Më 15 tetor 1932, në Elbasan, lindi një prej figurave më të ndritura të artit dhe shkencës muzikore shqiptare, Prof. Hamide Stringa.
Një jetë e tërë në shërbim të muzikës, pedagogjisë dhe muzikologjisë shqiptare, e cila e bëri emrin e saj të nderohet mes brezave të muzikantëve që ngritën themelin e kulturës sonë moderne.
Prof. Hamide Stringa i përket brezit të dytë të muzikantëve shqiptarë që u arsimuan në ish-Bashkimin Sovjetik, përkrah figurave të mëdha si Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Dhora Leka, Tish Daija, Aleksandër Mula, Pjetër Gaci, Agim Krajka, Rauf Dhomi e të tjerë.
Në një kohë kur vajzat shqiptare përballeshin me barriera të shumta shoqërore, ajo u bë simbol i emancipimit të gruas shqiptare në art, duke ndjekur rrugën e Tefta Tashko Koços, Marie Krajës, Jorgjia Trujës dhe Lola Gjokës, ikonave të brezit të parë të muzikantëve të shkolluar jashtë vendit.
Si pedagoge, muzikologe dhe studiuese, Prof. Stringa u dallua për profesionalizmin, pasionin dhe kulturën e gjerë muzikore.
Ajo dha një ndihmesë të çmuar në formimin e brezave të rinj artistësh dhe në zhvillimin e teorisë muzikore shqiptare.
Nëpërmjet kërkimeve, shkrimeve dhe ligjëratave të saj, kontribuoi në kristalizimin e mendimit muzikologjik shqiptar, duke ndihmuar në ndërtimin e një identiteti të qartë artistik kombëtar.
Ndarja nga jeta e saj më 13 shkurt 2023 ishte një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por edhe për gjithë komunitetin artistik e akademik të vendit.
Prof. Hamide Stringa mbetet një zonjë fisnike e artit shqiptar, një zë i urtësisë dhe kulturës që ka ndriçuar panteonin e vlerave të vërteta të muzikës, kulturës dhe shkencës sonë kombëtare.
Na Ishte Dikur e kujton me nderim, mirënjohje dhe respekt të thellë këtë figurë të shquar që i dha dritë muzikës shqiptare.