LAVDËRIM SHEHU
Ahmet Maliq Jegeni lindi më 1918 në Dibër të Madhe. Rridhte nga familja e madhe e Jegeneëve të Dibrës së Epërme, e njohur për veprimtarinë e spikatur atdhetare, fillimisht kundër pushtuesve osmanë e më pas kundër atyre serbë e bullgarë. Në ato vite, Dibra, si asnjë krahinë tjetër, ishte gjendur papritmas në udhëkryqin më të madh të historisë së saj. Ishte koha kur Fuqitë e mëdha europiane për turpin e pazaret e tyre të ndyra kishin shkulur përgjakshëm nga trungu zemrën e trurin e Shqipërisë, Dibrën e Madhe, duke e lanë atë tragjikisht jashtë kufijve amtare. Dibranët vendosën t’i dilnin zot vetvetes. Familjet e mëdha të Jegenëve, Hajdaragëve, Dacallarëve, Shatkëve, Strazimirëve, Imamëve, Tërshanëve, Pustinëve etj. u thirrën në skenën, ku luheshin fatet e një tragjedie kombëtare.
FAMILJA JEGENI
Familja Jegeni ishte shumë aktive në zhvillimet politiko-shoqërore të vendit që në periudhën e pushtimit osman dhe gjatë gjithë shekullit të kaluar. Gjyshi i Ahmetit, Shaqir Beg Jegeni, ishte një nga figurat kryesore të Rilindjes Kombëtare, një luftëtar i paepur dhe i pakompromisë kundër sundimit osman si dhe kundër pushtuesve të rinj serbë e bullgarë në trevën e Dibrës. Ai dhe pjesëtarë të tjerë të fisit Jegeni ishin veprimtarët kryesorë të kuvendeve të organizuara në Dibër e jo vetëm për pavarësimin e Shqipnisë si dhe për ndryshimet shoqërore e politike të saj. Ata u sakrifikuan ekonomikisht e fizikisht për çështjen shqiptare. Shaqir Jegeni ishte delegat i Dibrës në Kuvendin e Vlorës, që shpalli pavarësinë e Shqipnisë nga Turqia. Pikërisht, për gjithë veprimtarinë e tij nacionaliste, veçanërisht, për qëndrimet e palëkundura e të pakompromisa ndaj pushtuesve sllavë, më 1914, ekzekutohet në Strugë, gjatë rrugës së kthimit për në Dibër. Maliq Jegeni, i biri i Shaqirit dhe babai i Ahmetit, ishte një veprimtar nacionalist i përmendur jo vetëm në Dibër, por edhe në shumë krahina të tjera. Ashtu si paraardhësit e tij, gjithë jetën ia përkushtoi çështjes kombëtare. Fisi Jegeni mori pjesë aktivisht në kryengritjen kundërserbe të vitit 1913. Armiqtë ma të mëdhenj të familjes Jegeni ishin serbo-sllavët dhe komunistët shqiptarë. Që në gjimnaz, si shumë bashkëmoshatarë të tij Ahmet Jegeni, kishte ra në kontakt me idetë përparimtare e revolucionare të viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Në Itali, ku ishte vendosur një regjim totalitar, sidomos, pas pushtimit të Shqipnisë nga Italia fashiste, Ahmeti i zgjeron kontaktet me grupet antifashiste, përgjithësisht me prirje të majta, republikane e antitotalitariste. Pushtimin e Shqipnisë nga Italia fashiste, si gjithë bashkëstudentët e tij, e priti me dhimbje, zemërim e revoltë të papërshkruar. Ahmet Jegeni bashke me shumicën e studenteve ushtarakë si: Edip Daci, Dali Ndreu, Siri Kodra, Abdyl Këllezi, Aleks Caci, Shaban Strazimiri etj., të revoltuar prej pushtimit të atdheut, u rebeluan në qendër të Romës dhe nuk pranuan të betoheshin para flamurit fashist. Ahmetin, bashkë me disa studentë të tjerë, e internuan ne ishujt famëkeq të Gaetës e Ventotenes, ku dergjeshin me dhjetëra antifashistë nga Dibra e viset e tjera shqiptare, me qëndrime nacionaliste e përparimtare. Përkushtimi kundër pushtuesve e afron Ahmetin, natyrshëm, me idetë e majta, që, në ato vite, përkonin me projektet çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë në gjithë Europën dhe jo vetëm.
KTHIMI NË TIRANË
Në vitin 1942 lirohet nga internimi (lule në krahasim me kampet e burgjet e komunizmit) dhe kthehet në Tiranë. Po atë vit pranohet anëtar i PKSH dhe dërgohet me mision, bashkë me dibranët e tjerë, si: Ilmi Çausholli, Nexhat e Qemal Agolli, Irfan Hajrullai, Gafur Korça, Shaban Strazimiri, Nazmi Rushiti, Demir Gashi, Xhavit Hatibi etj. për të organizuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare në Dibër. Pak kohë më pas, me organizimin e çetës partizane të Grykës së Madhe, Ahmeti caktohet komisar i çetës, me komandant Mentaz Kodrën, kurse, me krijimin e batalionit të Dibrës, me komandant Haxhi Lleshin, caktohet komisar i atij batalioni. Interesant ishte fakti se ushtarakë profesionistë, të diplomuar ose jo në akademitë e Italisë si: Ahmet Jegeni, Siri Kodra, Dali Ndreu, Miftar Jegeni, Ahmet Cami etj., që të gjithë pasardhës te familjeve, ndër ma të mira të Dibrës dhe që kishin vetëm një aspirate: çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë, udhëhoqën formacionet partizane të kohës. Pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator të 1943-shit, komanda e batalionit të Dibrës ngarkoi Ahmetin si kryesues të grupit negociator për dorëzimin e divizionit. Gjatë bisedimeve për dorëzimin, Ahmeti u premtoi gjeneralëve Azzi dhe Peçini se ushtaraket italianë do të trajtoheshin sipas traktateve ndërkombëtare, do u sigurohej jeta, strehimi dhe ushqimi, deri në riatdhesimin e tyre. Gjithashtu, sipas dëshirës, u mundësohej inkuadrimi ne repartet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit, fillimisht si drejtues partie në Peshkopi, por meqenëse Jegenët kishin disa lidhje miqësore me Dinejt e Maqellarës, e transferojnë në Tiranë, ku në vitet 1946-1948 shërben në Komisionin e Planit të Shtetit, bashkë me Kiço Ngjelën, Abdyl Këllezin etj.. Ndërkohë fejohet me Dhurata Strazimirin, mbesën e Faik Shehut, kryetar dhe deputet i Qarkut të Dibrës, por që në moshën 40 e ca vjeç ekzekutohet me grupin e deputetëve, sepse kundërshtonin vendosjen e një diktature të egër në vend. Aty duket se fillon edhe frenimi i karrierës politike të Ahmetit. Nga viti 1949 deri në vitin 1971 punoi në rrethin e Durrësit, fillimisht në Komitetin Ekzekutiv, sektori ekonomik, pastaj drejtor i portit të Durrësit. Aty shquhet për aftësitë organizuese, manaxheriale dhe komunikuese. Nën drejtimin e tij, Porti i Durrësit u transformua në një nga ndërmarrjet ma të zhvilluara e të dalluara në nivel republike. Fundvitet ‘60 dhe fillimi i viteve ‘70 kishin sjellë ndryshime në proceset e zhvillimeve politike, ekonomike, ushtarake etj.. Sidomos pas agresionit sovjetik kundër Çekosllovakisë, udhëheqja e Partisë së Punës po studionte alternativa të reja për zhvillimin e mbrojtjen e vendit. Pasi Jugosllavia e Titos kishte deklaruar se asnjë forcë e huaj ushtarake nuk do të mund të kalonte nëpër territorin e saj për të sulmuar Shqipërinë, një marrëdhënie e re nisi ndërmjet dy shteteve. Nën trysninë e ndonjë sulmi nga jashtë, sidomos, nga Traktati i Varshavës, lufta e klasave brenda vendit u zbut përkohësisht dhe mori përparësi forcimi i unitetit kombëtar.
NË STROFULLËN E UJQËRVE
Në vitin 1971 Ahmet Jegeni transferohet në Tiranë në pozicionin e drejtorit të Drejtorisë së Jashtme, në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme, që udhëhiqej nga ministri Vasil Kati. Më 1973 lufta për të marrë kontrollin e Partisë dhe shtetit, si një vullkan i fshehtë, ma e ashpër se kurrë ma parë, kishte dalë në sipërfaqe. Një luftë e përgjakshme brenda llojit apo siç quhej ndryshe “Lufta në strofkullën e ujqërve”, kishte shpërthyer në gjirin e udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës dhe për pasojë, kishte sjellë konfliktin e përgjakshëm midis klaneve e grupeve të ndryshme, fillimisht në kulturë, më pas në ushtri, ekonomi etj.. Përbindëshi i kuq, në turravrapin e tij makabër për të përjetësuar sundimin e tij kriminal, nuk ngopej së piri gjakun e shokëve të tij, të themeluesve të partisë, të ushtarakëve, që drejtuan luftën kundër pushtuesve nazifashistë etj.. Ndërkohë kishte filluar edhe prishja e marrëdhënieve me Kinën komuniste. Ishte koha kur udhëheqësi diabolik, i ngjashëm me krerët e kmerëve të kuq të Kamboxhias, kishte dalë jashtë kontrollit dhe çdo natë shihte andrra me grupe armiqësore. Prandaj, duke vuajtur nga xhelozia dhe fobia për të diplomuarit jashtë shtetit, i eliminoi gradualisht të dyja palët, fillimisht ata që studiuan në Perëndim, më pas, ata që mbaruan studimet në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e Europës Lindore, duke u shkaktuar atyre vuajtje të panumërta fizike e shpirtnore. Situata ekonomike po rëndohej dita-ditës. Filloi çmenduria e tezës “Gjithçka me forcat tona”. Pikërisht atëherë lufta e klasave njohu fazën e saj të çmendurisë. Grupe të shpikura armiqësore nga radhët e partisë e të shtetit, befas u gjendën para gijotinës së kuqe. Atë që ata u kishin bë të tjerëve, po e pësonin vetë.
BURGOSJA ME AKUZA TË RREME
Pas goditjes që i dha grupit udhëheqës të drejtimit të ekonomisë, si: Abdyl Këllezit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit etj., në shënjestër u vunë edhe drejtorët e atij dikasteri. Në atë stuhi gjuetie shtrigash, Ahmetin e transferojnë shef tregtie në rrethin e Tepelenës. Edhe pse e kuptoi se kishte marrë të tatëpjetën, si gjithmonë, punoi me ndërgjegje të rrallë, duke arritur rezultate të larta në sektorin ekonomik. Fiton respekt dhe admirim jo vetëm nga kolegët, por edhe nga gjithë tepelenasit. Por urrejtja dhe hakmarrja pa asnjë shkak, por vetëm për të realizuar skenarët ogurzinj, nuk kishin të ndalur. Një institucion i stërmadh dhe superkriminal, si ai i ministrisë së brendshme, punonte ditë e natë për asgjësimin e kundërshtarëve imagjinarë, me urdhër të klaneve të caktuara brenda udhëheqjes së partisë. Sipas planifikimit, i kishte ardhur radha edhe Ahmet Jegenit. Fillimisht i kërkohet organizatës së partisë përjashtimi i Ahmetit nga partia, me akuzën se kishte rritur volumin e shkëmbimeve tregtare me Jugosllavinë dhe vendet e tjera revizioniste e kapitaliste, në një kohë kur orientimet për një zhvillim të tillë kishin ardhur direkt nga udhëheqja ma e lartë e partisë dhe e shtetit. Menjëherë Nevzat Haznedari, që ndodhej në hotelin e qytetit, pas tri orësh e arrestoi dhe e dërgoi në hetuesinë e Tiranës, në burgun 313.
AKUZAT E FABRIKUARA
Grupi hetimor ishte krijuar para arrestimit e kryesohej nga Kristofor Mërtiri. Akuzat e parafabrikuara ishin gati: 1. Pjesëtar i grupit që kishte zhvilluar veprimtari armiqësore e sabotuese në organizimin shtetëror dhe ekonomik. 2. Ka futur në drejtimin e ekonomisë forma e metoda te vetadministrimit titist e kapitalist. 3. Veprimtari sabotuese në tregtinë e jashtme me qëllime armiqësore për ta lënë Shqipërinë socialiste pa lëndë të para strategjike dhe pa bukë. Ahmeti nuk ishte befasuar nga ato që po ndodhnin. Që në vitet e para e kishte kuptuar se andrrat e rinisë studentore për një Shqipëri të lirë e demokratike ishin nëpërkëmbur keq. Me dhimbje kishte parë fatin e sa e sa komunistëve, nacionalistëve dhe luftëtarëve antifashistë, që kishin përfunduar para togave të pushkatimit. Që në fund të viteve ‘40 kishte ndjerë dhimbjen e madhe për kushërinjtë e tij Gafur Jegeni e Miftar Jegeni, që ishin ekzekutuar pa gjyq me akuzën false se kishin marrë pjesë në hedhjen e bombës në oborrin e ambasadës sovjetike. Disa qeli më tej lëngonin nga torturat kuadrot e kryesorë në drejtimin e ekonomisë, si: Abdyl Këllezi, Kiço Ngjela, Koço Theodhosi, Vasil Kati, Andrea Naço etj.. Ahmeti nuk pranoi asnjë akuzë dhe refuzoi vendosmërisht të nënshkruante procesverbalet që i vendosnin përpara hetuesit e pashpirt. Me muaj, gati një vit e ca, vazhduan torturat për ta detyruar Ahmetin të firmoste procese, ku akuzoheshin ish-kolegë dhe ish-eprorë të tij. Në një rast e ballafaquan me ish-ministrin e tij, Vasil Katin. Hetuesi i bën pyetjen rutinë:
– A e njeh të pandehurin?
– Jo, – përgjigjet Ahmeti.
– Si nuk e njeh ish-ministrin tënd? -i ndërkrehet me nervozizëm hetuesi.
– E keni transformuar aq çnjerëzisht nga torturat, duke e shpërfytyruar në atë mënyrë, saqë atë nuk mund ta njohin as familjarët e tij, – i ishte përgjigjur guximshëm Ahmeti. Për gati gjatë një viti u torturua egërsisht Ahmeti, me qëllim që të depononte dhe të nënshkruante procese, ku duhej të fajësonte dhe të pranonte akuza monstruoze për bashkëpunime me revizionizmin, imperializmin, socialimperializmin etj., për lidhje me të ashtuquajturat grupe të tjera agjenturore, ku duhej të akuzonte veten, kolegët dhe eprorët e tij. Përveçse një promemorieje në formë autobiografie, hetuesit kafshë, kopje të shëmtuara të hetuesive më gjakatare të globit, nuk mundën t’i shkëpusnin asgjë tjetër Ahmet Jegenit. Ata kishin hasur në njeriun e gabuar. Për ndryshe ata, me kënaqësi e shpejtësi do ta kishin nxjerrë në gjyq. Logjika dhe racionaliteti prevalojnë mbi letrat e ndyra të Sigurimit të Shtetit, ushtarët e të cilit ndjenin kënaqësi diabolike, kur i poshtëronin viktimat e tyre. Përndryshe Ahmet Jegeni nuk do të kishte ndërruar jetë nën torturat më kriminale të antinjeriut ndaj njeriut. Por do ta kishin nxjerrë me shpejtësi e kënaqësi të bilbiloste në gjyq kundër kolegëve e eprorëve të tij.
DËSHMIA E FUNDIT
Ahmeti ishte ndër të rrallët e qindra të hetuarve, që u rezistoi torturave ma çnjerëzore, që përdorte hetuesia e diktaturës për t’i depersonalizuar, për t’i degraduar e dënuar viktimat, që kishin pësuar fatin e kobshëm të binin në duart e tyre. Ai ishte ndër të rrallët e qindra të hetuarve, që nuk arritën ta nxirrnin në gjyq, sepse u mbeti në dorë hetuesve kanibalë. Udhëheqja, që nga ministri i Brendshëm e më lart, mezi prisnin që pjesëtarët e grupit të ekonomisë të depononin lidhjet agjenturore, qëllimet armiqësore e bashkëpunimin me grupet e tjera si ai i ushtarakëve etj.. Prandaj dhe urdhëronin përdorimin e metodave ma shtazarake e ma ekstreme për t’i përkulur e gjunjëzuar viktimat e tyre, e që pastaj, t’ua mbushnin mendjen trushpëlarëve e militantëve për ekzistencën e veprimtarinë e grupeve armiqësore kundër partisë e pushtetit popullor.
Kryehetuesi do t’i deklaronte ministrit: – Ju e dini shoku ministër se përpjekjet tona për të vërtetuar lidhjet me grupet e tjera rezultuan të pasuksesshme. – Do të bisedojmë më vonë, – kishte nxituar ta ndërpriste vartësin e tij ministri, për ta fshehur pakënaqësinë e tij. Vetë Enver Hoxha ndiqte me ankth e shqetësim ecurinë e procesit, për ta bërë publike të ashtuquajturën “tablo sinoptike”, një grumbull gënjeshtrash e akuzash absurde, që do të konvertoheshin në dhjetëra të pushkatuar, në qindra vite heqje lirie në burgjet ma të tmerrshme, në qindra e mijëra familje të shkatërruara e të divorcuara, në qindra e mijëra fëmijë jetimë e pleq të vetmuar. Ashtu, Ahmet Jegeni përpëlitej nën kthetrat e thonjtë e diktaturës ma të zezë në të gjithë Europën Lindore. Dhe pyetja ma torturuese, që i bënte vetes, ishte: “Çfarë kam bërë? Luftova për çlirimin e vendit, luftova për ndërtimin e vendit?! Dhe tani torturohem në mënyrën ma shtazarake”. Një ditë i tha shokut të qelisë: “Gabimi ma i madh i jetës sime ishte se u bana komunist”. Pas shumë torturash e vuajtjesh të tmerrshme, Ahmeti dergjej mbi dyshemenë e akullt me trupin gjithë plagë nga torturat mizore. E kishte kuptuar se trupi i tij nuk mund të rezistonte më. Hetuesi, pjellë e monstër e diktaturës hoxhiste, i lodhur dhe i dëshpëruar se nuk po realizonte dot udhëzimet e udhëheqjes për ta paraqitur Ahmetin si pjesëtar të një grupi të madh agjenturor, i afrohet dhe i pëshpërit në vesh: – “Nënshkruaj Ahmet! Dënimi yt është i paracaktuar, të paktën shpëto nga vuajtjet e torturave! Shpëto gruan dhe vajzat e tua”! Ahmeti e vështroi me përbuzje, me stërmundim arriti të nxjerrë dorën jashtë batanijes dhe duke tundur gishtin tregues në ajër, me aq forcë që i kishte mbetur, i ulëriti në fytyrë: – “Kurrë! Kurrë”! Dhe nuk arriti ta ulte dorën poshtë. Kishte ngrirë. Kishte ndërruar jetë. Kishte shpëtuar më së fundi nga dhimbjet e tmerrshme fizike e shpirtnore. Ky ishte fundi tragjik i idealistit martir, Ahmet Jegeni. Të njëjtin fat kishte pësuar edhe kolegu i punës, Andrea Manco. E përbashkëta e tyre ishte zhgënjimi i madh dhe fatal. Disa prej tyre, si Ahmet Jegeni nga Dibra, Abaz Fejzo nga Vlora, Vaskë Gjini nga Korça e shprehën në ditët e fundit të jetës, i pari në qelitë e burgut 313 në Tiranë, dy të tjerët në burgun famëkeq të Burrelit. Në minutat e fundit të jetës, Abaz Fejzo, duke vështruar me keqardhje bashkëvuajtësit e tij, që i rrinin mbi kokë, kishte belbëzuar fjalët e fundit para se të vdiste: “Na fal o Zot! Nuk të besuam, por të keqen nuk e patëm nga ti, të keqen e patëm nga ai që ishte një horr dhe ne e besuam sikur të ishte Zoti”.
VIZITA E KIÇO NGJELËS
Pas vitit 1990, të nesërmen e lirimit nga burgu, Kiço Ngjela bëri një vizitë në familjen e Ahmet Jegenit, tek e shoqja, Dhurata Jegeni. Ndërmjet të tjerash, duke shprehur dhimbje të pakufishme për fatin tragjik të Ahmetit, i tha: “Të jesh krenare për burrin tënd, për atë burrë besnik, që mbajti një qëndrim heroik në qelitë e hetuesisë më të pamëshirshme që kanë parë shqiptarët”. Po ashtu, edhe Vasil Kati, ish-ministri i Ahmetit: “Ishte ndër të rrallët, që ndryshe nga disa të tjerë, që firmosën procese, ashtu si ua diktuan hetuesit kriminelë, Ahmet Jegeni sakrifikoi jetën për të mbrojtur veten, kolegët dhe eprorët dhe që nuk pranoi t’u falte kënaqësinë diabolike hetuesve, duke pranuar akuza të fabrikuara, të rreme dhe absurde”.
/Gazeta Panorama