Kandidati i pavarur për Kryetar Bashkie në Berat, Pavllo Shkarpa, ka marrë mbështetjen e Opozitës së Bashkuar. Në prezantimin e tij, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e konsideron kandidaturën e Shkarpës si “një shpresë të re për qytetin e Beratit” dhe një garanci për “një drejtim të ndershëm, të përgjegjshëm dhe të bazuar në dije”.
Blushi theksoi se Berati ka nevojë për një drejtues që respekton vlerat e UNESCO-s, ndalon “shkatërrimin urban” dhe frenon “shpërdorimin kriminal të taksave të qytetarëve”.
“Kandidatura e Pavllo Shkarpës për Kryetar të Bashkisë së Beratit, i cili mbështetet nga Opozita e Bashkuar, është një shpresë e re për qytetin, një garanci për një drejtim të ndershëm, të përgjegjshëm dhe të bazuar në dije, dashuri për qytetin dhe respekt për komunitetin”, tha Blushi.
Reagimi i Tedi Blushit
Kënaqësi dhe nder të mbështetësh kandidatin e pavarur për Kryetar Bashkie të Beratit, qytetari model autokton, Z. Pavllo Shkarpa, inxhinier i shquar, personalitet me kontribute të jashtëzakonshme për mbrojtjen e trashëgimisë historike, kulturore dhe urbanistike të Beratit, këtij thesari të çmuar të qytetërimit shqiptar dhe botëror.
Prej vitesh, Z. Shkarpa ka dëshmuar përkushtim të palodhur në mbrojtjen e identitetit arkitektonik të Beratit dhe në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit, gjithmonë në harmoni me vlerat që e bëjnë atë një simbol të trashëgimisë së UNESCO-s.
Përmes punës dhe angazhimit të tij si drejtues i Shoqatës “Antipatrea”, ai ka ngritur gjithmonë zërin e qytetarëve, duke kërkuar transparencë, përgjegjshmëri dhe vizion afatgjatë në çdo vendimmarrje për këtë pasuri të rrallë kombëtare.
Kandidatura e Pavllo Shkarpës për Kryetar të Bashkisë së Beratit, i cili mbështetet nga Opozita e Bashkuar, është një shpresë e re për qytetin, një garanci për një drejtim të ndershëm, të përgjegjshëm dhe të bazuar në dije, dashuri për qytetin dhe respekt për komunitetin.
Besoj fort se një profesionist i këtij kalibri, me integritet moral e përvojë të gjerë, do t’i japë Beratit frymën e re dhe shkëlqimin që meriton, duke mbrojtur trashëgiminë, ndalur shkatërrimin urban dhe shpërdorimin kriminal të taksave, për t’i hapur rrugë zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit kulturor.
Njësoj si përpjekjet tona të përbashkëta, fitorja nesër do të jetë e të gjithë qytetarëve të Beratit. gsh