PILO DHIA
1.
Atëbotë, në qytetin tonë industrial, ishte ditë radhe për tollonin e mishit. Si radha në mulli.
Xha Piloja, ardhur dikur prej minoritetit si punëtor ndërtimi, ishte ngritur në mesnatë dhe në vend të një cope tulle apo çante, sipas zakonit për të zënë radhën nga frika se mishi mbarohej; qëndroi vetë në radhë te pragu i dyqanit të Ftikos në MAPO-n e qytetit.
I gëzuar Pilo doli nga radha ndër të parët me mishin e paketuar të tollonit në dorë.
Rrugës për në shtëpi e pyet një komshie që nxitonte edhe ajo për në radhën e mishit.
-Pilo, të keqen motra, çfarë mishi i ka rënë lagjes sonë?
Pilo:
-Pos to lene? Pos to lene?*) (Si e quajnë? Si e quajnë?) ……
Pastaj bëri lidhjen logjike.
-Blevaaaa, …mish …burrë dhie, Mish burrë dhie…bleva.
-Aaa, ke marr mish cjapi. Ta hash gëzuar, Pilo!.
Dhe mbeti në zhargonin e qytetit të vogël shprehja me humor: “mish burrë dhie”.
Ndërsa nga ajo ditë e më pas, xha Pilon e thërrisnin Pilo Dhia.
***
2. MUUUU…
Lavdim Soronea më tregonte si e kapërceu “lumin” e gjuhës së huaj në Berlin pa ditur as edhe nje fjalë për be, nga gjermanishtja.
-Ishte hera e tretë që shkoja te vajza në qytetin gjerman. Tok me Minenë time shoqe, i gëzohemi fëmijëve të hapur në anë të ndryshme të botës. Një javë apo dy në Gjermani te vajza, Bela. Dhjetë ditë apo një muaj, te djali në Itali dhe një muaj në Kinë, te djali tjetër i martuar me nje kineze.
-Në Kinë:?
-Pse habite! Nusja jonë është kineze nga Shangai. Vajzë e mrekullueshme.Krushku im quhet Li dhe është babaxhan dhe shpirt njeriu. Djali u njoh me nusen gjatë studimeve në Amerikë dhe, u dashuruan. Edhe ne kohën tonë, atë të diktaturës, dashuria lejohej. Ligji nuk e ndalonte. Por këto të sotmet, të kohëve moderne janë bërë si të thuash, kontinentale që nuk njohin kufij, byrazer.-më shpjegoi Lavdim Soroneja.
– Nuk habitem, jo.
– Kështu ndodhi. Në vend që ta merrte djali vajzën e ta sillte në Shqipëri, e mori ajo djalin dhe e çoi në Kinë. Punojnë në një kompani dhe janë të kënaqur. Kanë edhe nje bebush me faqe si mollë Korçe.
Pastaj më sqaroi se udhëtimet i bënin sipas nje kalendari, të koordinuara nga fëmijët në Gjermani, Itali dhe Kinë.
Ladi më tha për episodin në supermarketin e mishit ne Berlin.
***
Gjithë ditën me gruan të mbyllur në shtëpi, në fillim, mërzitesha. Po edhe dilnim pastaj dhe në parqet e jeshilta të lagjes ku banon djali me nusen, të dukej vetja si në parajsë. Jo në Berlin.
-Një ditë i them djalit: më jep ndonjë porosi për psoni *) (Blerje )në supermarket.
-Shumë mirë, baba. Ti e di dyqanin më të afërt ku ne bëjmë pazaret. Shko dhe merr për sot dy kilogramë mish viçi. Thuaj ketë fjalë gjermanisht…. Ju lutem, dy kilogramë mish viçi.( „Bitte, zwei Kilo Rindfleisch.“ ) . E mban mend?
Dhe për siguri, katër fjalët gjermanisht që do të komunikoja, m’i shkroi edhe në një fije blloku.
Do ti, që diku ajo fije blloku që ma dha djali se ku më ra? Hyj në supermarket dhe shkoj te dyqani i mishit. Fut dorën ne xhep para shitëses. Hiç fletë. Fut në xhepin tjetër. Asgjë.
Shitësja mendoi së me mungonin eurot dhe në çast, ndjeva se u bëra paparunde na fytyrë.
I sigurt nxora dy copë monedha pesëdhjetë euroshe mbi banakun e dyqanit që të kuptonte se paratë i kisha.
Atëhere ajo e kuptoi se ku rrifte çekani. Më tha disa fjale që lidheshin me llojet e mishit besoj. Unë ngrija supet.
Pastaj e mblodha mendjen dhe i rashë shkurt, duke thënë:
-Muuuu!-dhe ngrita lart dy gishtat e dorës.
Shitësja e bukur qeshi vesh më vesh, mori mishin e viçit nga vitrina dhe më preu sasinë që kërkoja unë, dy kilogramë nga shenja me gishtat. E paketoi dhe ma vuri para.
-Muuu!-bëri edhe ajo me një lloj mirësie, duke me kthyer reston e eurove mbi banak pranë kasës së llogarisë.
Kur djali dhe nusja pas pune u kthyen në shtëpi, nusja më thotë:
-Faleminderit baba, për psoninë e mishit! Na kurseve kohën tonë.
I them unë:
-Vajzë e mirë ajo shitësja e mishit.
-Nga e kuptove? -hidhet djali.
U tregova historinë e “Muuu-së”
Të rinjtë qeshën por gruaja, Mineja ime mblodhi bashkë gishtat e hapur të dorës së djathtë dhe i vuri në faqe.
-Ç’më qesh?! U bëmë gazi i Gjermanisë, more qyq!
-Grua,-i them,-rëndësi nuk ka nisja, por bitisja*) (*përfundimi), rezultati.
-Po, more gaz’ i Berlinit, po!-më thumboi përsëri Mineja.
***
3. NJË KILOGRAM MBATHJE…
Aristoteli, shoku im i fëmmijërisë, tani mësues matematike në gjimnazin e qytetit më rrëfeu një ndodhi me vjehrrën e tij minoritare greke nga koha socializmit fitimtar.
-Sofulla, mamaja e Anthullës kur shkoi nuse pas të shoqit në një qytet industrial vite më parë, nuk dinte as edhe një fjalë shqip, e ngrata.
Një ditë shkoi të blinte në MAPO-n e perimeve dhe të frutave një kilogramë bathë për gjellën e drekës.
-Urdhëroni shoqe! Ç’do të blini?-tha shitësja që buronte buzëqeshje.
Vjehra, nxori mbi banakun pranë peshores çantën e pazarit dhe bëri kërkesën.
-Dua një kilogram…një kilogram …. mbathje-shqiptoi e lehtësuar që e gjeti fjalën shqip.
Shitësja e sjellshme i thotë me dashamirësi:
-Furnizimi me perime u be sot nga ferma e Mogilave dhe tregoi me dorë perimet në vitrinën me kuadrate druri të mëdha.
– Kemi lakër, qepë të freskëta, karrota , patate, hudhëra. Të gjitha të freskëta nga të Fermës.
Sapo shitësja shtriu dorën nga patatet, vjehrra tha.
-Ato, ato.!
-E kuptova. Sa kilogram bathë do marrësh?
-Dy ,-tha sofulla.-Qillo., dy*)(kilogramë)
***
4. KRUSHQIT DHE MASA ELEKTRIKE TE LOFATA
Në vizitën e parë të krushqëve nga një fshat i Labërisë në fshatin e nuses për djalin, fshat minoritar, pasi kish nisur darka me gjithe të mirat e kohës, befas, ikin drita….
Krushqit dhe të zotët e shtëpisë atë pasdite dimri, mbetën në terr.
-Opopooo-tha i zoti i shtëpisë. -Po tani?
Hidhet krushku lab:
-Mos u shqetësoni, ndonjë defekt nga gjithë kjo erë e marrë që fryn po thuaj të na vijnë shpejt dritat. Atë thuaj. Mos u shqetëso. Edhe nga ne ikin.
I zoti i shtëpisë doli në oborr dhe nisi të thërrasë me të madhe:
-Harallambi o Harallambi, pu ise vre Babi?* (ku je more Babi) Dini gjë kur do vijnë për dritat?
-Kanë avaz kanë kathe vradhi ,tetia faji kanete!*) (këtë zakon kanë, çdo mbrëmje, të tilla bëjnë)
Pas pak u dëgjua komshiu:
-Ka defekt tha elektriçisti i fshatit, si gjithmonë te lofata nga era mos janë bashkuar telat.
Kur hyri i zoti i shtëpisë në dhomë, nikoqirja kishte ndezur dy llampa me vajguri.
-Tani le të vijë kur të dojë drita,- tha mysafiri lab, si për t’u solidarizuar me ndriçimin e llampave dhe shtoi:
– Andej nga ne ikin më të rrallë se kemi linjë të re. Po edhe ne, llampat me vajguri i kemi në gadishmëri.
Pas gjysmë ore që nga oborri u dëgjua zëri i komshiut që foli diçka në gjuhën amtare dhe befas në shtëpi ndriçuan sërish llampat elektrike në të gjitha dhomat. Kjo u shoqërua me një ndjenjë gëzimi që u përhap në dhomë.
-Hajde gëzuar dhe ta kemi të pandarë krushqinë!- tha miku.
-Me këmbë të mbarë, o krushk dhe ta kemi të pandarë-ia ktheu i zoti i shtëpisë.
-Po si ndodhi? Ikin çdo ditë dritat në darkë?
-Jo, jo. Kemi shumë kohë që i kemi në rregull, po nga era u bë një defekt te pema, te pema, mu te koqia*…(lofata).
-Ah? Si the zotrote?-pyeti mysafiri jo pa habi , duke parë nga krushku dhe vëllai i tij në tavolinën e madhe
-Te koqia te koqia , kishte bërë masë……-shpjegoi i zoti i shtëpisë.
Krushqit u panë mes tyre të hutuar.
-Te cila koqe, bëri difekt? Kaq i madh sa iku edhe drita në fshat? -iu drejtua me zë të ulët dhëndërri babait të nuses.
I zoti i shtëpisë e thithi keqkuptimin e krijuar .
-Bëri nje masë elektrike nga era te pema, te lofata te bregu i fshatit po ne me gjuhën tonë i themi: koqia.
-Hajde gëzuar!-u çlirua kryekrushku mysafir.
-Një shëndet për çiftin! ///
