S`besoj se shfaq ndonjë mburrje, nëse them se krijimtarinë e shkrimtarit Odise Kote: e njoh. Sikurse sterën, që gjirokastritët e mbushnin në kohë shirash, i mbushur jam edhe unë me përjetime, përgjatë leximit të poezive të tij dhe i erdhi radha t`i shkarkojë. Në botën e sotme i lexohet mosha shtresave të dheut, pemëve, mbetjeve arkeologjike, sikurse maten largësitë e yjeve, por, artit nuk i duhen: as mosha dhe as largësia, veçse shpirti dhe idetë. Natyrisht, ajo që ka rëndësi: mënyra se si ato janë shprehur. Kur dëgjon ekspertët e ekonomisë apo të ligjeve, përfshi dhe emërtimet latinisht të mjekëve, për t`u bërë të kuptueshëm për publikun, u këshillohet që t`i shmangin ato. Dihet që metafora është mbretëresha e gjuhës figurative, dhe asnjëherë s`është e lehtë të bëhesh mbret i mrekullisë, pasi shumë syresh gënjehen nga magjia e saj, duke përngjarë me zanatxhinjë, që më shumë prishin se sa ndreqin.
Të gjithë shkrimtarët kanë disa parime, që ia vendosin vetes, të cilat i gjen të shprehuar në vargje, sikur dhe një i tillë: “Mos ik, o njeri, nëpër shtigje të rrahura!”, duke shfaqur devizën:
Dua psalm të ri
që ngre në këmbë të pamundurin.
Ky ngulmim i autorit Odise Kote për shtigje dhe psalm të ri më kujtoi udhëtimin e Robert Kukut në eksplorimin e Antarktidës. Në momentin, kur ai kujtoi se ishte i parë që zbuloi kontinentin e bardhë, pa një vendbanim të braktisur. Një ekspeditë kish qenë para tij. Ndryshe nga eksploruesit e tokës, që s`kanë lënë vend pa zbuluar, bota krijuese ka vend për të gjithë, nëse ecën në rrugën tënde. Askush nuk e sheh me sy të lirë trafikun e avionëve në qiell, por nëse rastis ta shohësh monitorimin e tyre nga satelitët habitesh se si ata nuk përplasen. Ndërsa Pegasi, kali fluturues i muzës, e humbet rrugën nëse ecën kuturu. Pa harruar se “Shtigjet e rrahura” janë të zëna me profilet fallco, ndaj poeti ngre shqetësimin qytetar, se shoqëria e konsumit po bie në flamën e verbimit, ku përqafimi ka humbur afshin njerëzor:
“Po vijnë manekinët, ushtria memece,
si flamë kolektive po bie verbimi.
A ka më kuptim ajo pikëza e lotit,
a ka më afsh njerëzor përqafimi?”
Si të gjithë ata me vetëdijë të kalitur, i pret të mirat nga përballjet: “Unë e di, gjërat e mira i gjen pas furtune”, sikurse: “Nuk jam rrjedha që shkon kuturu.”, duke mos ia lejuar vetes të harxhohet pa kriter. Në këto rrethana duhet të ketë marrë spunto dhe titulli i librit të fundit poetik “Vetëdija ime mban meshë”, sikurse na e përligjin dhe vargjet:
Askush nuk të thotë sa i trashë është mëkati,
sa i zi tundimi, që ngjitet kat më kat.
Mëkatin e shkakton herezia e ndjenjave, të cilat janë mëse të falshme krahasuar me tundimin e një kariere që “ngjitet kat më kat”, por që mund ta ketë daljen tek dera e qelisë. E gjithë kjo atmosferë përjetimesh lartësohet me vargjet:
Dimrin vetmitar që po vjen në shpirt,
me mungesën e gjatë të trokitjes tek dera.
Më shumë se Njeriu apo dhe një prift,
e ndjeu një degëz e thyer nga era.
Më tepër nga njerëzit dhe kleriku dimrin vetmitar e ndjen “degëza e thyer nga era”. Kjo finesë të shprehuri më ngjalli atë emocion, që më ka dhënë vargu i poetit libanezo-amerikan Kahil Gibran: “Për degën e tharë mban përgjegjësi e gjithë pema”.
Askush tjetër veç poetit, nuk duhet lënë vetëm dhe, që, t`i gjendet pranë, s`ia kërkon askujt, por, nuk e kursen mirënjohjen për “pazhin” sikurse i gëzohej Bajroni apo “mikeshës”, sikurse i drejtohej Esenini.
Të gjithë ikën, ti më mbete,
mike moj, e paqortueshme.
Ti më shpure ku s’më qasnin.
Ndërsa për ata që lëndojnë nuk mungojnë vargje si këto, të cilëve u ndihet stoicizmi: “Dhimbja nuk ndalet duke u ankuar” dhe se “Hiri i dhimbjes është polen.” Për më shumë, ofron vargjet:
Kam dashur të harroj, nuk dija sesi,
s’gjeta asnjë lutje, mesazh apo psalm.
Shkenca e dorëzuar krejt në pafuqi,
mahnitja nuk shpjegohet dot me fjalë.
I bindur se rruga e vështirë për tek arti, ka dhe dështime, shkruan: “Jo gjithmonë burrat e mirë kthehen ngadhnjimtarë.” Ka dhe më keq: “fitimtarët e mjerë që si të humbur ngjajnë.” Nuk mund t`mos më tërhiqte vëmendje vargu: “Në Gjirokastër duhen vite për t’i besuar dikujt.” Kjo ndjenjë mosbesimi, në shoqërinë e sotme të interesit sa vjen e thellohet. (Postimet nga Nju Jorku i hedh zakonisht në orë të vona, duke llogaritur që të lexohen në atdhe në të gdhirë, por, dy shkrimtarë më ndodh t`i gjej zgjuar: Odise Koten dhe Bashkim Hoxhën.)