Shënime për librin poetik “Lutje në kohën e Sizifit” të Jaho Margjekës, botim i Shtëpisë Botuese Nacional, Tiranë
“Lutje në kohën e Sizifit” mund të konsiderohet si një shumësi gjëndjesh emocionale, dhe reagimesh intuitive të një individi, përballë pasqyrës së viteve të tij, por edhe album ëndrrash, me plane të përmbysura nga trillat e kohës”.
Emri i Jaho Margjekës, nuk të kujton vetëm emrin e gazetarit të njohur të Radio Tiranës, emisionet e të cilit janë bërë të njohura prej dhjetra vitesh, për bashkëatdhetarët tanë, brenda dhe jashtë atdheut, por edhe atë të një poeti me vlera të veçanta. Edhe përkundur botimeve të kursyera në faqet e shtypit, poezia e tij me fjalë racionale, por të ngarkuara me mendim dhe nëntekst, vazhdon të sjellë mes nesh jo vetëm një frymëmarrje të trazuar malesh, por edhe fizionominë e një individi, që ndonëse ka një jetë mes metropolit, refuzon të retushojë vetveten edhe pse kjo gjë mund t’i kushtojë vuajtje Sizifiane.
“Përtej dashurisë dhe urrejtjes /Jam bërë burrë /Jam thinjur, jam dashuruar /Jam plakur /Prej dashurisë dhe urrejtjes /Jam ky që jam”.
I paisur me një gen të tillë vetëdije, poeti paraqet para nesh një stil dhe një ortografi krejt të veçantë. Ndaj nuk është habi, që sa herë lexon ndonjë libër prej tij, lexuesi të provojë një shije të re, ose më saktë një shkëputje të beftë, nga klima e ftohtë dhe pa diell e leximeve të njëtrajtshme, ku fillimi dhe fundi kanë të njëjtën pamje të mërzitshme. ” Lutje në kohën e Sizifit” mund të konsiderohet si një shumësi gjëndjesh emocionale, dhe reagimesh intuitive të një individi, përballë pasqyrës së viteve të tij, por edhe album ëndrrash, me plane të përmbysura nga trillat e kohës. Valëzimet e brendshme si dhe një thirrje e largët vitesh, rreket ta pasqyrojë autorin jo vetëm në plane fikse dhe të ngurta, por edhe në një rrugë plot sfida dhe tensione për krijimin e unit të tij individual.
“Turmat brohorasin dhe /Si mos o zot më keq/ Përgojojnë etninë e vet”.
Edhe pse shumica e këtyre reagimeve, nuk dëgjohen ngaqë mbyten nga jehona servile e duartrokitësve, vragat që lënë ato në ajër, janë të mjaftueshme, për ta identifikuar atë si një poet me ndjesi të holla sociale, që së bashku me poezinë e tij. përbëjnë një unitet organik kundërshtues gjer në alegori përballë të keqes dhe të shëmtuarës. Ndofta është kjo aresyeja që krijime të tilla shoqërohen edhe nga një klithmë e thekshme revolte dhe pakënaqësie.
“Përmidis moçalit me i ra/ I palagur në breg me dalë /Baltën trup me e përnda /Pa tu ngjit një stërkalë. / Me u përla me të paudhin/ Fytyrën tënde pa e nxi/ Udhën paq me ja tregue/ Pa e shty e pështy”.
Poezitë e këtij poeti, edhe pse nuk kërkojnë shumë kohë për t’u shkruar, ngaqë ndjekin rregullin e blicit fotografik, kohën e mendimit dhe refleksioneve e kanë të gjatë dhe të mundimshme.
“Pak kohë për ta parë mëngjesin, si zdrit agu /Si fekson drita në të gjelbërtën e gjetheve/ Për të luajtur në teatrin pa spektatorë/ Tragjeditë e vjetra e komeditë e reja”/
Poezi të tilla të surprizojnë me bukurinë e përshkrimit, po aq sa me forcën e dritës dhe energjinë që zotërojnë. Cikli i poezive për vendlindjen, nuk të ofron vetëm peisazhe madhështorë, konfigurime malesh, ujra të kaltra Valbone, dëborë që s’tretet dhe shumë zogj të bardhë, por edhe mall, shumë mall poeti dhe biri, që e ka të vështirë ta përballojë ndarjen prej saj, ngaqë e konsideuron atë si dimension të mohuar të vetvetes. Janë poezi që numërojnë orët dhe muajt e ndarjes dhe të çvendosin si pa ndjerë nëpër kohëra dhe vende të adhuruar, ku aftësia përfytyruese e poetit arrin kulmet. Ndonëse me një tepricë fantazie, lëvizjet e tyre sa nga realiteti tek fantazmogorija, ato nuk denatyrohen por përkundrazi bëhen më të gjalla dhe paksa më të çuditshme. Autenticiteti i tyre buron jo vetëm nga talenti i autorit por edhe nga vendi ku janë krijuar, nga ai terren i shenjtë, ku vijon ende të lexohen përmëndsh vargje të tëra nga Lahuta e Malcisë dhe Eposi i kreshikëve, dhe ku lahutarët vijojnë ende ti këndojnë Mujit dhe Halilit me të njëjtin pasion të dymijë vjetëve më parë. Poezitë “Mall për nënën”, “Vajzat e fshatit”, “Bardha”, ” Shtëpinë e kam tek retë e bardha”, “E shkruar në gurë”, më shumë se poezi identifikuese, janë metafora lëvizore, që e prezantojnë lexuesin me disa nga kultet më të shenjta të autorit, me nënën, vendlindjen, dashurinë e parë dhe vetë pafajësinë. Kjo më përforcon bindjen, se më shumë se vargje, ato janë materie të krijuara nga një lëndë e shenjtë dhe e panjohur, që krijohet vetëm në fund të shpirtit të një poeti.
“Të gjitha janë në vënd si më parë /Tryeza karriket në vend rregulluar më së miri/ Pluhurat janë fshirë/ Dhe dyshemeja po ashtu është larë/ E gjella e ngrohtë përgatitur nga motra avullon nëpër pjata/ Babai përtypet e përtypet, e seç veshtron rrotull/ Të gjitha janë si më parë/ Por nëna, Ah nëna hesht/ Përjetësisht mungon vëllai”.
Nuk e teproj të them se ky cikël është nga ata që i jep peshën kryesore këtij libri dhe nga më të arrirët, si për fuqinë e simbolikës, ashtu dhe për marrëdhëniet e ngushta që kanë në mes tyre. Autenticiteti që i përshkon ato i veçon i ruan ato nga zhurmat dhe deformimet, që mund t’iu sjellë kaosi i sotëm urban shqiptar. Duke u futur në substratin e tyre virgjin, lexuesi emocionohet dhe pse jo, vishet edhe ai menjëherë me imazhe mesnatash që ikin me revan dhe perëndime të zhytur që shfryjnë thellësive. Si e tillë kjo lloj poezie merr përsipër të pikturojë edhe me detajet më të vogla, dialogjet me zë të ulët, mes barit dhe gurëve, gjetheve dhe drurëve, duke i bërë një sfidë të hapur harrimit. Edhe çastin kur i këndon dashurisë, ajo e zhvesh në çast kostumin e seriozitetit, dhe fjalorin skademik, për tu bërë më flurore dhe më çapkëne se kurrë. Jaho ka një varg të shkathët dhe mjaft elegant, që i pëlqen të përthyhet dhe të ndryshojë formë në varësi të mendimit dhe kumtit që dëdhiron autori. Veshja e tij me figura dhe simbole nuk e rëndon por i jep atij më shumë bukuri dhe aftësi shprehëse. Falë tij poezia e Jahos ja del të jetë gjithmonë e tejdukshme e përbërë vende vende edhe me reminishenca thërrmijash të ngurtësuara eposi. Thuhet se dashuria e bën më komunikues dhe më të sinqertë njeriun, prandaj unë i besoj thirrjeve të tij përbetuese:
“Unë jam i të gjithë lumenjve, i të gjithë zalleve/ Aty kam zërin tim dhe dhimbjen time”.
“Lutje në kohën e Sizifit ” është i ndarë në tetë cikle, por kjo është thjeshtë një anë formale e tij. Prania dhe frymëmarrja e autorit ndihet e njëjtë në gjithë tërësinë e tij. Jaho Margjeka dhe vargu i tij kanë lindur pranë njeri tjetrit dhe vijojnë të rilindin akoma. Ai është zëdhënës i tij në çdo moment dhe gjëndje shpirtërore që kalon. Edhe kur poeti ulet të flasë me një fije bari të hollë dhe imcake, edhe kur vuan e përgjërohet për plakjen e gurit të tij njëmijëvjeçar, edhe kur hap dritaret për të ndier më mirë trokitjet e orës, për t’iu besuar më në fund vetëm syve. Poezite e tij me temën e rrënjëve të fisit dhe vendlindjes edhe pse vuajnë nga mungesa e qetësisë së brëndshme nuk e humbin aspak logjikën e fortë dhe përqendrimin. Dua të përmënd këtu poezinë ” Baladë e vjetër” ku nëpërmjet përdorimit të anaforës, poeti shpërfaq para nesh peshën dhe dimensionet e një malli homerik.
“Tetë vjetë pa u çmallur/ Tetë vjet pa u parë/ Tetë vjet veç në endrra/ Ç’eshtë ky gjumë kaq i gjatë”.
Me të njëjtat mjete shprehëse është ndërtuar edhe poezia “Qiejve një natë me vetëtima”, ku shpirti i autorit në kërkim të dashurisë së humbur kalon çdo kufi imagjinate, duke u shnderruar në një kalorës baladik, që kalëron mbi shpinë të rrufeve. Në poezitë me këtë temë shpirti i poetit shfaqet i brishtë dhe i ndjeshëm, por asnjëherë i dobët dhe i thyeshëm. Poezitë me temë sociale karakterizohen nga ndeshje të fuqishme mes autorit që mbron të bukurën, përballë kundershtarëve të tij, përfaqësues të të shëmtuarës dhe batakut moral. Ai nuk kërkon të flasë shumë me ta. I shmang debatet dhe moralizimet e tepruara, duke i dhënë prioritet detajit alegorik. I mjaftojnë vetëm pak vargje si këta më poshtë, për të krijuar kundervënien.
” Në shkollën e qenërisë, kurrë s’u bëra dot nxënës i mirë, pse e përmënd s’po lëvdohem ”
Ndërsa lexoj këtë poezi kredo, më vjen në mend Din Mehmeti me atë dy vargëshin e tij të famshëm.
“Mësojeni kohën mos hajë të vetët/ Ç’ka lind prej shëmtie, do ta ndreqin poetët”.
Edhe poezia e Jahos është një vazhdim i bukur i këtij postulati. Ajo nuk lodhet së pasqyruari individë në udhëkryqe dhe ajrin e kësaj kohe me njerëz të vegjël dhe me botë sa një portofol. Me një këmbëngulje admiruese, nga ana tjetër s’lodhet së ndertuari shtëpiza prej fjalësh shprese, të mbytura në gjelbërim edhe pse me dritare të mbyllura dhe të sulmuara egërsisht nga dimrat, sepse një njeri si Jaho Margjeka e ka në gen palcën e gurit dhe të gjelbërimit.