Po të kishte barazi e drejtësi, s’do të ekzistonte lufta për liri.
Po të mos ishin të buta fotelet, Kuvendi do të mbetej bosh.
Vetëm ata që janë faqezinj e shfrytëzojnë imunitetin për hajni.
Mali ia jep bishtin sëpatës; i dehuri i vë flakën shtëpisë.
Zagari shkërmoqet duke vrapuar, gjahun e merr tjetërkush.
S’kemi ende ushtri, se të gjithë jemi bërë gjeneralë e komandantë.
Avokati të shumtën e herëve mbron të keqin.
Opozita i bie daulles, e lojën e luan pozita.
Ata që i vjedhin votat, i vjedhin edhe milionat.
Rrahagjoksi thotë se bën mur, por s’di ç ‘është as llaçi as gdhendja e gurit.
Më mirë pa shkollë se me mësues dhaskal.
Të gjithë përpiqen të gjallërojnë ditën; vetëm hajdutët dhe huti natën.
Lepujve edhe zogjtë në fluturim ua prishin zemrën.
Bleta pickon, por edhe shëron; gjarpri vetëm helmon.
Druri i lindur për sëpatë, bari për kosë.
Kushtoni kujdes zemrës, jo flokut.
Mulliri me ujë është i Zotit, ai me rrymë i njeriut.
Edhe kur Zoti u fal pasuri të vegjëlve, ua rrëmbejnë të mëdhenjtë.
Dielli largon errësirën, libri analfabetizmin.
Shiu i qetë ushqen bimët, njeriu i urtë e i dashur zemrat.
Fillimisht mat forcën, pastaj dikto lojën.
Dashuria dhe fqinjësia e mirë kërkojnë reciprocitet.
Letrën dhe pjatën mos i mbushni me gjëra të pavlera, se ua prishin disponimin dhe stomakun.
Njeriun e bën luftëtar robëria; kafshën agresive mungesa e ushqimit.
Politika në skenë sjell edhe ata që nuk u besohet as një tufë delesh.
Njeriun e bën atdhetar guximi dhe dashuria për vendin; tradhtari lind me instinktin e nënshtrimit dhe pabesisë.
Ende bëhet garë për themelimin e UÇK-së, edhe pse dihet se ajo u themelua nga ata që vdiqën me armë në duar.
Idealistët burgjet dhe dajakun; horrat pozitat dhe privilegjet.
Të bësh biznes dhe dallavere me serbët e maqedonasit do të thotë të pajtohesh me turpin.
Vota në Kosovë është në pikë të hallit — brenda jepet për një darkë a drekë, në mërgim për pension moshe dhe shtesa fëmijërore.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 22 janar 2026