1.
Ec ti, hija ime, rrëpira ime ec ….
trishtimi më i vogël
veç tek jeta ime
jo gjithandej.
.
Në fluturimin tonë të kasnecit
afërtutjeafër, gjatë sa shkurt
ne jetën e shkëlqejmë
me dekore
e ledhim
ia pijmë qumështin
dhe flladet
aty ku çelin
pastaj
në besë e presim
i cytim halë në sy
thikë në gjumë.
.
Ec ti, hija ime
plot rrëshekë e hire
diku e gjitha ti ankth
e gjitha përhitur urnë,
mos zapto në Vlorë breg
asnjë thërrime në alpe mos
zapto mahnitjeve pyll as kullë.
2.
Me butësi breg dhe mal jetojmë
por kur endemi tyre rreth e qark
nuk shohim një fije teli
as fije balone
ku fëmijëritë
ëndërrojnë
fëmijtë
por
shohim fëmijë
elektronesh
kafaz.
.
Mbi tel luajnë rrallë, padukshëm
dhe të kërrusurit, të kërrusurit
plagosen shpejt e shpesh,
(dikur ata plot dallgë
mbushur hoje vere
tani as thumb
as rrezë.)
3.
O hije,
mos u largo prej tyre
lehtë – lehtë afroju
tinëz ballaz pak,
ata me ty
nuk grinden
mëri të mbajnë
gjys’ fryme
nuk të përkulen
të kanë ty
hir të artë.
.
Ky hir i hirtë pllangë … vetvetja…
e humbasim … e gjejmë
vonë … për … më vonë,
Ec ti, hija ime
ti je më e buta
tëposhtë
të përpjetash
ti … rrëpirë e ujrave
pjergull që loton fshehtas
lëndinë ku feksja gëzon hov…
.
Ç’hov ?
S’gënjejmë, gënjehemi
të pastër në mes tonë jemi.
.
Ec ti, o hije
rrëpira, rrëkeza ime
nëpërkëza ime e vogël
rrëmujë qetë kthjell’ trisht’,
në mes tonë afër
pendohemi
prehemi
.
Eja, mos më ec në gisht.!!!