VOAL- Në librin “Tregim i shekullit – burrat dhe gratë protagonistë të Shekullit XX” (1999) të gazetarit të madh italian Enzo Biagi (Enco Biaxhi) janë edhe shënimet për dy shkrimtarë të mëdhenj hebrej, Primo Levi dhe Isaac Bashevis Singer, të cilëve ua ka drejtuar të njëjtën pyetje.
Primo Levi: çfarë do të thotë të jesh hebré?
“Një pafundësi pozicionesh, një spektër që shkon nga një ekstrem në tjetrin. Nga njëra anë është hebraizmi total: është një fakt religjioz, tradicional, gjuhësor, nacionalist, nëse duam, me shumë sfumatura; e, nga ana tjetër, është hebraizmi anagraf që konsiston në refuzimin e gjithçkaje, po të jetë e mundur: traditës, kulturës, besimit, dhe të sillemi saktësisht si populli në të cilin ndodhet individi që përket minorancës. Në realitet, çdo hebrè zgjedh njërin nga përcaktimet e këtij spektri dhe atje jeton si dëshiron dhe si mundet.”
Primo Levi (Torino, 31 korrik 1919 – Torino, 11 prill 1987) ishte një shkrimtar, kimist dhe partizan italian. Ai ishte një i mbijetuar i Holokaustit, autor i tregimeve të shkurtra, një romani, kujtimesh, eseve dhe poezive. Një partizan antifashist, ai u arrestua nga fashistët në Luginën e Aostës më 13 dhjetor 1943, u dërgua në një kamp grumbullimi në Fossoli dhe në shkurt 1944 u deportua në kampin e përqendrimit të Aushvicit sepse ishte hebre. Pasi i shpëtoi vdekjes në kampin e përqendrimit, ai u kthye në Itali dhe iu përkushtua rrëfimit të mizorive që kishte parë dhe vuajtur midis të burgosurve.
Isaac B. Singer: çfarë do të thotë të jesh hebre?
“Ka të njëjtin kuptim si të jesh italian o spanjoll, o katolik, o protestan. Njeriu lind në një mjedis, mësohet me një stil të caktuar jetese, nuk është një çështje zgjedhjeje, njeriu duke ardhur në botë nuk vendos asgjë për veten. Prindërit tanë, të parët tanë e kanë bërë këtë edhe për ne.”
Isaac Bashevis Singer (11 nëntor 1903 – 24 korrik 1991) ishte një romancier hebre i lindur në Poloni, shkrimtar tregimesh të shkurtra, memoarist, eseist dhe përkthyes në Shtetet e Bashkuara. Disa nga veprat e tij u përshtatën për teatër. Ai shkroi dhe botoi fillimisht në jidish dhe më vonë përktheu veprat e tij në anglisht me ndihmën e redaktorëve dhe bashkëpunëtorëve. Ai u vlerësua me Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1978. Një figurë kryesore në lëvizjen letrare jidish, ai u vlerësua me dy Çmime Kombëtare të Librit në SHBA, një në Letërsinë për Fëmijë për kujtimet e tij Një Ditë Kënaqësie: Historitë e një Djali që Rritej në Varshavë (1970) dhe një në Trillim për përmbledhjen e tij Një Kurorë me Pupla dhe Histori të Tjera (1974). S.B.