Ko poezi e rrallë e Naim Frashërit, ASNJËHERË nuk ka qarkulluar ASKUND në librat shkollore ose në botimet SHKOLLORE, në Shkollat SHQIPE. Lëre atëhere, koha ka ikur!
Kjo POEZI është botuar më 1902 në Sofje të Bullgarisë krahas “Bagëti e Bujqësi”, “Histori e Skënderbeut”, “Fjalët e Qiririt”, “Luletë e Verësë”, “Korça” etj!
Kjo POEZI është një histori e tërë e kombit Shqiptar, kryevepër e Naim Frashërit që ka për qëllim të zgjojë medoemos tek shqiptarët ndërgjegjen e fjetur kombëtare.
*************************************
Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjall ka qënë.
Pellazg’u thonin më pare,
Më së fundi Shqipëtarë!
.
Gjuh’që flisnin Perënditë
Atë e flisnin Pellazgitë.
Atë kanë Shqipëtarët,
Siç e kishin dhe të parët!
.
Greqishten ajo e polli,
Llatinishtja q’atje dolli.
Bijtë tanë jan’ Elinët,
Sikundër edhe Llatinët!
.
Edhe gjithë Evropanët,
Që duallë nga Romanët.
Neve jemi më të parë,
Në Evropë nga çdo farë!
.
Gjithë bota vin që moti,
Në Tomorr ku ishte Zoti.
Që t’i falen Perëndisë,
Zotit math të Shqipërisë!
.
Zëri, flaka s’ishte kot,
Që nxjerr Tomorri dhe sot.
Ahere kish s’di se çinë,
Tani ka Abas Alinë!
.
Shqipëtari trim me fletë,
Ka rrojtur në këtë jetë.
Kemi pasur mbretërira,
Edhe fort shumë të mira!
.
Kemi bërë punë shumë,
Po gjithë vanë në lumë.
Aleksandri qe Shqiptar,
Q’u tha i madh kordhëtar!
.
Selefkët dhe Ptolemenjtë,
Edhe gjithë të mëdhenjtë.
S’qenë grekër, s’qenë bullgarë,
Po ishinë të gjithë Shqipëtarë!
.
Pirua ish nga Shqipëria.
Trim q’e lëvdon istoria.
Skander Begu Kastrioti,
Q’u dëftye aq’i zoti!
.
Ishte burr i Shqipërisë,
Q’i dha dërmënë Turqisë.
Ç’burra nxorri Shqipëria,
Që i shkruan istoria!
.
Bajraktar’ e Qyprylinë,
Shkodran e Mehmet-Alinë.
Xhavella e Marko Sule,
Babulin’ e Mihaule!
.
Q’i dhanë dërmënë Turqisë,
I vunë nder trimërisë.
Si këta e si të tjerë,
Që qenë shumë të ndjerë!
.
Po nga gjithë trimëria,
S’fitoj gjë dot Shqipëria.
Për këdo që ne luftuam,
Gjithë ç’u bëm’ i harruan!
.
Të gjithë na u harruan,
Dhe sot të ligën na e duan.
Me kaqë burra të vyer
Qysh duallmë të gënjyer?
.
E ç’e dua trimërinë,
Kur s’mu ndoth për Shqipërinë.
Me nder tënë rron Turqia.
Po aq vuan Shqipëria!
.
Ka vuar edhe vuan,
Turqtë neve a na duan?
Neve e bëmë dhe Greqinë,
Po Grekërtë a na e dinë?
.
S’duan fare të na shohin,
Shqipërinë sot s’e njohin.
Shqipëria ron si ropi,
A Mejtohet për të Evropi?
.
Mos durofsh o i madhi Zot,
Të jet’në zgjedhë sot!
Burr i math që ka luftuar,
Edhe botënë ke liruar!
.
Ç’të na bënjë trimëria,
Sa me qënë gjallë padija?
Shqipëri! Pse s’qe e zonja,
Të bënje tri katrë shkronja?
.
Se ti punëtë i mbarove,
E të tjerët i nderove.
Sikur të paskëshe shkruar,
Gjësendi s’të ish harruar!
.
Do të kishimë Pllatonë,
Aristotel’ e Strabonë.
Omir, Pindar e Esqille,
Dant’ e Senek e Virgjillë!
.
Do të ish sot Shqipëria,
Që t’a merr botën zilia.
Po të shkuarat i lerë,
E mso mënt për tjatër herë!
.
O vëllezër Shqipëtarë,
Lëreni kohën e pare.
Ejani tani të msojmë,
Paskëtaj të trashëgojmë!
.
Se në ndënçim t’pamësuar,
Kështu kemi për të vuar.
Është turp për farën tënë,
Të mos nxjerim fare zënë!
.
Po të rronjë e pandjerë,
E shkret’ e varfër’ e mjerë.
Pse të jesë Shqipëria,
Ta mbulonjë babëzia?
.
Duke patur burra trima
Të umbasë si vetëtima?
Ah! mos! Zoti mos e dhëntë!
EJANI, TË MBLEDHIM MENTË!