Ish-kandidati i PD-së për deputet dhe kryetar Bashkie në Kuçovë, Lefter Maliqi, deklaroi se ka depozituar 11 denoncime në SPAK për abuzime me tenderë dhe prokurime nga kryebashkiaku i Kuçovës dhe zyrtarët e tjerë vendorë dhe se nesër do të shkonte përsëri në organin e akuzës për një tjetër çështje.
Ai tha se kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari duhet të ishte shkarkuar pas dënimit nga GJKKO, por KQZ e mbrojti, pasi fshehu një dënim në Greqi. Ai e akuzoi të zgjedhurin vendor për lidhje me oligarkët të cilëve u jep tenderë dhe për korrupsion, përfshi edhe anëtarët e familjes.

“Kam bërë 11 denoncime, nesër do të jem përsëri në SPAK për një tjetër çështje. Unë nuk mund të bëj denoncime pa prova, sepse kam qenë edhe oficer policie. Ka abuzime me tenderat e ujësjellësit në disa fshatra dhe për rrugët. Kryebashkiaku i Kuçovës është i implikuar në këto shkelje. Ai duhet të shte shkarkuar sepse ka qenë i dënuar në Greqi dhe GJKKO e dënoi, duhet të ishte shkarkuar nga Rama. Ai nuk e apeloi dënimin për fshehjen që bëri për çështjen e Greqisë, pra e pranoi krimin, ndaj duhet të ishte larguar”, u shpreh Maliqi për “News 24”.
Ish-kandidati tha se do hynte përsëri në zgjedhjet e ardhshme lokale, teksa në ato të fundit ia grabitën mandatin me pak vota.
“Ndaj edhe në bashkinë e Kuçovës ma grabitën me pak vota, por unë nuk do ndalem, do kandidoj përsëri në zgjedhjet e ardhshme që po afrohen. Kam bërë dhe do bëjë denoncime të reja ndaj tij. Edhe nesër do denoncoj një tjetër kallëzim penal. Ne kemi çuar indicie për të, familjarët e tij dhe për oligarkët, tani është në dorë të SPAK-ut”, u shpreh ai.
Maliqi foli edhe për situatën politike, ku vuri theksin te bashkimi i opozitës dhe pastrimi i radhëve të saj. Sipas tij, pushteti, oligarkët dhe krimi janë bërë njësh, po blejnë edhe njerëzit opozitarë duke i joshur me poste, teksa bënë masakër elektorale më 11 maj. Për të arritur këtë, fillimisht burgosën liderët e opozitës.
“De fakto jemi narkoshtet, krimi emëron zyrtarët deri ministra e deputetë. Kriminelët bëjnë resorte dhe marrin tenderë e funksione. Po u del boja, kjo qeveri ka rënë, SHBA po mbështet SPAK-un në hetime. Siç e shikoni me ministra, zv/kryeministra e deputetë janë të gjithë nën akuzë dhe po shkojnë në burg. Janë b♪7rë lobime me paratë e tuneleve dhe tenderëve. Përfshi edhe Tërmet Peçin të fundit. Këto para janë përdorur për të blerë ndonjë McGonigal, ambasadorë e të tjerë. Oligarkët dhe banditët e pushtetit janë bërë një. Ilir Meta u arrestua në mënyrë banditeske, e pamë, pa asnjë provë, ka një vit brenda. Arrestuan për një vit liderin e opozitës, Berishën, i morën vulën, me qëllim që t’i merrnin zgjedhjet, që të mos fitonte. Edhe me Mediun kështu vepruan dhe bënë masakrën zgjedhore. Opozitës i lind si detyrë për protesta”, tha ai.
Dhe që opozita të bashkohet, në fillim ajo duhet të pastrohet sipas ish-kandidatit të PD-së.
“Ndaj Berisha ka thënë që ka ardhur momenti të pastrojmë shtëpinë tonë, sepse pushteti po ble edhe njerëzit brenda opozitës. Mendoj se opozita duhet të jetë në terren, përballje me pushtetin. Shpresojmë që të bëhet një bashkim opozitar, të vihen pikat mbi “i” dhe të ndryshojë situata”, përfundoi Maliqi. gsh