Kur flet një legjendë si ai, të gjithë kanë kuriozitet ta dëgjojnë, edhe tani që është tërhequr nga trajnimi. Sir Aleks Ferguson është rikthyer të flasë dhe ka hedhur dritë mbi marrëdhënien e tij me Kristiano Ronaldon, një nga lojtarët më të famshëm që ka drejtuar gjatë karrierës së tij të gjatë dhe të suksesshme.
Ferguson i kishte besuar Ronaldos ende adoleshent, pas vetëm një shikimi të shkurtër gjatë kohës kur ai luante te Sportingu i Lisbonës. “Ishte fantastike. Në jetën tuaj profesionale takoni lojtarë të jashtëzakonshëm. Që në moshën 17-vjeçare, e dija që ai kishte diçka të veçantë, jo vetëm aftësitë e tij, por edhe dëshirën për t’u bërë më i miri”, ka thënë Ferguson. Gjithashtu, ishtrajneri i “Djajve të Kuq” ka theksuar punën e palodhur dhe përkushtimin e Ronaldos që nga fillimi i karrierës.
“Çdo seancë stërvitore, ai praktikonte pas goditjeve të lira. Ishte fenomenal. Ai nuk ishte thjesht i talentuar, por kishte një etje të paparë për të përmirësuar veten çdo ditë”, ka thënë Ferguson. Më tutje, Sir Aleks Ferguson ka folur edhe për ndikimin e Cristiano Ronaldos brenda dhomës së zhveshjes dhe në fushë, gjithmonë sa I takon përvojës që përjetoi në “Old Trafford” me Mançester Junaitid.
“Padushim mund të them se ai ishte një shembull i vërtetë për shokët e skuadrës. Ambicia e tij e madhe dhe përkushtimi për stërvitje e bënë atë një udhëheqës natyral”, ka treguar ndër të tjera, Sir Aleks. Marrëdhënia mes Ferguson dhe Ronaldos është shembull i mënyrës se si një trajner i madh mund të identifikojë e madje edhe të zhvillojë talentin e jashtëzakonshëm, duke ndihmuar lojtarët të arrijnë potencialin e tyre maksimal.
Jo më kot, aktualisht, Ronaldo ende konsiderohet si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, dhe Ferguson nuk ngurron ta pranojë se kishte parashikuar suksesin e tij që kur e vërejti atë që ishte në gjendje të bënte në moshë fare të re.
PANORAMASPORT.AL