Autoritetet zvicerane njoftuan se ata po hetohen për përgjegjësi të mundshme që lidhen me vrasjen e paqëllimshme, shkaktimin e lëndimeve trupore dhe shkaktimin e zjarrvënies nga neglizhenca, si pjesë e një hetimi mbi sigurinë dhe kushtet e funksionimit të lokalit.
ZVICËR- Dy pronarët e barit në Crans-Montana të Zvicrës , ku shpërtheu një zjarr vdekjeprurës në natën e Vitit të Ri, duke vrarë më shumë se 40 persona, janë vënë nën hetim penal. Autoritetet zvicerane njoftuan se ata po hetohen për përgjegjësi të mundshme që lidhen me vrasjen e paqëllimshme, shkaktimin e lëndimeve trupore dhe shkaktimin e zjarrvënies nga neglizhenca, si pjesë e një hetimi mbi sigurinë dhe kushtet e funksionimit të lokalit.
Sipas mediave të huaja, ky zhvillim vjen ndërsa hetuesit vazhdojnë të hetojnë se si dhe pse zjarri u përhap kaq shpejt në një vend të mbushur me njerëz. Autoritetet zvicerane thanë se zjarri duket se është ndezur nga fishekzjarrë të vendosur në shishet e shampanjës të përdorura gjatë festimeve. Megjithatë, shkalla dhe intensiteti i flakëve, të cilat lanë 119 persona të plagosur, shumë prej të cilëve janë në gjendje kritike, janë ende nën hetim.
BBC, ka folur me ekspertë të cilët kanë analizuar fotot dhe videot e bëra nga të mbijetuarit natën e tragjedisë. Pamjet që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë klientët që mbajnë shishe shampanje me fishekzjarrë të ndezur mbi kokat e tyre, ndërsa në disa pamje shihen shkëndija dhe flakë që i afrohen tavanit të vendit të ngjarjes.Video të tjera tregojnë se zjarri nuk është vënë re menjëherë, me muzikë që ende luhet dhe disa kalimtarë që kanë regjistruar flakët në telefonat e tyre, përpara se të shpërthente paniku dhe të fillonte një përpjekje për evakuim. Në njërën nga videot, dëgjohen zëra dhe shihen njerëz që nxitojnë drejt një shkalle daljeje.
Prokurorja e Përgjithshme Beatrice Pilou tha të premten se të gjitha provat deri më tani çojnë në përfundimin se fishekzjarrët ishin shumë afër tavanit, gjë që duket se ka kontribuar në ndezjen dhe përhapjen e shpejtë të zjarrit. Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu të dhënat e sigurisë nga zjarri të barit dhe nëse janë ndjekur rregullat./Dosja.al