Lëvizja palestineze Hamas njoftoi se ka planifikuar të nisë lirimin e pengjeve izraelite që mbahen në Rripin e Gazës, të hënën në mëngjes, ashtu siç parashikohet nga marrëveshja, pak para nisjes së samitit të paqes në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, ku pritet të marrin pjesë rreth njëzet liderë botërorë, përfshirë presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi.
Në Rripin e Gazës, i shkatërruar rëndë pas dy viteve lufte, autoritetet e mbrojtjes civile njoftuan të shtunën se mbi 500.000 persona të zhvendosur janë kthyer në pjesën veriore të territorit, që nga e premtja kur nisi zbatimi i armëpushimit.
Marrëveshja mes palëve ndërluftuese bazohet në një plan me 20 pika të paraqitur nga presidenti amerikan Trump në fund të shtatorit.
Ajo parashikon që deri të hënën para mesditës, Hamas të lirojë 48 pengje të mbetura – të gjallë ose të vdekur – të rrëmbyer gjatë sulmit të paprecedentë të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, sulm që shënoi edhe fillimin e luftës.
Në këmbim, Izraeli pritet të lirojë 250 të burgosur palestinezë të dënuar për sulme ndaj izraelitëve, si dhe 1.700 të tjerë të arrestuar nga ushtria izraelite në Gazë pas shpërthimit të konfliktit.
Osama Hamdan, një nga drejtuesit e Hamasit, tha për AFP se “sipas marrëveshjes së nënshkruar, shkëmbimi i të burgosurve pritet të nisë të hënën në mëngjes. Nuk ka ndonjë zhvillim të ri në këtë drejtim.”
Nga ana tjetër, Einav Zangauker, një prej figurave kyçe në lëvizjen për kthimin e pengjeve në Izrael, tha gjatë një tubimi në Tel Aviv: “Do të vazhdojmë të bërtasim dhe të luftojmë derisa të gjithë të kthehen në shtëpi.” Djali i saj 25-vjeçar, Matan Zangauker, është një nga 20 pengjet që besohet se janë ende gjallë.
Gjatë një fjalimi në “sheshin e pengjeve”, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, i cili vizitoi Gazën të shtunën së bashku me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, dhe shefin e shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, iu drejtua turmës me fjalët: “Po ktheheni në shtëpi.”
Fjalimi i tij u prit me duartrokitje kur përmendi presidentin Trump, por turmat nisën të fishkëllenin dhe të shprehinin pakënaqësinë kur përmendi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, për të cilin tha se “po bën gjithçka për vendin e tij”.
Egjipti konfirmoi se do të presë të hënën pas mesditeje një samit në Sharm el-Sheikh, me synimin për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, për të forcuar përpjekjet drejt paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, si dhe për të hapur një faqe të re për sigurinë rajonale.
Përveç presidentëve Trump dhe Sisi, në qytetin egjiptian pritet të marrin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer, ajo e Italisë Giorgia Meloni, dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, ndër të tjerë.
Nuk ka ende ndonjë informacion nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të marrë pjesë në këtë samit.
Nga ana e saj, Hamas ka bërë të ditur se nuk do të jetë e pranishme, por do të përfaqësohet nga ndërmjetësit Katar dhe Egjipti. Zyrtari i lartë i Hamasit, Hossam Badran, tha për AFP se pritet një raund “i vështirë” negociatash për fazën e dytë të planit të Trump, e cila përfshin çarmatimin e Hamasit, dëbimin e luftëtarëve të saj dhe tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza.
“Faza e dytë e negociatave do të kërkojë bisedime më të ndërlikuara dhe nuk do të jetë aq e lehtë sa e para”, theksoi ai.
“Shpresojmë të mos kthehemi sërish në luftë, por populli palestinez dhe forcat e rezistencës do të përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për t’u mbrojtur, nëse u imponohet një betejë”, shtoi Badran.
Një tjetër zyrtar i Hamasit, në kushte anonimiteti, theksoi për AFP se “dorëzimi i armëve është i papranueshëm dhe kjo është e panegociueshme.”
Ndërkohë, në të gjithë Rripin e Gazës, ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë të kërkojnë trupat nën rrënoja, pas tërheqjes së ushtrisë izraelite nga disa zona të caktuara. Qindra mijëra banorë janë kthyer në pjesën veriore të territorit, ku shpesh nuk gjejnë asgjë përveç rrënojave atje ku dikur ndodheshin shtëpitë e tyre.
Raja Salmi, pas një udhëtimi “jashtëzakonisht rraskapitës”, arriti të kthehet në lagjen e saj në Al-Rimal, në zemër të qytetit të Gazës, zonë e goditur rëndë nga bombardimet ku, sipas ushtrisë izraelite, ndodheshin qindra luftëtarë të Hamasit.
Por ajo që gjeti nuk ishte shtëpia e saj, vetëm një grumbull rrënojash. “Qëndrova përpara tyre dhe shpërtheva në lot… të gjitha kujtimet e mia janë bërë pluhur,” tha ajo.
“Unë nuk di çfarë të them… ajo që shoh është më e fortë se çdo fjalë… Shkatërrim, shkatërrim, dhe vetëm shkatërrim,” shtoi një tjetër banor, Saher Abu al-Ata, pasi u kthye pranë rrënojave të spitalit pediatrik Al-Rantisi. Panorama