Shtetet e Bashkuara kanë hequr një nga kufizimet kryesore që i ndalonin Ukrainës përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva brenda territorit rus. Lajmi u bë i ditur të mërkurën, më 22 tetor, nga zyrtarë amerikanë, të cilët citohet nga Wall Street Journal.
Sipas burimeve, administrata e presidentit Donald Trump ka lejuar Kievin të përdorë raketën britanike Storm Shadow për sulme në Rusi. Të martën, ushtria ukrainase përdori këtë raketë për të goditur një fabrikë në Briansk të Rusisë, që prodhonte lëndë plasëse dhe karburant për raketa. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, sulmi ishte i suksesshëm dhe kaloi pa u zbuluar nga mbrojtja ajrore ruse.
Trump fillimisht sugjeroi dërgimin e raketave Tomahawk – më pas tërhoqi propozimin
Vendimi për të lejuar përdorimin e Storm Shadow nga Ukraina u mor pak pasi përgjegjësia për miratimin e sulmeve të tilla iu transferua gjeneralit amerikan në Evropë, Alexus Grynkewich, që njëkohësisht është edhe komandant i forcave të NATO-s në rajon.
Në fillim të tetorit, presidenti Trump kishte sugjeruar edhe dërgimin e raketave Tomahawk në Ukrainë – raketa me rreze mbi 1.600 km – për të ushtruar presion ndaj Kremlinit dhe për të shtyrë Rusinë drejt bisedimeve për paqe. Por më pas, ai hoqi dorë nga kjo ide.
SHBA kontrollon përdorimin e raketave perëndimore përmes të dhënave të saj të inteligjencës
Raketat Storm Shadow përdorin të dhëna të inteligjencës amerikane për të identifikuar objektivat. Kjo i jep SHBA-ve njëfarë kontrolli mbi mënyrën si përdoren nga Ukraina, gjë që ka shtyrë Uashingtonin të vendosë një mekanizëm rishikimi për çdo sulm ndërkufitar.
Pas tërheqjes së Trump nga ideja për Tomahawk, Shtëpia e Bardhë publikoi një deklaratë ku thuhej:
“Ky është një luftë që nuk do të kishte ndodhur nëse Trump do të ishte president në atë kohë, siç ka pranuar vetë Putin. Presidenti Trump po përpiqet ta ndalë këtë luftë, dhe ka negociuar një marrëveshje historike për të lejuar aleatët e NATO-s të blejnë armë të prodhuara në SHBA.”
Përdorimi i Storm Shadow nuk ndryshon shumë balancën në terren, por rrit presionin ndaj Rusisë
Për sa i përket efektit ushtarak, përdorimi i Storm Shadow nuk sjell një ndryshim të madh në fushëbetejë, për shkak të rrezes më të shkurtër krahasuar me raketat Tomahawk. Megjithatë, ai i jep Ukrainës mundësinë të zgjasë goditjet në thellësi të territorit rus, duke synuar objektiva strategjike si rafineritë e naftës dhe infrastrukturën energjetike.
Sipas përfaqësuesit të NATO-s, kolonel Martin O’Donnell, “Ukraina ka dëshmuar se është jashtëzakonisht e aftë të godasë objektiva legjitime ushtarake në thellësi të Rusisë, të cilat mbështesin luftën e panevojshme të Kremlinit, që po rëndon ekonominë dhe ka shkaktuar mbi një milion të vdekur e të plagosur në Rusi.”
Takimet e dështuara për paqe dhe kërkesa për më shumë raketa
Trump kishte shprehur interes për një takim të dytë me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest për të diskutuar rreth paqes, por bisedimet dështuan dhe ai e cilësoi idenë si “humbje kohe”.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u takua me Trump-in javën e kaluar, kishte kërkuar furnizim me raketat Tomahawk, për të përforcuar kapacitetet sulmuese të Kievit. Refuzimi i këtij kërkese ka kufizuar mundësitë e Perëndimit për të ushtruar presion ndaj Moskës, sipas analistëve.
SHBA jep dritën jeshile për shitjen e raketave të reja me rreze deri në 280 milje
Administrata amerikane ka miratuar së fundmi shitjen e 3.350 raketave të avancuara ajër-tokë me rreze 150–280 milje, ndërsa ka furnizuar më parë Ukrainën edhe me raketat tokë-tokë ATACMS, me rreze rreth 200 milje. Megjithatë, që nga kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, këto raketa nuk janë përdorur për të goditur objektiva brenda Rusisë.
Sipas burimeve zyrtare, Ukraina ka aktualisht vetëm një sasi të vogël të mbetur të këtyre raketave, ndërsa nuk është e qartë nëse SHBA do të dërgojë të tjera ose do të lejojë përdorimin e tyre në sulme ndërkufitare.
BE dhe Zelensky: Presioni ndaj Rusisë do të vazhdojë
Në një deklaratë të përbashkët të liderëve evropianë me presidentin Zelensky, u theksua se Perëndimi do të vazhdojë të rrisë presionin mbi ekonominë dhe industrinë ushtarake të Rusisë, deri në momentin kur Putin të jetë i gatshëm të negociojë paqen.