BRENGËZ E BEGATË
.
Përhera, më shumë, e kam dashur
më ka ndjerë, ndoshta, një cak,
prej më së largu m’afrohet
së largu dhe kaq afër
me tjetër grup gjaku
dikur jetë plot sy
tani syri çast.
.
Tirana, ndërkohë, është s’është ajo…
.
Tirana, ndërmend,
më pak më do
dhe kjo
më begaton një brengëz
të shtrenjtë e të shenjtë…
.
RRËMBIME
.
A mund të nisemi andej nga erdhëm
të mpleksim guximet ledhatojmë
mbrëmjen … qershizën e parë
me xixa në venë ?
.
A mund të jem sonte po ai vrapth
përmallimi lënduar gjatë urtë
të gjej çka shpejt mbrujta
në Tiranën pa frak
qullur … ngrohtë
zjarr në shkurt?
.
Asaj rrokullime q’ende shpupuritet
mund t’ia ndij kreshtën e lume ?
Tirana përgjysëm… e tëra
pa i ra në gjunjë botës
botës i përvidhej
plot gracka
thërrime …
uri e të dashuruarve.
.
O, ç’ëndërrime… të çartura paksa…
.
Tirana sonte ndizet e nuk fiket
gjithçka më merr
s’më rrëmben gjithçka…
.
LIZETË
.
Më pak jetoja vetëm
kur dija çfarë dashuroja
dashuroja bustin legjendën.
.
Afër, për t’u mbajtur, mend
ëndërrova liriken Lizetë,
shirat më qullnin
s’i shihja buz’plasur
syvëngërt shihja
mjegullinat retë…
.
Tani,
asgjë s’ka mbetur
nga livadhet tona
në këtë kryeqytet
ku vrapoj
ngadalshëm
për të kujtuar
çka deshëm
aq vrundull
aq qetë
.
ngadalë nxitoj mos mbërrij natën…
.
CIFLA
.
Tjetër e bukura
e bukura e brengave
me rrjedha të hareshme,
.
Tirana
plot të vërteta të reja
të cënuara, cifla
në ndërgjegje.
.
Tjetër thirrja buzagaz i pastër
nga shfytyrimi zi mbrapsht’
një krismë sonte mund
të ma mpij kryqin
në kishën e Fjalës
lëkund gjysm’hënën
nga sheshi emblemë gjer në Dajt.
.
Tirana jeton rrjedha të hareshme,
.
Tirana
plot ndjenja,
brenga, ndërgjegje.
.
MBRËMË NESËR
.
E mrekullueshme kjo mbrëmje
oh, sa e mrekullueshme,
flladi sikur luan flaut
flauti plot sythe,
.
tjetër përtëritje
çdo gisht,
.
mua më duket
sikur po dal
prej ëndrrave
tek burimi i luleve,
të gjithë ëndërruar
veten fare pak
tek të tjerët puhizë.
.
Sonte tjera fytyra gdhend mbrëmja
me gishtat e saj të padukshëm,
tiparet tona të mbrame
përsëmbari të mugët,
.
e mrekullueshme kjo mbrëmje
me sy të rinj këqyr çfarë shkoi,
që edhe pse u rrudh e vyshk
asnjë e asgjë nuk mallkoi,
kurrë nuk u bjerr
nga cene të hijshme
çdo rrëmuje
vragë,
s’ka varrezë
as kryq
as lutje
as baltë.
.
Oh,
sa mahnitem
nga kjo mbrëmje
tiranase rrezëllitëse…
.
i këtushëm më s’jam, po i mbramë.?
.
RREKJE
.
Anashkaloj
zekthin e tymin
jo timbër dhe plojë.
.
Mbrapshtoj pas rrekjes
acarin mbi kokën
pa mblojë
.
u dredhoj hileve me bejte.
.
Shumë më tepër dredhitë
më duhen të afrohem
tek seksi i çudive
qiriu gjysmë fis.
.
Ngahera parakaloj mëdyshjen
Tirana gjallëron rrëfenjë
pa plojë
.
ku s’gërhasin qyqet…
.
ACAR I BUTË
.
Mendohemi vërtet ëndërrt,
çdo gjëagjëzë na përhitet
acartë, përzemërt.
.
Endërrojmë plot përndritje
të vërteta vërtet të fisme,
.
mendojmë pa të çala,
.
kryeqytetit ndonjëherë
ngazëllehemi
ëndërrt
gunga, ligje përralla.