As me dorë edhe sikur nga lart po ta vendoste perëndia, një lajm apo kronikë mediatike për pasditen e së Mërkurës, 15 Tetor të presidentit të Republikës së Shqipërisë SH. T. Z.* Bajram Begaj, nuk do ta gjeje si të tillë në raport me ngarkesën ditore ku figura e presidentit u vendos në qendër.
Propaganda për sisteme dhe struktura jo transparente është ilaçi më i mirë. Dhe këtë si askush tjetër e mbulon vetëm ATSH-ja.
Rasti që do të sjellim si shembull nuk lidhet me të vërtetën apo me të gënjeshtrën.
Këtë nuk e themi dot sepse janë plot katër shkrepje nga vend ngjarja edhe pse vetë faqja e presidencës ende nuk e ka përditësuar lëndën me aq shpejtësi rrufe se sa ATSH-ja. E shpejtë dhe e saktë, por në kohën e duhur në qytetin e Durrësit, ATSH sjell dy mesazhe të presidentit pikërisht nga ceremoninë e përfundimit të veprimtarisë “Kampionati Botëror i Shahut për të Rinj”.
Mesazhi i parë:
– “Ju keni energjinë dhe potencialin e brezit që do të ndërtojë të ardhmen, një brezi që di të mendojë, të analizojë, të bashkëpunojë dhe të respektojë rregullat e lojës së ndershme.”*
Mesazhi i dytë:
-“Mbajeni të gjallë këtë frymë përtej këtij kampionati: në shkolla, në komunitete, në jetën e përditshme! Një shoqëri që investon në mendje të qeta dhe në zemra të pastra, është një shoqëri që ecën me siguri drejt së ardhmes.”*
Të dy mesazhet e përmbajnë këshillën dhe urtësinë e kërkuar, por duhet pranuar se Shqipëria dhe Tirana veçanërisht këtë muaj nuk po jetojnë kohë qetësie dhe normaliteti ashtu siç qeverisja dhe propaganda e saj përpiqen ta shesin. Nuk mjaftojnë as ngjeshjet e njëpasnjëshme të Samiteve Ndërkombëtare, as fillimi i Sesionit të ri parlamentar, as viti i ri shkollor apo ai akademik, nuk mjaftojnë as edhe gëzimet për golat e Shqipërisë dhe Kosovës për Botërorin Futbollit 2026 etj. (pa harruar se në politikë brenda Kuvendit kundërshtarët janë pozicionuar me preçizionin e 11 metërshave për të rrëmbyer fitoret përmes Komisioneve Parlamentare që kërkojnë përgjegjësitë e keq qeverisjes), institucioni i kreut të shtetit – Presidenti po tërheq vemendjen me dekretet e fundit për emërtimet në kabinetin e qeverisë (mes ministrave dhe ministreve njerëzorë edhe aplikacioni “Diellëza” shëmbëllim virtual me njerzoren), përplasjet e dyfishta me Gjykatën Kushtetuese qoftë për zgjedhjet e pjesshme vendore si edhe për mandatet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (një kerkesë që presidenti e ka bërë më herët këtë vit më 30 Janar, 2025).
Mbrojtja nga ana e presidentit ende nuk duken proporcionalë dhe të besuseshëm dhe sulmet nga ana e opozitës janë intensifikuar. Paraditen e 15 Tetorit, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka renditur një listë me shtatë shkelje të Kushtetutës së R Sh nga ana e presidentit Begaj duke e konsideruar institucionin që ai drejton të varur nga kryeministri Rama.
Presidenti Begaj i ka cilësuar të pavërteta dhe ka theksuar se:-“Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut.”*
Kjo mesa duket ka qenë lëvizja e fundit institucionale e presidentit Begaj, para se të ndodhej në botërorin e shahut për të rinj.
Tani jemi në pritje.
Një pritje ku institucionet duhet të flasin pas vendimeve (VKM-ve) dhe dekreteve të nënshkruara.
Një datë për zgjedhjet në bashkitë Vlorë, Cërrik, Mat, Berat dhe Tepelenë që ndëkohë është caktuar dhe KQZ po vepron për mbajtjen e tyre, Tirana është e pezulluar prej Gjykatës Kushtetuese.
E vështirë të përcaktohet tashmë lëvizja.
Për sa kohë presidenti në një nga shkrepjet e mes shahistëve të rinj të botërorit në durës përpiqet të jetë aktiv dhe të japë këshilla, kujtojmë se dy vite më parë( 7 Tetor, 2023), Erion Veliaj, kryetari i shkarkuar pas 8 muajsh me VKM-n e kryeministrit Rama ka pritur në zyrën e tij kampionin e botës Garry Kasparov.
Kasparov me rastin e Kupës Evropiane të Shahut që u mbajt për herë të parë në kryeqytet që njihet si fitues i 25 titujve rrjesht kampion bote (1985-2000), u nderua nga Veliaj me “Çelësin e Qytetit”.
Deri në përcaktimin e datës së zgjedhjeve të bashkisë së Tiranës po të flisnim jo vetëm me mrekullibërjen që kanë çelsat, por me gjuhën e shahut dihet se kur ushtari kthehet në figurë apo edhe deri në zëvendësimin e një mbretëreshe të humbur, veç barazimit loja fitohet me rregulla. Atëherë mbreti dorëzohet dhe s’ka nga ku më të lëvizë.
Rregulla të domosdoshme njësoj sikurse të zbatosh kushtetueshmërinë.
Në qoftë se dikush kërkon të lëvizë ndryshe, ky do të ishte DAM-i (16 gurë në 64 katrorë).
__________
* SH.T.Z. – qëndron për Shkëlqesisë së Tij Zotit…
*ATSH 15 Tetor–Begaj mesazh të rinjve: Keni potencialin të ndërtoni të ardhmen
*ATSH 15 Tetor–Presidenca: PD pretendime të pavërteta, Kuvendi t’i hetojë
15 Tetor, 2025