit, përgjigjet pse është përmendur shumë familja Kryeziu nga Hamit Perolli.
Babai ishte pjesë e historisë, pasi kishte marrë pjesë aktive në Luftën e Dytë Botërore gjatë pushtimit fashist italian dhe me vonë atë gjermanë. Ai kishte qenë një nga anëtarët më aktivë në krijimin e çetës së Gani Kryeziut, ose siç quhej Çeta e Kryezinjve, pasi në të bënin pjesë të gjithë vëllezërit Kryeziu dhe kishin të njëjtin ideal: çlirimin e vendit dhe bashkimin kombëtar. Hamiti thoshte se komunizmi do të binte dikur. “Molla e kalbtë s’rri pa ra prej peme. Kështu edhe komunizmi është i kalbtë”. Ai shpresonte të kthehej në Shqipëri, edhe pse nuk kishte pranuar të merrte shtetësinë amerikane, se i dukej shumë e rëndë ta mohonte atë të Shqipërisë. Derisa ishte gjallë ai, thotë Shyretja: “edhe ne fëmijët, nuk e kishim marrë shtetësinë amerikane”.
Hamiti merrej shumë me organizimin e demonstratave që organizoheshin në mbështetje të Kosovës para “Shtëpisë së Bardhë” dhe përpara selisë së OKB-së. Në shtëpinë e tij në Amerikë festohej për çdo vit Festa e Flamurit dhe Hamiti ndihej shumë i gëzuar e shpresëmadh, por mbi të gjitha se në shtëpinë e tyre flitej vetëm shqip në çdo kohë. Zonja Shurete vjen për çdo vit në Perollaj të Hasit në vendlindjen e saj dhe të gjyshërve e stërgjyshërve, për t’u çmallur me livadhet, shkurret, dheun e bekuar të tokës, ku ajo dhe të tjerë fëmijë të Hamitit u lindën.
AMANETI
Amaneti i babait të saj për t’i përcjellë diku kujtimet e tij, për t’ua lënë brezave, është realizuar nëpërmjet një libri, që ajo ka realizuar nga incizimet të cilat, më pas dora e mjeshtrit Petrit Palushi i ka sjellë me mjeshtri në germa e paragrafë origjinalë dhe me shprehje emocionale të larmishme. Hamit Perolli vdiq më 3 janar të vitit 1987 në moshën 74-vjeçare nga një goditje në zemër. Ai u nda nga familja e tij e dashur dhe nga familja e madhe e diasporës shqiptare në New Jork dhe New Jersey, duke u përcjellë për në banesën e fundit si një nacionalist dhe antikomunist i vendosur. Hoxhë Perolli, siç e quanin me të drejtë bashkatdhetarët, u lind më 1913 në Peroll të Hasit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, grupi i tij dhe ai i Mehmet Ali Bajraktarit nga Hasi, në ditët e para të pushtimit italian luftuan kundër okupatorit fashist. Grupi i Perollit u bashkua me “Frontin i përbashkët” që udhëhiqej nga Gani Beg Kryeziu. Në këtë grup Abaz Kupi përfaqësonte krahun e djathtë politik, ndërsa këshilltari politik ishte Llazar Fundo. Në vitin 1943, grupi i udhëhequr nga Gani Kryeziu formoi partinë “Lidhja katundare”, e cila kishte si qëllim kryesor bashkimin e trojeve shqiptare.
Në shtator komunistët e rrethuan grupin dhe arrestuan Said Kryeziun dhe Llazar Fundon. Hamiti pas Luftës së Dytë Botërore, në tetor të vitit 1948, u arratis me familjen në Gjakovë. Përpara se të largohej nga Jugosllavia, ai ndërroi me dhunë disa herë banesa duke qëndruar nëpër kampet e përqendrimit. Qëndroi në Gjakovë, Vojvodinë e Shumadi, Podujevë, Vuçiternë, Kamenicë, në fshatin Sisovac, kur ishte në internim i vdesë djali i tij Skënderi, eshtrat e të cilit prehen atje. Në vitin 1954 shkon në Itali me gjithë familjen dhe më pas në 1956 gjendet në Amerikë. Ai u bë një shërbestar i Zotit duke qenë për 10 vjet imam i Qendrës Islame për Kosovë, Plavë e Guci, për të cilën kontribuoi shumë në themelimin e saj në “Bronx”. Ai ishte një njeri me një inteligjencë të lindur, me një memorie të pashoqe dhe një intelektual që takoi senatorë e kongresmenë amerikanë, për t’ua bërë të ditur atyre gjendjen e vështirë në të cilën jetonin shqiptarët nën regjimin jugosllav. Hamit Perolli iu përgjigj çdo ftese të komunitetit. Ishte bashkë me shqiptarët në festat kombëtare, në martesa, në ceremoni mortore, ai sillej me të tjerët sipas traditave shqiptare, siç shkruajnë gazetat e shqiptarëve në mërgim ditën e ndarjes nga jeta. Në ceremoninë mortore dr. Fuat Myftia ndër të tjera tha: “Me vdekjen e tij, ai nuk varfëroi vetëm familjen e tij dhe krahinën e Hasit, por varfëroi krejt nacionalizmin shqiptar, në botën e lirë dhe në Shqipërinë e lirë”.
RRËFIMI
Një nga temat që ceket në këtë libër në faqen 83 e në vazhdim është edhe ardhja në çetën e Gani Kryeziut të Llazar Fundos një ish-komunisti të internuar në kampet fashiste të Ventotenos në Itali me intelektual antifashistë italianë, siç ishte Presidenti i Italisë Sandro Pertini. Sipas Hamit Perollit, Llazari ishte një intelektual i madh dhe njëkohësisht një politikan i madh në shkallë botërore me 8 gjuhë të huaja, të cilat i shkruante dhe i lexonte, njihte edhe arabishten. Gazetar i njohur, sekretar i Nolit më 1924. Llazar Fundo ishte koleg me Tajar Zavalanin.
Ai kishte mbaruar Liceun francez në Korçë, dhe më pas kishte studiuar në Londër për drejtësi. Kishte studiuar shumë mirë Karl Marksin dhe idetë e tij së bashku me ato të Leninit. Llazari kishte qenë në Bashkim Sovjetik dhe kishte pësuar një zhgënjim të jashtëzakonshëm për sistemin komunist të Stalinit. Nuk kishte qenë asnjëherë i martuar dhe kishte një vëlla tregtar në Korçë. Hamiti ka ndenjur 14 muaj me të në mal. Ai kujtonte: “Kur vëllezërit Kryeziu erdhën në Ventontene të Italisë ku ishin të internuar shumë politikanë, që kishin kundërshtuar fashizmin, në mes tyre avokatë, doktorë mësues të letërsisë, burra shteti dhe ishin njohur me ta. Dritë pastë Llazar Fundo! – ai thoshte – Gjithë jetën kam luftuar kundër bejlerëve, edhe kundra feudalëve e kapitalistëve. Dhe unë kam pasur rastin për t’i njohur të gjithë burrat e shtetit shqiptar, edhe ua di të gjithëve biografitë, por duke e parë se vija politike e Kryezinjve është socialiste, dhe duan të bëjnë një qeverisje demokratike, pranova që të bashkohesha me ta, me bindje të plotë.
Pasi kapitulloi Italia, bëmë pasaporta false dhe erdhëm në Gjakovë si përfaqësues tregtarë”. Llazar Fundo i kishte lënë shëndetin komunizmit qysh më 1925. Kishte qenë në Paris me të gjithë kundërshtarët e Zogut, që nga Ali Këlcyra, Qazim Koculi, Mustafa Kruja etj…. Siç e përshkruan portretin e Llazarit në kujtimet e tij Hamit Perolli, ndër të tjera ai thotë: “Llazari, ky intelektual i madh nuk i kushtonte shumë rëndësi pamjes së jashtme dhe asnjëherë nuk vishte kravatë apo të merrte poza, për të këto gjëra ishin vogëlsira. Kishte mendime të mëdha dhe rrinte tërë kohën mbi libra. Nuk fliste shumë, por fliste me baza. Ishte shumë serioz, shumë popullor. Ia kishte njohur shpirtin popullit dhe socializmit, se si duhet të ishte njeriu”. Ai nuk ishte, si të thuash, një kapedan që të dilte të thoshte ‘Jam Llazar Fundo’.
Gani Kryeziu kur e prezantonte Llazarin si mikun e Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, e Bajram Currit i jepte respektin e duhur, siç e meritonte. Shpesh Llazari thoshte: se ai së bashku me ‘Avni Rustemin e kishin mbjellë komunizmin në Shqipërinë e Jugut’. Po e mbollëm këtë farë të komunizmit se ishte një tokë boshe ‘djerrë e pa mbjellë me ide), pa e ditur se çfarë komunizmi po zhvillohej në Rusi, se ishte shumë larg’. Dhe shembullin për komunizmin dhe idetë e tij, Llazari i shpjegonte me gjalpin e shkrirë në bukën e thekur, që të vinin idetë, në mënyrë sa më të butë siç thoshte Lenini. Stalini thoshte: “S’kam kohë për të pritur dhe i vrau nja 20 milion njerëz”. Llazar Fundo thoshte: “Stalini vriste një brigadë të tërë vetëm për një kapriço të tijën, pa gjyq e pa dëshmitarë. Ky është komunizmi i Stalinit dhe jo i Leninit”. E siç kujton më tej Hamit Perolli shpjegimin e komunizmit nga ana e Llazar Fundos, i cili bën diferencën, ndërmjet komunizmit të Leninit me komunizmin e Stalinit, kur sipas tij Lenini nuk ishte aq gjakatar sa Stalini. Dhe do të përfundojë çështja e komunizmit, kur komunistët do të hapin zjarr kundër njëri tjetrit dhe do t’ju vijë shkatërrimi, shtonte më tej Fundo.
Llazari nuk përcaktonte afat se kur do të binte komunizmi në botë, kujton Hamiti. Një detaj tepër interesant, siç është në një paragraf që na jepet nga kujtimet e Hamitit për Fundon. Kur e shihnin të tjerët nga jashtë, nuk po u besonin syve e sikur thoshin “A ky qenka Llazar Fundo?”. Malësorët tanë kishin qejf që të shihnin një Llazar të njëjtë si ne malësorët e Shqipërisë të Veriut. Gani Kryeziut ia morën komunistët Llazar Fundon në shtator të 1944. Ganiu nuk bëri rezistencë se i besonte marrëveshjes së Tehranit ku ishte firmosur pakti i Jaltës dhe Fuqitë e Mëdha Anglia, Rusia dhe Amerika, që nga Stalini, Çurçilli dhe Ruzvelti si aleatë kishin firmosur kundër gjermanëve, italianëve dhe japonezëve. Ganiu veproi ashtu, sepse ishte kundër vëllavrasjes në mes të shqiptarëve. Llazari e kishte parandjerë fundin e tij se e kishte thënë disa here, se po të binte në dorë të komunistëve “unë s’kam gjyq, por vetëm plumb”. Gani Kryeziu dhe Llazar Fundo nuk pranuan që të arratiseshin, se mendonin që ishte më mirë që t’i shërbenin kombit edhe sikur të vriteshin edhe vetë.
Nuk ishin nga ata që të shkonin pas të huajve. Atë ditë Llazari është arrestuar në Dobrejn e Bytyçit prej Brigadës së V, ia hoqën këpucët dhe i vunë prangat dhe atij nuk iu dridh qerpiku, aspak nuk u trondit, qëndroi si idealist, kujton Hamiti. Ganiut shumë nga anëtarët e çetës së tij i shkuan me partizanët dhe ai u detyrua të shkonte te një miku i tij në Gjakovë, Xheladin Begu, sepse shtëpinë e tij ia kishin djegur gjermanët, ndaj aty ndenji me 30 djem nga Hasi dhe priste ndonjë ndryshim të situatës nga ana e aleatëve. Kaluan rreth dy muaj dhe forcat partizane të Fadil Hoxhës e Dushan Mugoshës e arrestuan. Gani Beg Kryeziun, e mbajtën në Prishtinë 4 muaj e gjysmë në burg dhe e nxorën në gjyq ku e dënuan me 5 vjet politikisht.
Llazar Fundo ishte veprimtar politik. Lindi në Korçë, më 20 mars të vitit 1899. Studimet e mesme i kreu në liceun francez të Selanikut, kurse të lartat për jurisprudencë në Paris.
Në vitin 1924 drejtoi periodiken “Bashkimi”. Pas Revolucionit të Qershorit, ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Fan Nolit. Me rrëzimin e qeverisë “Noli”, u largua në Bashkimin Sovjetik, ku u anëtarësua në seksionin shqiptar të Kominternit. Mes viteve 1924-1939 shkroi artikuj të ndryshëm për gazetën “Çlirimi nacional”, të drejtuar prej tij, Fan Nolit, Halim Xhelos etj.. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, u kthye në Korçë, ku iu përkushtua propagandës antifashiste. Por shumë shpejt u arrestua nga kuestura italiane e Tiranës dhe u deportua në Ventotene, si një kundërshtar i rrezikshëm. Pas kapitullimit të Italisë, u kthye në Shqipëri. Me dy federalistët italianë bashkë me mikun e tij, Stavro Skëndin, hartojnë Manifestin e Ventotenes. Pasi regjimi fashist mori tëposhtën e tij më 1943, me gjithë mbështetjen vëllazërore dhe miqësore që i dha Sandro Pertini, në një takim të fundit me të në Romë, në gusht 1943; që donte ta bindte për të qëndruar në Itali për të luftuar me të fashizmin, ai vendos të kthehet në Shqipëri për të luftuar. Bashkohet me vëllezërit Kryeziu dhe misionin britanik pranë tyre në Malësinë e Gjakovës. Në shtator 1944 kapet nga partizanët jugosllavë në malin Dobrej të Tropojës dhe i dorëzohet komunistëve shqiptarë. Dënohet për “trockizëm” dhe bashkëpunimin me Shërbimin Informativ Britanik. Arrestohet dhe vritet nga forcat partizane në Kolesjan të Kukësit më 23 shtator 1944. Pasi u torturua mizorisht, u pushkatua me urdhër të Enver Hoxhës si “trockist” e “renegat”. Më 20 maj 1994, me vendimin nr. 918, Gjykata e Rrethit të Korçës vendosi njohjen e faktit të pushkatimit të tij pa gjyq nga forcat komuniste, më 30 shtator të vitit 1944.
URDHRI I ENVERIT
Në radiogramin e Enver Hoxhës më 21 shtator 1944, thuhet: “Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni”. Llazar Fundo ishte një përfaqësues tragjik i atyre intelektualëve të majtë shqiptarë që e përqafuan komunizmin si një ideal shpëtimtar për njerëzimin, por që u zhgënjyen plotësisht nga praktika kriminale e komunizmit në Rusi, vende të tjera e në Shqipëri dhe u bë një nga kundërshtarët më të mëdhenj të atij sistemi çnjerëzor, madje edhe një nga viktimat e tij.
Llazar Fundo ishte një nga antifashistët dhe një nga luftëtarët e parë të luftës kundër pushtuesve, por që u asgjësua nga Enver Hoxha, sepse luftonte si patriot dhe demokrat, por jo si pjesë e PKSH dhe e Frontit NÇ. Kishte kryer shkollën e mesme në Liceun Francez të Selanikut dhe studimet e larta për jurisprudencë në Paris, njeri me kulturë të gjerë perëndimore dhe mik i personaliteteve të shquara të kohës: Heminguejt, A. Barbys, R. Rolan, L. Pirandelo, S. Pertini, A. Anshtajn, Gj. Dimitrov, F. S. Noli, L. Gurakuqi. A. Rustemi etj.. Luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen demokratike të viteve ‘30-‘40 në Shqipëri e më gjerë. Pas vrasjes së Avni Rustemit u zgjodh kryetar i shoqërisë “Bashkimi” dhe ndihmoi në kryengritjen e qershorit 1924. Më pas mërgoi në Europë dhe bëri pjesë në krahun revolucionar të emigracionit politik shqiptar atje. Shkoi në BS për të studiuar dhe njohur nga afër përvojën sovjetike të propaganduar me aq bujë, madje u bë pjesë e Kominternit, por atje gjeti në fuqi tiraninë staliniste, krimin shtetëror, të cilat i denoncoi me kurajë. Nga Moska i shkruante Nolit: “Komunizmi që ne e idealizonim si Krishti, ia kaluaka edhe Satanait për nga ligësitë”. Kominterni e dënoi me vdekje renegatin Fundo dhe ai mezi mundi të shpëtonte kokën. “Ai u shpëtoi spastrimeve”, – shkruante E. Hoxha. “Pas kësaj, ai rronte herë në Francë, herë në Zvicër e gjetkë, ku zhvillonte një luftë të tërbuar kundër komunizmit, kundër BS, kundër Stalinit” (E. Hoxha, “Kur lindi Partia”). Në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë u kthye në atdhe dhe e kundërshtoi hapur këtë okupacion.
“Në prag të pushtimit fashist” shkruante E Hoxha me mburrje, me cinizëm dhe zili, “në kulmin e demonstratës popullore, Zai Fundo u ngjit në shkallët e bashkisë dhe mbajti një fjalim antifashist gjithë figura e gjeste ekzakte. Ne e njihnim figurën e vërtetë të renegatit, nuk i hëngrëm fjalët e tij, por sidoqoftë ato e bënë efektin”. (E. Hoxha, “Kur lindi Partia”.). Për kundërshtimin e hapur që Fundo i bëri pushtimit, në vitin 1941 u burgos dhe u internua në Ventotene të Italisë bashkë me shumë antifashistë të tjerë, si Safet Butka, Abaz Ermenji, Selman Riza, Faslli Frashëri, Myzafer Pipa, Gani e Said Kryeziu, Hasan Reçi, Sadik Bekteshi etj. Sandro Pertini e çmonte shumë Llazar Fundon kur thoshte: “Zai Fundo është një personalitet me vlerë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën”. (Nga kujtimet e A. Krepashanit, ishi internuar politik në Ventotene.) Të burgosurit në Ventotene, duke përfshirë edhe intelektualët antifashistë shqiptarë, ndihmuan jo vetëm në qëndresën antifashiste, por edhe në hartimin e një projekti politik për Europën e Bashkuar pas luftës, që u quajt “Manifesti i Ventotenes” dhe u bë baza e ndërtimit të mëvonshëm të Europës së Bashkuar. Në Ventotene u krijua një komitet i rezistencës, ku bënte pjesë edhe Ll. Fundo, i përbërë prej antifashistëve të shquar: Alessandro Pertini, Altiero Spinelli, Francesco Fancello, Pietro Secchia, Mauro Scoçimarro, Lazar Fundo, Ante Babich, Antonio Francovich, të cilët kërkonin lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politikë “si pasojë automatike e nxjerrjes jashtë ligjit të regjimit fashist”. (Paolo Spriano: “Storia del Partito Communista italiano”, Torino, 1978).
PUSHKATIMI I FUNDOS
Zai Fundon e pushkatuan në mesditën e 23 shtatorit të 1944-ës, Shefqet Peçi ishte prezent në pushkatimin e Fundos. Zai Fundon, pasi e arrestuan në malin Dobrej të Tropojës (Malësi e Gjakovës), e sollën të lidhur në Kolesjan të Lumës. Natyrisht që Shefqet Peçi do e zbatonte urdhrin e Enver Hoxhës, sepse dy ditë më parë, Enver Hoxha kishte nisur radiogramin për torturimin deri në vdekje dhe më pas pushkatimin e Fundos. Si për ironi të fatit, jashtëkohësi, i kulturuari dhe antikonformisti Fundo, njohësi i shtatë gjuhëve të huaja do të pushkatohej në katundin, në të cilin qe hapur e para shkollë shqipe e visit të Lumës më 1911-ën. Më vonë, Fan Noli, kur mori vesh për ekzekutimin e Fundos, do të shprehej me trishtim të dukshëm: “Ç’i mbetet Shqipërisë po i prishëm njerëz të tjerë të mëdhenj si Fundo?!”. Në vitin 1995 Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha, e nderoi me titullin e lartë “Martir i Demokracisë”, ndërsa në maj 2017, ishPresidenti i ndjerë Bujar Nishani, i ka akorduar “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” intelektualit Llazar Fundo.
/Gazeta Panorama