NUK MBAJ MEND
.
Nuk mbaj mend
apo nuk e di,
duket si një gënjeshtër,
apo fsheh një dhimbtë.
.
Kanë kaluar shumë vite,
askush nuk do të besoj,
kujtesa nuk mbron gjithmonë
diçka ka fshirë.
.
Ah, kujtimet ikin,
Edhe ato të mirat…
pa Lamtumirë.
.
2 D
.
Diktatura ka nevojë për të nënshtruarit,
aq shumë i do,
bën sikur i puthë…
Demokracia nuk ka nevojë,
po nuk e deshe,
ajo të përbuzë…
.
NJË KORE BUKE NGA TIRANI
.
Zogj me krahë
pa pupla që njohin
vetëm kafazin…
–
E rrokin lirinë,
një Alienë e huaj,
e largtë.
.
Të sigurtë,
hapin sqepin për pak kokrra drithë,
ushqehen prej tiranit,
të njohur,
ndër breza,
djalë pas djalit…
.
ANI, ANI…VDEKJA KA NISË ME ARDHË
.
Vdekja ka nisë me ardhë…
Kapuçët e gjunjëve me eshtnit e kembëve kanë nisë me u zanë,
rezët e dyerve
kanë ngelë pa vaj,
ditë e natë rrinë tuj cijatë…
E prapë kurr nuk ndalem,
deri në fund kam me ecë.
.
Vdekja ka nisë me ardhë,…Kurrizi nuk është ma drejtë,
mullar bari
njanue prej bore,
hangër fundin
prej dhenëve n’trolli
pa e sos dimri krejt.
E prapë ashtu me kurriz të kthyem
deri në fund nuk do të ndalem,
kam me ecë.
.
Vdekja ka nisë me ardhë…
Gjyksi gjuhet hucla,
kërcet kokrrizi n’shikulla n’bjeshkë,
fryma hyn e del ngadal
pa u ndie
si postagjia nën brrylë t’lokës,
n’margëz t’oxhakit tuj u zhagitë poshtë e përpjetë.
E prapë do të marrë frymë deri në fund,
kurr nuk do të ndalem,
kam me ecë.
–
Vdekja ka nisë me ardhë…
E kryet ka nisë t’ushtoj,
vegshi me çorbë plancash n’prush tuj u derdhë,
hini e avulli nuk le me i pa veringtë e oxhakit vjerrë.
E prapë kryet do ta çoj deri në fund,
me kryet lart kurr nuk do të ndalem,
kam me ecë.
.
E në fund,
kur trupin tim ta mbulojnë me dhe,
vdekjes do i them kot e ke moj bushtër,
e n’gjuhën time të dytë,
fak ju ( fuck you ).
Mbaje trupin tim ku të duash,
e kur të duash,
në vendlindjen time
shpirti im ka me ecë.
.
VARGJET E MIA SI FËMIJTË E PLEQËVE
.
Vargjet e mia
janë si fëmijtë e pleqeve,
pa i marrë
kush perdore në shkollë,
pa i çue kush në park
a në plazh asnjë dite…
.
Emrin e prindërve
duan ta harrojnë kur prezantohen,
askush nuk u tha djali i bosit,
i presidentit
a vajzë e shefit te policise…
.
Çuditem që disa i duan…
Duke fshire puthjet e pleqeve me dore janë rritë…
.
As dasma nuk bejnë kur martohen,
as ditëlindje nuk festojnë,
pa babë e nanë nuk bëhet vallja,
e paret lumë per orkestren nuk hidhen.
.
Edhe pse fëmijë pleqesh,
pa silikon i kanë faqet e gjinjté….
.
KUAJT E EGËR
.
Në gurrën time të muzës
pi ujë bashkë me kuajt e egër.
.
Vrapojnë
me vargjet e mia
pa shalë e pa fre.
.
Duke ju hedhë kokrra drithi e kripë në rrasa,
pa dashtë i zbusë,
i trembë.
.
E harroj,
nuk mbetën më trime
vargjet e mia.
.
Sepse,
kuajt e egër
nuk janë të egër më.
.
VAJZAT E BUKURA
.
Arti i vërtetë a magji
derdhë në krahët e tyre,
mbi lule e gjethe fluturojnë në ditët plot diell të pranverës.
.
Larg në fluturim
marrin gjithçka me vete, moshën nuk jua njohim, as emrat, as adresën,
…vetëm bukuria e tyre
në sytë tanë mbetet.
.
Nga lart shikojnë gjithë botën,
e ne mbetemi me sy prej tyre gjithë jetën.
.
Vetëm të bukura janë fluturat,
si askush tjetër në botë
ato nuk kanë emër tjetër…
.
TREVARGËSHE
•••
I bukur zog,
degë më degë këndon…
insektin në sqep se lëshon.
•••
Në mëngjes vjeshte
Pika vese mbi gjethe,
lotët e fundit të verës.
.
DASHURIA
E bekoj zotin
që nuk më dha gojë,
me mijëra pyetje që kam
askush nuk do të më dëgjoj…
.
KOHA
Është më e çmuara pasuri,
gjithnjë vjen,
që njeriu të shijoj botën.
.
Shiko, shiko vetëm bukuritë
e mos ke kurr frikë,
se e humbë kohën.
.
TË DUA
.
Të dua ! Të dua !
Të thuash të dua
nuk eshtë gjë e thjeshtë,
e as gjë që vjen
ashtu shpejtë, kaq shpejtë.
.
Ta thuash vazhdimisht, vazhdimisht kurr pa e ndërprerë, bëhet e besueshme, mbetet e vërtetë.
.
Pa menduar kurr se si ndihet tjetri,
midis nesh nuk ka me pas peshore që
mat dashurinë në jetë…?!