Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese kundër GJKKO-së për të çbërë pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku nuk është thjesht një akt juridik, por një ngjarje që ka goditur drejtpërdrejt nervin e një shoqërie të rrënuar dhe të lodhur nga mosbesimi.
Ky vendim ka rihapur plagën më të madhe të shtetit shqiptar: dilemën nëse drejtësia mbetet e pavarur apo bëhet pjesë e mburojës politike që mbron nga përgjegjësia penale vetëm të fuqishmit dhe të pushtetshmit.
Në një vend ku reforma në drejtësi është paraqitur si projekti më ambicioz për rivendosjen e shtetit ligjor, çdo vendim që prek figurat e larta qeveritare vlerësohet jo vetëm për atë që shkruhet në dispozitiv, por edhe për atë që lexon opinioni publik midis rreshtave.
Sot, mesazhi që po qarkullon është jashtëzakonisht i zymtë. Tepër i zymtë. Edhe kur dyshimet janë të rënda dhe pozita shumë e lartë, përgjegjshmëria duket se bëhet e diskutueshme, veçanërisht kur në lojë futen ndikimet e pushtetit ekzekutiv.
Në thelb, çështja nuk ka të bëjë vetëm me një funksionare të rangut të lartë shtetëror, të vënë tashmë nga GJKKO nën akuzë penale përmes një procedure gjyqësore.
Ky rast është bërë simbol i një perceptimi që tashmë ka marrë formë të kristalizuar: se institucionet më të larta të vendit, ato që duhet të qëndrojnë si mekanizma të pakomprometuar kontrolli, po shfaqin dobësi atje ku pritet të jenë më të forta.
Dhe këtu shtohet një element që për publikun është po aq domethënës sa vetë vendimi: ritmi me të cilin veproi Gjykata Kushtetuese. Shpejtësia marramendëse me të cilën kjo çështje u mor në shqyrtim krijon një pështjellim të pashpjegueshëm dhe ndjesinë e një institucioni që mezi kishte pritur ta trajtonte këtë rast.
Në një realitet ku proceset zakonisht zvarriten, ku mijëra çështje presin me vite të hyjnë në rend dite, fakti që kjo dosje u trajtua me një urgjencë të pazakontë u lexua gjerësisht si një sinjal i pashmangshëm: se kur preket pushteti, sistemi lëviz me një shpejtësi të çuditshme e marramendëse.
Kjo nuk është thjesht përshtypje, por një dritare e drejtpërdrejtë në atë se si formohet perceptimi i krizës së besimit.
Gjykata Kushtetuese, që duhet të mbrojë parimet themelore të Republikës, sot u përball me një provë ku qytetarët prisnin jo vetëm ligjshmëri, por edhe një ndjeshmëri të lartë ndaj standardit të përgjegjshmërisë publike.
Për shumë shqiptarë, vendimi nuk e dha këtë siguri. Përkundrazi, ai u duk si një tërheqje e barrierave të drejtësisë pikërisht në pikën ku eksponentët e pushtetit preken nga hetimet.
Ky është një dëm që nuk rikuperohet lehtë, ngase nuk prek vetëm perceptimin për një çështje të vetme, por ushqen një klimë mosbesimi që shtrihet në gjithë sistemin përmes këtij precedenti të pashembullt.
Është dramatike për një demokraci që qytetarët e saj të besojnë se ligji funksionon me dy standarde: ndryshe për njerëzit e zakonshëm dhe ndryshe për zyrtarët e lartë. Sot, shumë prej tyre e lexuan vendimin si një konfirmim të kësaj ndarje të padrejtë.
Ky nuk është thjesht problem i drejtësisë; është problem i vetë shtetit.
Gjykatat nuk janë thjesht zbatues të ligjit, por arkitektët e besimit publik.
Nëse një vendim krijon përshtypjen se fuqia politike, edhe kur është në shkelje të ligjit, është e paprekshme, atëherë çarja midis qytetarit dhe institucioneve thellohet.
Reforma në drejtësi fillon të perceptohet jo si një projekt i emancipimit institucional, por si një strukturë e bukur në letër, por e brishtë në realitet.
Shqipëria ndodhet në një moment historik ku ka nevojë të dëshmojë se shteti ligjor nuk është një trill. Në këtë kuadër, çështja Balluku ishte një mundësi për të treguar se askush nuk qëndron mbi përgjegjësinë. Por vendimi i sotëm e la këtë provë të hapur dhe të pambyllur.
Ai e zhvendosi debatin nga ligjshmëria te morali institucional, nga teknikalitetet te integriteti, nga dispozitat te perceptimi. Dhe perceptimi është i prerë: edhe këtë herë, sistemi duket se u rreshtua më pranë pushtetit sesa pranë interesit publik, pranë qytetarit.
Reforma në drejtësi nuk matet me raportet ndërkombëtare, as me struktura dhe zyra të reja apo me emra të institucioneve. Ajo matet me një tregues: nëse qytetari ndihet i mbrojtur nga ligji. Sot, shumë shqiptarë u ndjenë më të pambrojtur. Dhe ky është alarmi i vërtetë që ky vendim ndezi.
Një demokraci mund të përballojë gabime politike, kriza ekonomike, madje edhe polarizim të fortë, por asesi nuk përballon dot krizën e besimit te drejtësia. Sepse aty fillon erozioni i themeleve të shtetit ligjor.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është fundi i kësaj historie, ngase nuk e zhbën dot një hetim të thelluar dhe të zgjeruar që kanë ndërmarrë SPAK dhe GJKKO ndaj zv.kryeministres Balluku.
Por ky vendim është fillimi i një pyetjeje shumë më të madhe: a kemi një drejtësi që i reziston presionit të pushtetit, apo një sistem që lëkundet sa herë që pushteti përballet me të?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të përcaktojë jo fatin e një çështjeje, por fatin e vetë Republikës!
Tiranë, e premte – 12 dhjetor, 2025