Fshatrat përgjatë lumit Vjosa paraqiten më të qeta këtë mëngjes, pasi lumi është tërhequr brenda shtratit të vet dhe uji nuk është më prezent në oborret e banesave të prekura.
Në disa sipërfaqe toke ende ka ujë, por pritet që ai të largohet gradualisht.
Ndërkohë, lumi Seman ka prurje më të larta për shkak të shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës, të cilat, megjithëse konsiderohen të kontrolluara, vazhdojnë të ndikojnë tokat bujqësore të zonës.
Prezencë uji ka edhe në disa parcela të mbjella brenda argjinaturës, kryesisht për shkak të kanaleve kulluese që prej kohësh nuk janë pastruar, duke e rënduar situatën për banorët.
Pavarësisht dëmeve të raportuara, ende nuk është ngritur një komision zyrtar për verifikimin e tyre, duke lënë komunitetin në pritje.
Banorët janë njoftuar që të deklarojnë në njësitë administrative sipërfaqet e tokës së dëmtuar dhe kulturat që kishin të mbjella, ndërsa verifikimet do të kryhen vetëm pasi të ngrihet komisioni, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të bashkisë, prefekturës dhe njësive administrative.