Zv.kryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë është zyrtarisht e pandehur me akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, kjo iu komunikua nga Prokuroria e Posaçme.
Hetimet nga SPAK ndaj zv.kryeministres së Shqipërisë, Belinda Balluku, lidhen me një nga procedurat e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, një projekt publik me vlerë rreth 190 milionë euro.
Balluku para prokurorëve të Posaçëm
Thirrjes së dytë të SPAK, Balluku iu përgjigj këtë të premte (31.10.2025), duke u shfaqur në dyert e Prokurorisë së Posaçme rreth orës 15:10. Ajo qëndroi aty për afro 50 minuta, gjatë të cilave prokurorët i komunikuan zyrtarisht akuzën. Në dalje, përballë gazetarëve që prisnin ardhjen e saj prej disa ditësh, Balluku tha, se “kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje në hetim”.
“Si qytetare e Shqipërisë edhe zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces nga i cili jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transparencë, llogaridhënien dhe mbi të gjitha dhe mbi parimet e drejtësisë tek e cila besoj” – u shpreh Balluku.
Akuzat ndaj ministres
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Balluku është marrë e pandehur në kuadër të hetimeve për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë. Akuzat lidhen me veprimet e saj në cilësinë e ministres përgjegjëse për një nga procedurat e prokurimit të këtij projekti, që përbën një nga investimet më të mëdha publike të qeverisë shqiptare. “Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,”Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim” – thuhet në njoftimin e SPAK-ut. Emri i zv.kryeministres doli gjatë analizës së komunikimeve të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, tashmë dërguar për gjykim për të njëjtën çështje. Në vijim të hetimeve, të hënën (03.11.2025) pritet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme edhe Gentian Gjyli, drejtori aktual i ARRSH-së.
Balluku, zv. kryeministrja e dytë nën hetim
Belinda Balluku është pjesë e qeverisë së kryeministrit Edi Rama që prej vitit 2019, në postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke drejtuar për më shumë se pesë vjet një nga portofolët më të mëdhenj të kabinetit. Ajo është zëvendëskryeministrja e dytë e qeverisjes socialiste që merret e pandehur nga SPAK, pas ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Gjatë viteve të fundit, Balluku është përballur me akuza të përsëritura nga opozita për mënyrën e menaxhimit të kontratave publike dhe projekteve të mëdha infrastrukturore, akuza që ajo i ka mohuar./DW