Shefja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anke Weber, ka dhënë një deklaratë mbi sfidat ekonomike të vendit dhe reformat e nevojshme për t’u përballur me to.
Gjatë prezantimit të fundit, Weber theksoi se Shqipëria duhet të rrisë të ardhurat e ulëta tatimore përmes harmonizimit të shpenzimeve tatimore, avancimit të reformës së taksës së pronës dhe forcimit të administrimit tatimor me anë të teknologjisë së informacionit.
FMN vëren se produktiviteti në vend mbetet i ulët, ndërsa tregu i punës po përballet me tkurrje si pasojë e papunësisë së lartë te të rinjtë dhe emigracionit.
Weber theksoi se dobësitë në qeverisje dhe kufizimet administrative vazhdojnë të jenë barriera për zhvillimin e biznesit.
“FMN rekomandon rritjen e të ardhurave të ulta tatimore të Shqipërisë duke harmonizuar shpenzimet tatimore, duke çuar përpara reformat në taksën e pronës dhe duke forcuar administrimin e të ardhurave tatimore përmes teknologjisë së informacionit.
Jemi të vetëdijshëm për rreziqet që po dalin dhe kërkojnë vëmendje nga afër. Është parë një rritje e fortë në huadhënien bankare. Edhe pjesa e valutës duhet të menaxhohet me kujdes.
Duhet të këtë bashkëpunim mes institucione dhe qeverisë, kjo duhet të mbetet thelbësore.
Produktiviteti mbetet i ulët dhe krahu i punës po tkurret midis papunësisë së lartë mes të rinjve dhe emigracionit. Dobësitë e qeverisjes dhe kufizimet e kapaciteteve administrative paraqesin pengesa për bizneset.
Për të përmbushur angazhimin e qeverisë për tu anëtarësuar në BE deri në 2030 do të duhen reforma gjithëpërfshirëse në kapitalin njerëzor, tregun e punës, sundimin e ligjit dhe rregullat e biznesit.
Ne në FMN mbetemi të përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në këtë rrugëtim. Ne do punojmë me autoritet për të nxitur stabilitetin makroekonomik dhe standarde me të larta jetese. Në këtë kontekst fondi planifikon një vlerësim stabiliteti financiar në përputhje me FMN, BB dhe procedurat në fuqi”, tha Weber. Panorama