Zyrtarët e pesë ushtrive më të mëdha evropiane shfrytëzuan një takim të mbajtur të premten në Berlin për të dërguar një mesazh të qartë uniteti: mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë për sa kohë të jetë e nevojshme, raporton Politico.
Sipas konkluzioneve kryesore, ndihma ndaj Kievit nuk do të ndalet, kërcënimet hibride ndaj Evropës po rriten me ritme të shpejta, ndërsa fuqitë më të mëdha të kontinentit synojnë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre, teksa lufta po hyn në një tjetër dimër të vështirë.
Qëndrimi i Gjermanisë
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, hapi takimin duke theksuar se Berlini do të vazhdojë rolin udhëheqës në mbështetjen e Ukrainës. Ai njoftoi se Gjermania do të ruajë financimin shumëvjeçar për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot dhe raketat interceptuese përmes mekanizmit PURL, që koordinon dërgesat e armatimit amerikan nga vendet e NATO-s drejt Ukrainës.
Gjermania ka financuar tashmë 500 milionë euro në mjete të mbrojtjes ajrore përmes këtij mekanizmi dhe pritet të shtojë të paktën 150 milionë euro të tjera në paketën e re të rënë dakord këtë javë. Pistorius shtoi se Berlini planifikon të paraqesë “diçka thelbësore” për blerjet e përbashkëta me Mbretërinë e Bashkuar në takimin e radhës në Varshavë.
Qëndrimi i Francës
Franca kërkoi rritjen e presionit afatgjatë politik, ekonomik dhe ushtarak ndaj Moskës. Ministrja franceze e Forcave të Armatosura, Catherine Vautrin, theksoi se Parisi do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Ajo bëri thirrje për zbatim më të rreptë të sanksioneve, duke paralajmëruar se “flota fantazmë” e anijeve ruse që shmangin kufizimet financojnë në mënyrë të ndjeshme makinerinë ruse të luftës.
Qëndrimi i Italisë
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, njoftoi një paketë ndihme prej 800 milionë eurosh për infrastrukturën civile të Ukrainës, përfshirë gjeneratorë për të përballuar mungesat e energjisë gjatë dimrit. Ai konfirmoi gjithashtu se Italia do të shtojë edhe ndihmë ushtarake përmes paketave të saj të katërt dhe të dymbëdhjetë. “Angazhimi ynë ndaj Kievit është i përhershëm,” deklaroi ai.
Qëndrimi i Polonisë
Nënministri polak i Mbrojtjes, Pawel Zalevski, deklaroi se siguria evropiane lidhet drejtpërdrejt me qëndrueshmërinë e Ukrainës. Polonia, sipas tij, po vazhdon furnizimet me armatim, ndihmën ekonomike dhe mbështetjen politike për Kievit.
Ai theksoi se Varshava planifikon të investojë mbi 40 miliardë euro në projekte të industrisë së mbrojtjes në kuadër të programit të ri investues të BE-së, përfshirë bashkëpunime me kompanitë ukrainase brenda territorit polak.
Paralajmërimi i BE-së
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dha paralajmërimin më të fortë të takimit, duke raportuar rritje të ndjeshme të sulmeve hibride, akte sabotimi, sulme kibernetike dhe përdorimin e dronëve dhe u kërkoi kryeqyteteve evropiane të mos i pranojnë këto si “normalitet të ri”.
“Ukraina ka nevojë për më shumë mbrojtje ajrore dhe më shumë municione,” tha ajo, duke theksuar se kapacitetet evropiane duhet të përshtaten me ritmin e sulmeve ruse. gsh