FATMIRA NIKOLLI – Është i vështirë procesi i punës tani. Errësira, gjëja e parë që bën, të godet vetëbesimin. Nevoja të bën të gjesh mënyra”. Llambi Blido, piktori i njohur, prej vitit 2001 e ka humbur shikimin. Por jo dëshirën për punë. Edhe në këto 15 vitet e fundit, ai nuk e ka lënë pas dore krijimtarinë, e cila zë një vend të rëndësishëm në ekspozitën e tij çelur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Krahas veprave të krijuara në komunizëm, që kësisoj bartin edhe ngjyrimin e kohës, janë edhe veprat e pas 1990-ës, tashmë në liri. “Ekspozita fokusohet në tri cikle kryesore, ciklin ‘Xhaz’ (me të cilin ka ngjashmëri në titull dhe teknikë edhe me ciklin ‘Xhaz’ të Henri Matisit), ciklin ‘Kolazh me Letra me Ngjyra’ dhe ciklin e pikturave mbi vizatime të mëparshme. Punë të tjera abstrakte, gjysmë abstrakte, figurative dhe vizatime mbushin hapësirat mes cikleve”, tha Artan Shabani, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve dje, në konferencën për mediat. Sipas tij, edhe pse krijoi në një situatë të vështirë në përgjithësi për artin dhe kulturën shqiptare, siç ishin vitet 1974 e në vazhdim pas Plenumit të 4-rt të KQPPSH, Blido vazhdoi rrugën e tij krijuese pa ndërprerë, duke kultivuar vizatimin, pikturën dhe kritikën e artit. “Ekspozita që hapim sot nuk ka karakter retrospektiv.
Ajo paraqet një koleksion të zgjedhur nga krijimet e artistit sidomos pas viteve 1990, e akoma më shumë nga ciklet e krijuara pak para, dhe pasi artisti humbi plotësisht shikimin në vitin 2001 nga glaukoma. Me këtë kondicion fizik të tanishëm mjeshtri Blido hyn në një panteon të rrallë artistësh, si Degas, Manet, Xhorxhia O Kif dhe Sigmar Polke, të cilët krijuan edhe pasi e humbën shikimin plotësisht, apo në rastin e Polkes pjesërisht”, shtoi Shabani. Llambi Blido kthehet pas 24 vitesh me një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe sjell rreth 100 vepra.
Blido(1939) studimet e mesme i kreu në Tiranë për gjeologji-miniera. Më pas, e nisi rrugën e artit me karikaturë, derisa studioi për grafikë në Leningrad për 1 vit. “U diplomua në Tiranë më 1965-ën për pikturë kavaleti nën drejtimin e pedagogëve Vilson Kilica dhe Danish Jukniu. Pas studimeve ai punoi në sektorin e botimeve për fëmijë (1965-1975), pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1975-1987), Inspektor për artet figurative në Ministrinë e Kulturës dhe Arteve deri në vitin 1991 – dhe në vazhdim në krijimtari të lirë”, tha Ylli Drishti.
Rrëfimi i mjeshtrit
Vetë Blido, tha dje para mediave se në kohët kur liria mungonte, ai zgjidhte temat që i pëlqenin, por njëherësh, është munduar të bëjë gjëra që përputheshin me kërkesat e kohës, “me propagandën përmes artit. Ka edhe që nuk ekspozoheshin. Kishte komisione shtetërore, por unë jo të gjitha i shpija te komisionet. Vizatimet abstrakte në vitet 1960, 1970 apo 1980 nuk i çoja në komision për t’i ekspozuar. Ua dhuroja miqve. Nuk i shkonte mendje njeriu që bëja të tilla”, tha ai dje. Në këtë vazhdë ai kujtoi edhe rastet kur veprat që i çonte për t’i ekspozuar hasnin pengesa. “Dërgova dy piktura në një ekspozitë të rinisë. Në një prej tyre, ishte vajza ime Fedra. Ishte pikturë e saj kur ishte e vogël, ishte nudo – pra e zhveshur. Unë i kisha vënë titull poshtë ‘Nudo’. Por kjo ishte në mënyrë ironike, për humor, sepse nudot nuk pranoheshin në ekspozitë, dhe kjo nuk mund të quhej nudo, sepse ishte një fëmijë i vogël i zhveshur. Ata i kishin vënë titullin ‘Vajzë e vogël’, duke e hequr titullin ‘Nudo”, kujtoi piktori.
Veprat të cilave iu ndalua ekspozimi në atë kohë qenë disa. Mes tyre përmendim “Trëndafilat” apo “Hysni Kapo”. I pyetur nga “GSH” për arsyet e ndalimit të ekspozimit të tyre, mjeshtri tregoi: “‘Trëndafilat i çova për t’i ekspozuar. Isha i sigurt që do ekspozoheshin. U habita që nuk u pranuan, sepse kishte të tjera që mund të ndaloheshin, por jo ajo. I kërkova shpjegim komisionit shtetëror dhe më thanë që është si vepër tekstil. Si ishte tekstili në atë kohë dihej. I thashë ‘ekspozojini te tekstili’, por thanë ‘jo, nuk është tekstil’. ‘Epo mirë, – thashë, – futini te piktura”. “Jo, – më thanë, – se janë si tekstil’”.
Ndërsa për veprën “Hysni Kapo”, ai ndalet më gjatë, duke treguar se “Ishte nga krijimet e mia më të dobëta. E dobët shumë. Ishte e madhe, ama ishte tamam siç duhej në atë kohë. Ai në mes. Përfaqëson popullin në mënyrë të mençur dhe rreth e rrotull tij gra e burra të Labërisë e peizazhi i Labërisë. Vizatimi ishte bërë përmendësh. Të gjitha ishin në rregull, por ngjyrat ishin të miat dhe asnjë gjë nuk vlente, nëse unë këmbëngulja te ngjyrat e mia”.
Blido, ka marrë pjesë nga viti 1966 – 2016 në 18 ekspozita kolektive dhe vetjake brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ka çelur ekspozitë vetjake në GKA në vitin 1992. Ekspozoi për herë të parë në vitin 1966 në Grac të Austrisë në pavijonin shqiptar që organizonte Dhoma e Tregtisë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 13 mars 2016.
Komentet