Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot se uniteti mes Evropës, Ukrainës dhe SHBA-ve është vendimtar në negociatat për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Zelensky e bëri këtë deklaratë gjatë vizitës së tij në Londër, ku po kërkon të sigurojë mbështetje nga aleatët e Kievit për një përpjekje paqësore të udhëhequr nga SHBA.
Nga ana e tij, kryeministri britanik Keir Starmer theksoi se çështjet që lidhen me Ukrainën duhet të vendosen nga vetë Ukraina. Këtë ai e tha pas takimit me Zelensky-n, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz. Macron shtoi se ekonomia ruse ka nisur të ndiejë presionin nga paketa e fundit e sanksioneve.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh “i rezervuar” për disa detaje të dokumenteve të propozuara nga SHBA, por tha se diskutimi për to është i domosdoshëm, ndaj dhe po zhvillohen këto takime.
Pas Londrës, Zelensky do të udhëtojë drejt Brukselit, ku do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Më pas, ai do të shkojë në Romë, ku nesër pasdite pritet të takohet me kryeministren Giorgia Meloni. gsh