Arrestimi i presidentit venezuelian Nicolas Maduro ka hapur një kapitull të ri dhe potencialisht të rrezikshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Presidenti amerikan Donald Trump i është referuar një doktrine të hershme të politikës së jashtme amerikane, Doktrinës Monroe, e cila në vitet 1830 synonte të mbronte hemisferën perëndimore nga ndërhyrjet koloniale evropiane.
Sipas Trump, SHBA tani po e shtrijnë këtë doktrinë në mënyrë më agresive përmes asaj që ai e quan “Doktrina Donroe”, një version i përditësuar që justifikon ndërhyrjen amerikane kundër fqinjëve që i konsideron “armiqësorë ose kriminalë”.
Në këtë kontekst, arrestimi i Maduro-s shërben si shembulli i parë i aplikimit të doktrinës së re, ku SHBA deklaron se do të marrë kontrollin e situatës në Venezuelë për të parandaluar aktivitet kriminal ose destabilizues.
Analistët paralajmërojnë se Doktrina Donroe nuk mund të kufizohet vetëm në Venezuelë. Nëse Trump e konsideron të nevojshme, ndërhyrje të ngjashme mund të shihen ndaj kartelit të drogës në Meksikë, regjimit të korruptuar në Kubë apo laboratorëve të kokainës në Kolumbi, raporton Sky News.
Kjo qasje ka shokuar komunitetin ndërkombëtar dhe ka ringjallur debatin mbi të drejtën e një superfuqie për të ndërhyrë në vendet e tjera, duke e bërë peizazhin gjeopolitik të Amerikës Latine më të paparashikueshëm dhe të tensionuar se kurrë.
Pyetja që shtrohet tani është se ‘cili mund të jetë hapi tjetër i SHBA në hemisferën perëndimore sipas Doktrinës Donroe? Panorama