Presidenti Volodymyr Zelensky, tha sot se bisedimet midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë mbi propozimet që lidhen me përfundimin e luftës me Rusinë, do të zhvillohen së shpejti.
Në video-fjalimin e tij drejtuar kombit, presidenti ukrainas tha se zyrtarë të lartë ukrainas që përfaqësojnë ushtrinë, ministrinë e jashtme dhe shërbimet e inteligjencës, do të marrin pjesë në bisedimet se si t’i jepet fund luftës, e cila po i afrohet vitit të saj të 4-t.
“Rusia dëshiron vërtet që Ukraina të bëjë gabime, nuk do të ketë gabime nga ana jonë. Puna jonë vazhdon. Lufta jonë vazhdon”, theksoi Zelensky në postimin e tij.
Më pas ai shtoi:
“Nuk kemi të drejtë të mos ndërmarrim veprime, nuk kemi të drejtë të tërhiqemi ose të mos pajtohemi. Nëse humbasim unitetin, rrezikojmë të humbasim gjithçka: veten, Ukrainën, të ardhmen tonë. Duhet të bashkohemi, të durojmë. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Nuk do të kemi një Ukrainë tjetër. Ne po e mbrojmë Ukrainën”.